Personazh 8 Maj 2019

"Nuk jam aq e pasur sa të blej gjëra të lira" Jerina Lalaj një adhuruese perlash

Personazh

NGA: ELONA JAÇELLARI/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Pak zonja si Jerina Lalaj mund të takosh në Tiranë. Nuk gjen asnjë rast të vetëm, ku CEO e “J.L Consulting” të  mos paraqitet shik. Godet gjithmonë me praninë e saj dhe më duhet të them se në linjën e saj të modës i qëndron besnike klasikes. Një shembull i mirë i kësaj janë perlat, klasiket e përjetshme. Jerina ka një koleksion të çmuar të tyre, të cilin për herë të parë e ndan me revistën "Living". Thotë që është shumë xheloze për të, ndaj dhe nuk i pëlqen ta tregojë. “I vlerësoj shumë perlat, sepse janë një objekt dëshire dhe më bëjnë të lumtur. Më falin humor të mirë sa herë që i vendos. Më përcjellin perfeksionin, personifikimin e feminitetit, të diçkaje ekstremisht të bukur, prandaj identifikohem shumë mirë me to”, - nis të tregojë Jerina, sapo na shkyç këtë koleksion të çmuar. Ashtu siç çmon perfeksionin te perlat, ashtu edhe natyra e ka ndërtuar përsosmërisht portretin dhe shtatin e saj të lartë e plot hire. Sot, në këtë pritje të veçantë, në nder të perlave të saj, ajo i ka derdhur shtatit një elegancë, të cilën ka zgjedhur ta dekorojë në krye me një perlë shumë fine, varur në qafën e saj.

Jerina më thotë se ajo është perla e saj e preferuar. “Është një dhuratë shumë e shtrenjtë: një perlë deti natyrale, me një diametër pothuajse perfekt. Përveç vlerës së jashtëzakonshme që ka si objekt, ka edhe vlerë të madhe shpirtërore për mua. Ma kanë dhuruar për ditëlindje dy shoqet e mia të ngushta, të cilat janë me mua në çdo hap dhe kjo varëse përfaqëson mbajtjen e tyre pranë meje.” Koleksioni i Jerinës më lë pa fjalë, e po aq edhe pasioni me të cilin ajo flet për secilën prej bizhuterive. Më tërheq vëmendjen një gjerdan voluminoz me perla të zeza të kultivuara, të dekoruara me një kapëse vintazh, e gjitha në diamante.

Atë, Jerina e ka të rezervuar për darka a ngjarje shumë speciale. Nuk mund të mungojë kurrsesi në koleksion, gjerdani klasik me perla natyrale, me diameter perfekt. Por shumë variante të perlave në koleksionin e Jerinës vijnë në trajta modern dhe ekstravagante. Tepër e veçantë është një unazë e kombinuar me vëthët. Ata mbajnë një perlë të kultivuar, por shumë të rrallë në llojin e saj, sepse ka formë të shtypur. Përreth, perla dekorohet me diamante të vogla, çka e bëjnë edhe më të çmueshme dhe të veçantë. “Jam mësuar që të bëj investime të mira në jetë dhe e besoj atë që thonë anglezët që, nuk jam aq e pasur sa të blej gjëra të lira.

Kështu, mundohem që në koleksionet e mia të kem gjëra të vlefshme, të cilat pse jo, t’i trashëgoj një ditë”, - shprehet Jerina, ndërkohë që vijon të tregojë plot pasion se është shumë e lidhur shpirtërisht me të gjitha bizhuteritë. “Ato më lidhin me njerëz dhe vende. Të gjitha kanë një arsye pse janë me mua, rrugëtojnë me mua, dhe rrinë në gardërobën time. Kam të njëjtën dashuri për të gjitha, sepse në momentin që i përdor, më transmetojnë një domethënie të caktuar.” Këtë ndjesi e ka përjetuar që kur vendosi perlat e saj të para. Ishte vetëm 17 vjeçe kur mori këtë dhuratë të çmuar, e cila e bëri të ndihej menjëherë e rritur. “Dikur mendoja që perlat kërkojnë një moshë të caktuar, por tani nuk mendoj kështu. Kur i vendosa për herë të parë, zbulova që perlat ishin një aksesor që mund t'u vishje personalitetin tënd.

Kështu, vendosa të mos ndahesha më prej tyre.” Nisi kështu të merrte udhë krijimi i një koleksioni të madh e të çmuar i kësaj bizhuterie femërore pa kohë, por frymëzimin për të qenë një zonjë klasi Jerina e kishte marrë më herët, nga nëna e saj. “Kur nëna ime vinte gjerdanin e perlave, dihej që ishte gjithmonë për një rast special. E shihja që ishte aq e lumtur dhe mendoja se një pjesë e lumturisë së saj vinte prej perlave që kishte në qafë. Mendoja që, kur të rritesha, do të kisha një palë perla si ajo dhe si rrjedhojë edhe sytë e qeshur, njësoj si ajo.” Jerina i trashëgoi sytë e qeshur të së ëmës, por asnjë palë perla prej koleksionit të saj. Të sajin e ka krijuar vetë dhe thotë që, nëna e saj, aq shumë e dashuruar pas perlave, njësoj si edhe vetë ajo, nuk ka dashur ta shkëpusë këtë copë lumturie nga vetja. Ka raste kur shkëmbejnë perlat me njëra-tjetrën, por ato kthehen përsëri në koleksionin ku përkasin. Jerina është ajo që sot kujdeset që të shtojë perlat, jo vetëm në koleksionin e saj, por edhe të nënës. Nga udhëtimi i fundit në Shangai, ajo u kthye me shumë syresh në valixhe, për mamin, motrën dhe shoqet e saj. Perlat janë pasioni i saj, dashuria, përmbushja e saj femërore, ndaj blen sa herë të ketë mundësi, veçanërisht gjatë udhëtimeve nëpër botë. “Jam e matur në blerje, por besoj që bëj blerje të mira. Mundohem të shpenzoj për gjëra që kanë një vlerë të caktuar dhe që mund t’i mbijetojnë kohës. Nuk para jam shumë e dhënë pas bizhuterive të modës së viteve të fundit, por përpiqem që të mbaj pjesë të rëndësishme në gardërobë.” Kriter në momentin përzgjedhës për Jerin, është bukuria, por edhe emocioni që perlat i transmetojnë në atë moment të pare pikëtakimi. Për këtë arsye, ajo e ka ndërtuar pothuajse vetë të gjithë koleksionin e perlave të saj.

Sigurisht që nuk mungojnë dhuratat. “Çdo zonjë duhet të ketë një palë perla në gardërobë. Përveç faktit që e bëjnë të ndihet në feminitet absolut, dikur vargjet e tyre kanë qenë edhe një tregues i fuqisë blerëse të admiruesit apo propozuesit. Këto janë mite që me kohën kanë kaluar. Unë i konsideroj thjesht aksesorë që më bëjnë të lumtur”, - shprehet Jerina, ndaj atë nuk e gjen asnjë ditë pa perla. I kombinon me gjithçka, me sport dhe veshje shik, edhe pse përgjithësisht bionden e ëmbël dhe sensuale e gjen në këtë stilin e fundit. Jerina ka punuar për më shumë se 15 vite në televizion, në sektorin e marketingut dhe shitjeve. Profili i saj i ka përkitur gjithmonë backstage-it, edhe pse do të kishte qenë personazh shumë i dashur, nëse do të kishte zgjedhur ekranin. Kjo nuk e ka penguar Jerin, të jetë një model imazhi për rrethin e saj të gjerë.

“Kujdesem për veten çdo ditë, nuk kam gjetur asnjë shok më të mirë se vetja për këtë, kështu që e bëj pa u lodhur dhe me shumë kënaqësi. Takimet e punës kanë një rëndësi të veçantë dhe nevojitet një gardërobë e veçantë, por edhe në ditët më sportive përpiqem të jem e kënaqur me veten. Sapo dal nga shtëpia për në zyrë, mund të takoj klientin e radhës, kështu që nuk do të ishte korrekte nga ana ime të mos isha në formën e duhur.” Sipas gjendjes dhe humorit të ditës, specialistja e marketingut kombinon edhe perlat me veshjet e saj. Ato janë manifestimi i anës së saj më perfeksioniste dhe femërore, dhe si besnike e klasikëve, pa perlat nuk do të kishte jetë gardëroba e saj. Madje edhe perlat duket se marrin një formë tjetër jete kur vendosen mbi lëkurën e saj delikate. Perlat konsiderohen një element i domosdoshëm për t’u patur nga çdo femër, por jo të gjitha kanë klasin për ta përcjellë si duhet këtë must, me të njëjtin sharm e rrezatim si Jerina Lalaj.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor