Ëmbëlsira 11 Qershor 2019

Brownie me çokollatë të zezë dhe fruta pylli

Ëmbëlsira

Nga LINDA FISHTA/Fotografia ARMAND HABAZAJ

Brownie është një ëmbëlsirë tipike amerikane, megjithatë së fundmi është bërë aq e famshme sa mund ta gatuani kur dhe ku të doni. Linda ka përgatitur një version të thjeshtë, duke kombinuar shijen e mrekullueshme të çokollatës (ingredientit kryesor) me frutat e pyllit.

Koha e përgatitjes-15 minuta
Koha e pjekjes -20 minuta
PËRBËRËSIT për një tavë drejtkëndëshe 23x20 cm: 350 g çokollatë e zezë e grirë në thërrime të vogla, 160 g sheqer, 160 g gjalpë, 80 g miell Tip 00, 4 vezë, një majë thike kripë,  3 lugë pana e 3 lugë Mascarpone, 200 g fruta pylli të freskëta ose të ngrira.

PËRGATITJA: Ndezim furrën në temperaturën 180° C. Shkrijmë çokollatën në një tenxhere në banjëmari. E heqim nga zjarri dhe shtojmë gjalpin të prerë në kubikë, sheqerin, kripën, vezët, miellin dhe i përziejmë me shpejtësi me rrahësen e vezëve me dorë. Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e miell, trashësia e të cilit duhet të jetë jo më shumë se 3 cm. E pjekim për 20 minuta; brenda duhet të ngelet pak i lagësht. Më pas e lëmë të ftohet mirë përpara se të shpërndajmë kremin. Pak para se ta shërbejmë përgatisim kremin: përziejmë mirë me pirun Mascrpone-n që të bëhet më kremoz dhe e shpërndajmë me lugë mbi brownie, i vëmë  përsipër disa fruta pylli dhe e spërkasim me pak sheqer pluhur. Nëse do të përdorni pana dhe Mascarpone i rrahim të dyja me rrahësen elektrike, derisa të bëhen si krem.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor