Aktualitet 22 Maj 2019

''La" gruan në altar për t'i shpëtuar jetën 60-vjeçares, kush është djali nga Fieri i shpallur ''hero" nga shtypi italian

Aktualitet

‘’Dy martohen,100 tërbohen!” thotë një shprehje popullore, mirëpo pasi të mësoni gjestin e Sokol Berishës, djaloshit nga Fieri i cili së fundmi është kthyer në heroin e ditës për italianët, nuk do të hezitonim aspak nëse shprehjes së mësipërme t’i shtonim pjesën ‘’një jetë shpëtohet”. Supozohej të ishte dita e tij më e lumtur, e për fat të mirë ashtu ndodhi, por pak minuta pasi mori ‘’Po-në’’ e shumëpritur në altar, doktori shqiptar ‘’la” gruan e tij për t’i ardhur në ndihmë një pacienteje, një turiste 60-vjeçare që rastësia apo ndonjë forcë fati e pashpjegueshme e kishte çuar në vendin e duhur.

I riu shqiptar, mjek  në ‘’ Ospedale Santa Maria della Misericordia’’ në Perugia, vrapoi menjëherë pranë gruas gjermane dhe arriti ta kthente në jetë, duke përdorur defribilatorin e kishës ‘’San Francesco d’Assisi”, ku ishin mbledhur miqtë dhe familjarët e tij. Pasi lajmëroi ambulancën e qytetit, Sokoli nuk hezitoi që të shkonte në spital bashkë me bashkëshorten e tij për t’u informuar nga afër rreth gjendjes së saj. Lajmi është shpërndarë menjëherë në shtypin italian, ku komentet pozitive kanë vërshuar lumë.

Për fat të keq kohët e fundit dëgjojmë rëndomtë për përfshirjen e shqiptarëve në aktivitete kriminale, ndaj një lajm i tillë nuk ka sesi të mos na gëzojë. Urime doktor Sokoli dhe të trashëgohesh!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor