Letra 30 Maj 2019

''Dua t'i lë flokët e mi kujtim, vetëm kaq më ka mbetur" historia e 22-vjeçares që zbuloi se kishte kancer 2 javë pas lindjes

Letra

Tyla Livingstone nuk e kishte çuar kurrë në mendje të bëhej mama në moshën 20-vjeçare, e megjithatë kur kjo gjë ndodhi e dinte shumë mirë se ç’duhej të bënte. Por brenda trupit të vajzës së re skoceze nuk rritej vetëm një jetë e re, por edhe një tumor të cilin mjekët e pikasën vetëm pak javë para se Preston, djali i saj dyvjeçar të vinte në jetë.

‘’Në javën e 36-të të shtatzënisë fillova të kisha dhimbje të forta koke, marramendje e shpeshherë edhe të vjella. Mendoja se ishte ndonjë virozë kalimtare dhe nuk i kushtova rëndësinë e duhur, aq më tepër që drejt fundit të shtatzënisë dhe asokohe më interesonte vetëm lindja e Prestonit. Por me kalimin e ditëve dhimbjet sa fillonin e shtoheshin, fillova të shfaqja probleme me ekuilibrin, por nuk doja të bëja asnjë ekzaminim mjekësor pasi kisha frikë se mos ndikonin tek ecuria e shtatzënisë dhe lindjes. Dy javë pasi u bëra mama mori lajmin më të paimagjinueshëm, ndoshta më fatkeqin që mund të marrë një nënë: kisha glioblastomë, një tumor malinj i cili rritej në lobin e majtë frontal.

Pasi iu nënshtrua ekzaminimeve specifike, mjekët  ‘’Royal Victoria Hospital” i dhanë edhe goditjen e dytë mamasë së re: sëmundja e saj ishte terminale dhe se i kishin ngelur vetëm 4 deri në 5 vite jetë.

'’Kur mjekët më thanë të vërtetën, ndjeva që një pjesë e imja vdiq atë ditë në atë spital. Gjatë gjithë kohës mendoja vetëm për tim bir. Është ende i vogël dhe ka aq shumë nevojë për mua, nuk mund ta lë dot vetëm, ndonëse nuk mund të bëj asgjë për të ndryshuar fatin tim. Kam filluar që tani t’i shkruaj kartolina për ditëlindjet kur nuk do të jem më, Krishtlindjen, ditën e pagëzimit. Dua që ta dijë se unë nuk doja ta lija vetëm, se për mua është bekim që jam nëna e tij. I kam lënë në një zarf një pjesë të flokëve të mira para se të bëja kimioterapinë e parë. Dua që ai të ruajë diçka nga unë, ndoshta një kujtim që s’do ta harrojë kurrë”-përfundon rrëfimin vajza 22-vjeçare.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor