Shtatzania 8 Qershor 2019

Çfarë duhet të bëni dhe të mos bëni, që të rrisni shanset për të mbetur shtatzënë

Shtatzania

Më poshtë do të gjeni disa këshilla të thjeshta se çfarë duhet të bëni dhe të mos bëni, që të rrisni shanset për të mbetur shtatzënë:

Rekomandohet:

Të zgjidhni një mënyrë të shëndetshme jetese. Mundohuni të ruani një peshë të shëndetshme, përfshini aktivitetet fizike në rutinën tuaj të përditshme, konsumoni ushqime të shëndetshme, kufizoni përdorimin e kafeinës dhe shmangni stresin. Këto aktivitete do të jenë në të mirën tuaj dhe të foshnjës.

Të kryeni rregullisht marrëdhënie seksuale. Për çiftet e shëndetshme që duan të sjellin në jetë një fëmijë, nuk ekziston koncepti i seksit të tepruar. Për shumë çifte, kjo mund të jetë dëshira e tyre më e madhe.

Të kryeni marrëdhënie seksuale një here në ditë kur jeni pranë kohës së ovulimit. Në këtë mënyrë, gjasat për të mbetur shtatzënë janë akoma më të mëdha. Megjithëse përqendrimi i spermës së partnerit mund të bjerë pak, sa here që kryeni marrëdhënie seksuale, kjo rënie nuk përbën asnjë problem për meshkujt e shëndetshëm.

Të bëni kontrolle mjekësore para se të mbeteni shtatzënë. Mjeku do të kryejë një kontroll të përgjithshëm dhe do t’ju ndihmojë të bëni ndryshime në mënyrën e jetesës, të cilat do të rrisin shanset për një shtatzëni të shëndetshme. Kontrolli para se të mbeteni shtatzënë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm në qoftë se ju apo partneri keni probleme shëndetësore, të cilat mund të ndikojnë në procesin e shtatzënisë.

Informacioni është shkëputur nga libri "Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme" i sjellë në shqip nga BOTIMET LIVING

Librin e gjeni në çdo pikë shitje e librari të qytetit ku jetoni ose mund ta blini online KËTU

Për çdo porosi mund të na shkruani gjithashtu në profilet tona zyrtare në Facebook apo Instagram dhe libri ju vjen në shtëpi pa asnjë kosto shtesë

Nuk duhet:

Të stresoheni. Ndonjëherë të mbeteni shtatzënë mund të duket më tepër mundim sesa qejf. Përpiquni të mos stresoheni nëse nuk mbeteni menjëherë apo edhe pasi e keni provuar dy a tri herë. Madje, edhe në kushte tepër të favorshme, shanset për të mbetur shtatzënë janë rreth 50 për qind. Pjesa më e madhe e çifteve të shëndetshme, edhe pse kryejnë shpesh marrëdhënie të pambrojtura seksuale, e arrijnë shtatzëninë brenda një viti.

Të pini duhan. Duhani ndryshon mukozën e qafës së mitrës, e cila mund të pengojë bashkimin e spermës me vezën. Duhanpirja mund të rrisë rrezikun e abortit, ndikon për keq në peshën e fetusit, si dhe pengon zhvillimin e tij, furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Nëse pini duhan, kërkojini mjekut që t’ju ndihmojë të hiqni dorë prej tij para se të mbeteni shtatzënë. Për të mirën tuaj dhe të familjes, hiqni dorë njëherë e mirë.

Të pini alkool. Alkooli mund të ulë fertilitetin dhe nëse arrini shtatzëninë e dëshiruar, ai mund të jetë i dëmshëm për fetusin.

Të merrni mjekime pa miratimin e mjekut. Disa mjekime, madje edhe ato që mund të jepen pa recetë, mund ta vështirësojnë arritjen e një shtatzënie. Ndërsa ka mjekime të tjera, të cilat mund të mos jenë të sigurta, në rast se jeni shtatzënë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor