Personazh 24 Maj 2019

“Deri dhe gishtat e këmbës i kanë njësoj..." Ben Derhemi rrëfen marrëdhënien e veçantë që ka me të bijën Darlin

Personazh

Ben Derhemi nuk është vetëm një nga aktorët më të mirë shqiptarë, por njëkohësisht, edhe një nga baballarët më të përkushtuar, çka e dëshmon jo vetëm bashkëshortja, Iva Korumi, por dhe ajo marrëdhënie e mrekullueshme, dëshmitarë të së cilës ishim gjatë realizimit të fotove. “Jam grua me fat”, thotë Iva, teksa jemi duke pirë një kafe pranë ish Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Ajo punon për Save the Children e për shkak të punës, i duhet të lëvizë here pas here, brenda dhe jashtë vendit. “E lë Darlin me Benin pa frikë, pa merak, se ai di të kujdeset për të në mënyrë të përsosur... E ushqen, e vë në gjumë, i lexon përralla, e lan, e ndërron. Ata argëtohen shumë kur nuk jam unë në shtëpi dhe bëjnë plot gjëra bashkë”.

“Babi gatuan gjëra të mira për mua”

Ndryshe nga ç’mund të mendohet, Beni gatuan më mirë se Iva. Ajo pranon se në fakt shumë receta e gatime i ka mësuar pikërisht prej tij. I shoqi është shefi i shtëpisë dhe Darlin ia pëlqen recetat. “Pastiçon time e do më shumë nga të gjitha”, thotë Beni, i vetëdijshëm se edhe dashuria për babin kalon nga stomaku. “I pëlqen edhe si e gatuaj biftekun. Edhe në këtë pikë më ka ngjarë mua, se Iva nuk e ka qejf mishin”.

“I ngjaj babi Benit në gjithçka”

Iva thotë: “Deri dhe gishtat e këmbës i kanë njësoj... Duart, këmbët, trupin. Fizikisht Darlin i ngjan të atit, por është edhe e ëmbël, e zgjuar si unë (qesh). Ky është momenti kur plas “sherri” në familje”. Beni shton me shaka: “Iva e ka mbajtur nëntë muaj në bark, ndaj përpiqem t’ia bëj qejfin, duke i thënë se i ngjan për këtë apo atë gjë”. Nuk ka situatë më të lezetshme se të shohësh dy prindër që “zihen” se kujt i ngjan më shumë fëmija.

“Jam aktore e lindur... si babi”

Një nga gjërat më të këndshme të Darlinës, që Benin e lumturon, është shkathtësia, si dhe zgjuarsia e saj. Ka mimika të papara e batuta që s’të besohet se dalin nga goja e një fëmije. “Para pak ditësh”, tregon Beni, “ndodhte të dilja nga shtëpia në orën 7 të mëngjesit, të kthehesha në 12 të natës dhe vajzën e gjeja në gjumë. Zakonisht, më pret zgjuar dhe sa më sheh të hyj në derë, vjen me vrap nga krevati të më përqafojë. Në këtë mënyrë, gjen pretekst për të mos fjetur, por edhe çmallet me mua, sepse është mësuar që kalojmë shumë kohë bashkë. Mirëpo, nja dy ditë s’ishim parë fare dhe ditën e tretë, sa hap derën, nuk erdhi si zakonisht me vrap për të më takuar, por mori një pamje mospërfillëse dhe tha: ‘Ua, Iva, erdhi ky burri! Si e ka emrin ky, se ia kam harruar?’ Na la gojëhapur”. Këtë batutë e shoqëroi me një mimikë në portret e një lëvizje duarsh që është e pamundur të përshkruhet. Si aktore.

“Jam e zgjuar, si babi Beni”

Të fortat e Darlinës s’kanë të mbaruar dhe është e pamundur që Beni, si babai i saj, të mërzitet ndonjëherë. Lë çdo ditë nga një të batutë dhe ka diçka për t’u treguar, diçka për të qeshur. Për shembull, duke qenë se nuk e ka qejf gjumin, u thotë edukatoreve në kopsht: “Unë nuk fle, se kam alergji nga gjumi”. Dëgjonte fëmijët e tjerë që thoshin jo “kam alergji nga veza”, nga pluhuri, nga polenet dhe sajoi kështu “alergjinë nga gjumi”. Një histori që e ka bërë të famshme në kopsht, me shokët, shoqet dhe edukatoret.

“Babi më mëson shumë gjëra”

Një detaj tjetër që lidhet me Darlinën është se Beni dhe Iva e marrin kudo me vete. Sa herë udhëtojnë brenda apo jashtë Shqipërisë, ajo është me ta. “Darlina është gjashtë vjeçe e gjysmë dhe ne kemi bërë vetëm 2-3 rrugë pa të, se kanë qenë të lodhshme për një fëmijë. S’kemi bërë kurrë pushime vetëm”, thotë Iva. Gjatë rrugës, vogëlushja është kureshtare e pyet për çdo gjë. Benin, sigurisht. Edhe kur përgjigjet Iva, ia kthen: “Mami, e di babi atë punë, ti s’di gjë”. Ka një besim të jashtëzakonshëm tek i ati. Dhe ai kurrë nuk e zhgënjen. Meqë ka dubluar dokumentarë, ka më shumë informacion se Iva në lidhje me vendet apo kafshët. Beni ka thënë njëherë me shaka se është drejtor dhe Darlina, e gëzuar që e ka babin njeri të rëndësishëm, i thotë së ëmës: “Rri urtë ti, babi i di më mirë këto punë, se është drejtor”.

“Surpriza më e bukur për babin”

E pyes Benin si u ndje kur mori vesh se do të bëhej baba dhe ai më përgjigjet se frika e imagjinuar e një burri është e tepruar. Sigurisht, të kesh një fëmijë s’është e lehtë, por nuk është as aq e vështirë sa ç’e imagjinojnë meshkujt. “Tani që e kam hedhur këtë hap, u them shokëve më të rinj se unë që ta bëjnë sa më shpejt një fëmijë, se do të përjetojnë gjëra që s’i kanë përjetuar kurrë. Ne nuk e dimë a jemi gati për të hedhur këtë hap, ndihemi të pasigurt; duam t’u ofrojmë më të mirën brezave që vijnë, por Shqipëria është vend i pasigurt në këtë drejtim. Imagjino një njeri si puna ime, që ka interpretuar 45 role në teatër, 10-15 role në filma të ndryshëm, një jetë të tërë duke dubluar dokumentarë apo filma e sërish, ndihet i pasigurt financiarisht. Për t’i siguruar vajzës ato çka i duhen, unë merrem me gjithçka. Së fundi, po bëj një projekt të madh. Leximin e dublimin e Kuranit në shqip. Një super punë voluminoze”.

“Babi më ka treguar kufijtë”

Një ndër gjërat që babi Beni i meson së bijës është ekonomia. Ai dhe Iva i plotësojnë çdo dëshirë Darlinës, por e kanë rritur dhe edukuar me idenë se burimet materiale s’janë të pafundme, duhen menaxhuar mirë. “Ne kuptohemi me njëri-tjetrin, pa rregulla, kemi një alkimi të mirë. Ajo e shikon sa lodhem për t’ia plotësuar të gjitha”, thotë Beni, teksa Iva shton: “Darlina nuk është një fëmijë egoist. Është mirënjohëse për çdo përpjekje tonën. Bëjmë çmos që t’ia plotësojmë dëshirat, por jemi me këmbë në tokë dhe e kemi edukuar dhe atë kështu. Kur marrim rrogën, e di se gjëja e parë që blihet është një lodër për të, por nuk mund të blejmë dhjetë lodra”.

“Babi sillet mirë, edhe kur gaboj”

Kjo urë komunikimi që Beni ka vendosur me të bijën, ka bërë që marrëdhënia mes tyre të mos degradojë asnjëherë në dhunë verbale, sepse fizike as që bëhet fjalë. Ai s’e ka goditur kurrë Darlinën, pasi mendon se dhuna sjell dhunë. Por edhe në familjen e tyre ka pasur raste ku janë rrëmbyer nga emocionet: “Kur ishte dy vjeçe, ajo u mërzit me ne të dy. Dhoma ku rrinim  atëherë, te shtëpia e prindërve, ishte në kat të dytë. Hipi në dritare, nxori këmbët nga jashtë dhe u ul te parvazi. Për ne kjo pamje ishte e tmerrshme. Nuk i folëm, që të mos e trembnim. Iva iu afrua ngadalë dhe e kapi. Për orë të tëra pas këtij episodi neve na dridhej trupi”.

“Babi është shoku im i lojës”

Darlina ka qejf të luajë me Benin, sidomos shah dhe domino. “Unë e lë gjithmonë të fitojë dhe ajo shkrihet nga kënaqësia. Tani është fiksuar me shahun. Më kërkon çdo darkë të luajmë. Luan ashtu, pa rregulla, por unë bëj sikur nuk kuptoj. “S’e kam problem të të mund ty”, thotë dhe pastaj, duke pare nga Iva: “Shiko ç’i bëra këtij”. Beni s’i ka qejf çokollatat, ndërsa Iva po dhe Darli i ruhet asaj, se ia mbaron. “Një nga ‘lojërat’ tona të preferuara është kur gjejmë një vend sekret për të fshehur çokollatat nga mami”, thotë Beni.

“Shkrihem kur babi më lexon përralla”

Të kesh një baba aktor do të thotë të kesh një lexues të mirë përrallash. Dhe unik. Beni jo thjesht ia lexon Darlinës kryeveprat e Andersenit, por i shndërron në shfaqje të vogla teatrale. Ajo shkrihet kur interpreton zërat e personazheve, shpesh edhe në mënyrë humoristike, për shembull, i bën me dialekte. Në marrëdhënien mes të dyve, ky është një prej çasteve më të bukura, që Darlina me siguri do ta ruajë përjetë në kujtesë.

Shkëputur nga revista Living nr:20 Nga Gentian Minga | Fotografia: Armand Habazaj | Flokët dhe grimi: Gresa Kotri

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor