Pjata kryesore 13 Korrik 2019

Rukola nuk bëhet vetëm sallatë, provoni të përgatisni rizoto me të

Pjata kryesore

Nga Linda Fishta/Fotografia Armand Habazaj

Përbërësit për 4-5 persona: 360 g oriz Carnaroli • 300 g rukola • 2 kunguj të vegjël • 100 g djathë Parmigiano i grirë • 30 g fara pishe, arra ose bajame • 1 qepë e vogël • 1 thelb hudhër • 1 lugë gjalpë • 1 gotë verë të bardhë • lëng perimesh i valuar • vaj ulliri, kripë, piper.

Përgatitja: Në një tenxhere, skuqim qepën e grirë hollë, me gjalpin. Pa marrë akoma ngjyrë, shtojmë orizin, të cilin e skuqim për 2-3 minuta. E shuajmë me verë dhe kur kjo të ketë avulluar, shtojmë një garuzhdë lëng perimesh. E lëmë orizin të ziejë duke shtuar lëng të valuar sipas nevojës në momentin kur ka shteruar lëngu që kemi hedhur më parë. Ndërkohë, në një tigan me pak vaj ulliri skuqim kungujt e prerë në rrathë të hollë me hudhrën e shtypur. Këtë të fundit, e heqim kur të ketë marrë ngjyrë, ndërsa kungujt i lëmë në zjarr për 10 minuta afërsisht ose derisa të shohim që janë zbutur. I spërkatim me kripë e piper dhe i lëmë mënjanë. Rukolën, të larë, e përvëlojmë në një tenxhere me ujë të valuar me kripë, për 1 minutë. Nëse doni që ajo të ruajë ngjyrën e bukur jeshile, pasi ta hiqni nga uji i valuar, hidheni direkt në një tas me ujë të ftohtë me akull. Pas pak minutash, e kullojmë.

Në mikser, hedhim rukolën, kungujt, djathin, farat e pishës pak kripë e piper. I grijmë duke shtuar vaj ulliri pjesë-pjesë, duke e rrjedhur derisa të përftojmë një salcë kremoze (mund të shtoni pak lëng të valuar nëse nuk doni të shtoni shumë vaj). Heqim nga zjarri orizin e zier dhe e përziejmë me kujdes me peston, me lugë druri. E lëmë të pushojë 2 minuta dhe më pas e shërbejmë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor