Cfare te vizitosh ? 17 Korrik 2019

KULLA E ARNUME

Cfare te vizitosh ?

NGA: GENTIAN MINGA/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Ka shumë kuptim të bësh një ndërtesë “të arnume” në një vend si Shqipëria, ku varfëria na ka detyruar të mos i flakim gjërat me cenin e parë. Por ja që në këtë rast, “arnimi” i kullës ku kanë jetuar brez pas brezi familjarët e Altin Prengës, mendjes së ndritur që fshihet pas projektit të agroturizmit “Mrizi i Zanës” në Fishtë dhe “Mullixhiu” në Tiranë, është një zgjidhje e bukur arkitekturore dhe jo një shtrëngim prej varfërisë.

Lidhja që Prenga ka me vendlindjen dhe që e dëshmon prej vitesh është aq e bukur dhe frymëzuese sa të “arnojë” edhe patriotizmin tonë të shkatërruar. Kulla, e cila ndodhet pak metra mbi restorantin “Mrizi i Zanave” është arnuar në cepin e saj të majtë me vetrata xhami, që lejojnë të depërtojnë brenda në dhomë natyra e egër e zonës dhe drita e diellit të pasdites. Interieri, duke qenë pjesë integruese e një ndërtese, si çdo element tjetër i saj, është konceptuar njëkohësisht me idenë arkitektonike dhe shpreh një tentative evoluimi të traditës së arredimeve tradicionale të kullave.

Me zbatimin e “Kullës së Arnume” ka punuar “Plisatelier”, dy miq lezhjanë që janë njohur që në fëmijëri. Pavarësisht nga rrugët e ndryshme që kanë marrë për të mbaruar studimet, sinergjia dhe identiteti i kultivuar kanë qenë motivet e krijimit të “Plisatelier”. Faktikisht, vetë emërtimi “Plisatelier” e dëshmon këtë fakt. Ndër punët më të mira të përfunduara tashmë nga kjo atelie, do të theksonim “Log bar” në Shëngjin, “La Chiave di Cervinara” në Milot, “Ara Restorant” në Shëngjin, ndërhyrje në arredimin e restorantit “Mrizi i Zanave”, “Kulla e Arnume” në agroturizmin “Mrizi i Zanave” dhe disa vila private në hapësirën Shkodër – Tiranë. “Plisatelier” ka përdorur materiale bashkëkohore ndërtuese si betoni, hekuri dhe xhami, në pjesët ku kulla ishte shembur dhe njëkohësisht ka rikuperuar muret apo trarët e drurit, që ekzistonin akoma; ky është rezultat i studimeve të bëra paraprakisht mbi arkitekturën dhe kullat shqiptare, duke pasur parasysh që me kohën edhe ajo evoluon.

“Kjo nuk do të thotë përjashtimin e teknikave tradicionale, por gërshetimin e tyre, aty ku ato i kanë mbijetuar kohës me teknikat dhe materialet bashkëkohore. Kulla, si një ndër elementet identitetformues të kulturës sonë, është gabim të përkufizohet vetëm në aspektet formalo-funksionale të saj, pasi ashtu siç evoluon çdo aspekt kulturor në kohë, ashtu duhet pasur parasysh se evoluon edhe arkitektura, - thotë arkitekti Briken Miloti për “Living”. - Për rrjedhojë, përdorimi i materialeve bashkëkohore është po aq i vlefshëm për të ridhënë peshën që kullat kanë në identitetin tonë. Ripërdorimi i gurit dhe drurit të gërshetuar me hekurin e xhamin janë shembull i gjallë, që rreket të vërtetojë se progresi nuk nënkupton mohimin e traditës, por ndërlidhet me të.

Gjithashtu, identiteti dhe pasuria e një kulture nuk mbrohet duke mohuar progresin. Në të vërtetë, arkitektura, më shumë se ndërtim fizik me arsyet dhe proporcionet e saj, të diktuara nga koha në të cilën është ndërtuar, është pasuri e ndjesive të kohës. Specifikisht, - vazhdon arkitekti, - kulla shqiptare s’është vetëm një arkitekturë autoktone e zhvilluar ekskluzivisht nga arsyet e lartpërmendura apo nga diçka tjetër; ajo mbi të gjitha është ‘t’kenunit’ shqiptar, të jetuarit ‘shqip’nisht’. Në fakt, kjo është sfida e kohës sonë dhe e brezave të ardhshëm, rigjetja e traditave shumëdimensionale, duke jetuar në epokën e globalizmit. ‘Kulla e Arnume’ në të vërtetë është ajo që ishim, që jemi dhe që do të bëhemi”.

Kulla është ndarë në dhoma, të cilave u janë vënë emra kafshësh: pata, dhia,  kali. Dhomat më të parapëlqyera nga bujtësit janë dhoma e patës (kati i parë) dhe ajo e kalit (kati i dytë), të cilat përkojnë me anën e vetratave të xhamit, që janë atraksioni i vërtetë i këtij objekti. Transparenca është një efekt anësor më se i dëshiruar, edhe pse si fillim ajo nuk ishte një qëllim në vetvete. “Ajo ka dalë si pasojë e nevojës për të respektuar gjurmët e kohës. Ashtu siç fasada e xhamit në kënd thekson nevojën që ka për të ndërhyrë le të themi urgjentisht në rikuperimin e arkitekturës shqiptare, duke respektuar gjurmët e kohës”, - thotë arkitekti Miloti. Transparenca nuk shihet vetëm në raport me dhomën dhe botën jashtë, e cila shkrihet me intimitetin e dhomës, falë vetratës madhështore, por e takon edhe brenda dhomës, në mënyrën se si i është dhënë zgjidhje tualetit. Fakti që ky i fundit është transparent thekson faktin se kjo është një risi në arkitekturën tradicionale të kullave, pasi nuk gjendej tradicionalisht në çdo dhomë fjetjeje të saj. Mundësisht, në shumicën e rasteve gjendej jashtë mureve të kullës.

KULLA SHQIPTARE s’është vetëm një arkitekturë autoktone e zhvilluar ekskluzivisht nga arsyet e lartpërmendura apo ngadiçka tjetër; ajo mbi të gjitha është ‘t’kenunit’ shqiptar, të jetuarit ‘shqip’nisht’.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor