Art Craft 8 Qershor 2019

Një buqetë me fruta për ty; a nuk është kjo dhurata më e bukur dhe e ëmbël që mund të bësh apo të marrësh?

Art Craft

Lulet mbeten dhurata e preferuar dhe nje nga idetë më romantike për t’i përcjellë ndjenjat një personi të dashur, por nuk besoj se ka mendim më të ëmbël sesa, të dhurosh një buqetë me fruta.

Ju kishte shkuar mendja për këtë lloj zgjedhjeje? Ndoshta jo, as mua në fakt, derisa një ditë u njoha me Marsida Bushin, autoren e Oazit Festiv dhe Oazit të Gjelbër, e cila më bëri të dashurohesha me kompozimet e saj. Marsi është nga ato zonja modeste, që mund të mos të të transmetojë shumë në një bisedë, por të lë pa fjalë me krijimet e saj. Ajo mund të mbyllet për orë të tëra duke kompozuar dhe ideuar dhurata shumë të veçanta.

Kështu i lindi edhe ideja për të formuar buqeta, ku në vend të luleve përdori fruta. Luleshtrydhet, rrushi, mollët, ananasi, frutat e pasionit e deri dhe avokadoja, mund të zënë vend shumë bukur në një buqetë. “Njerëzit i duan frutat, janë tërheqëse, joshëse, plot ngjyra dhe shumë të përshtatshme për të qëndruar në harmoni me delikatesën e luleve,” – shprehet Marsida. Nëse me një buqetë të thjeshtë mund të përcjellësh një mesazh, me një të tillë, të kompozuar me fruta, mund të përcjellësh shumë.

“Siç zgjedh një trëndafil të kuq për njeriun e zemrës, mund të zgjedhësh luleshtrydhen për t’i përcjellë asaj/ atij idenë që dashuria është e ëmbël dhe e shijshme njësoj si një frutë. Frutat e preferuara kthehen lehtësisht në buqeta, duke e bërë personin që i merr, t’i adhurojë dyfish dhe të ndiejë se përzgjedhja është bërë enkas për të,” - vijon të tregojë plot pasion realizuesja e këtyre ideve kaq të bukura dhe të veçanta, që provokojnë edhe fantazinë e klientëve.

“Në Oazën tonë, klientët përzgjedhin lule të veçanta dhe të rralla si vanda apo amarilis, por gjejnë edhe veten duke kërkuar kombinime të frutave ekzotike, të cilat sjellin një buqetë ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim. Përveç frutave si molla, portokalli, limoni apo kivi, të cilat mbushin zakonisht shportat në tryezat tona, ne bëjmë që një avokado, një ananas apo një frutë pasioni, të qëndrojë në harmoni me një tulipan apo cibidium,” - ndan Marsi për revistën Living. Ajo ka zgjedhur të bëjë art me gjëra që na rrethojnë përditë, që përmbushin shijet tona e që mund të ndahen me të tjerët. Ne shqiptarët e kemi traditë të dhurojmë fruta, por e ardhur në këtë formë, siç ka zgjedhur t’i shërbejë Marsi, ato vijnë si një buqetë që kënaq të gjitha shqisat. Një zgjedhje unike dhe e zgjuar që i shkon për shtat edhe shprehjes: “Dashuria kalon nga stomaku”.

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor