Nutricionistja Diola Dosti bën publike videon plot puthje e prekje me partnerin e ri
Prej disa kohësh si një nënë beqare dhe super elegante, padyshim dhe e bukur, nutricionistja Diola Dosti nuk pengohet nga asgjë t&eum...
Nga Zhaklin Lekatari
Dastidin e zbulova krejt rastësisht, në Instagram, duke lëvizur me një prekje të shpejtë dhe të shkujdesur ekranin, ku dilnin foto profilesh, aforizma, fraza e fytyra. Dastidi, me pamjen e tij prej hyjnie greke, m’u duk si Apoloni, zoti i dritës, arsyes, artit dhe profetizmit, ose të paktën siç e kam imagjinuar unë Apolonin. Një analyze e shkujdesur e profilit të tij, tregon një djalosh të ri, të bukur, me foto nga vende të ndryshme në botë. Ajo çka e bëri Dastidin edhe më të veçantë në sytë e mi, ishin pa dyshim fotot e tij me fëmijë, në një vend njëherazi të pasur dhe të varfër si Afrika. Pasi e kontaktova me shpejtësi, me frikën se dikush mund të ma “vidhte” zbulimin më të fundit, kuptova që njeriu mund t’i ketë të gjitha: të jetë i bukur brenda dhe jashtë dhe të ketë një fytyrë dhe shpirt të rrallë. Dastidi është pikërisht mishërimi i gjithë kësaj.
Dastidi ka lindur në Mitrovicë, qytetin e ndarë në dy pjesë, por vatër talentesh dhe personalitetesh. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi po atje, ndërsa studimet për arkitekturë, sepse është arkitekt, i filloi në vitin 2007 në Universitetin e Prishtinës. Gjatë përfundimit të studimeve u bë pjesëtar i ekipit për projektimin e masterplanit Prishtina 2012-2022. Pikërisht aty mori rrugë dhe interesi i tij për projektimin e qyteteve, sidomos të dy qendrave botërore Nju Jork dhe Tokio; dy qytetet e para me popullsi 20 milionë banorë që në vitin 1950. Kështu, duke parë që Nju Jorku nuk ishte një risi për të, ai filloi të hulumtonte mundësi për të vizituar Tokion. Pas disa përpjekjesh, aplikoi në një program kërkimi shkencor, në të cilin u pranua.
Në vitin 2013 Dastidi shkoi në Universitetin e Tokios në Japoni, fillimisht për një periudhë 6-mujore në programin që kishte fituar dhe më pas për studimet master. Jeta në Japoni i la mbresa të mëdha. Në fakt, suksesin atje Dastidi e përjetoi menjëherë pas studimeve master, tema e të cilave ishte: “Planifikimi dhe dizajni urban në Tokio”. Sugjerimet e tij jo vetëm që u morëm parasysh, por u implementuan nga Tokio. Kështu, me një fitore në xhep, Dastidi nisi doktoraturën, po në Universitetin e Tokios, por këtë herë, duke u përqendruar te projektimet e kampeve të refugjatëve. Tanimë, ai ka 6 vjet që jeton atje.
KUR E PYES SE SI ËSHTË JETA ATJE, DASTIDI THOTË: “Jeta në Japoni është ndryshe, as më e mirë dhe as më e keqe, thjesht ndryshe”. Sipas Dastidit, Tokio është një nga qytetet më të sigurta në botë, të paktën ai rrallë e mbyll derën e shtëpisë. “Është e vështirë ta njohësh deri në fund një qytet me 38 milion banorë, me një jetë dinamike, me stres, orare të tejzgjatura pune dhe me rregulla strikte”, - përfundon ai. Ndoshta ai udhëton aq shpesh, sa shtëpia e tij nuk është as Tokio, as Mitrovica e as Kosova, por bota. Ajo çka më bën më shumë kureshtare në historinë e Dastidit, kozmopolitit, i cili ka punuar gjithashtu si model në Japoni dhe SHBA për një periudhë kohe, është pa dyshim kalimi nga një jetë plot shkëlqim, adhurim, projektorë e foto, në projekte për shtresa të margjinalizuara, siç është ajo e refugjatëve. Dastidi thotë se çdo gjë filloi në vitin 2016, në qytetin e Selanikut, ku u ftua të udhëhiqte një workshop me studentë të rinj, i cili quhej “EcoWeek”, në lidhje me krijimin e hapësirave publike, i ngjashëm me atë të implementuar në Tokio. Në atë kohë, pra, në vitin 2016, Greqia ishte duke u përballur me fluksin e madh të refugjatëve nga Siria, dhe pikërisht për këtë arsye Dastidi kishte kërkuar zbatimin e hipotezave në një kamp refugjatësh në Lagadhiki, në periferi të Selanikut.
Në bashkëpunim me komunën e Selanikut, Universitetin e Selanikut, dhe institucionet shtetërore, ekipi analizoi dhe riprojektoi kampin e refugjatëve në periferi të po këtij qyteti. Projekti u mirëprit nga organizatat joqeveritare, të cilat menaxhonin situatën e refugjatëve dhe ky sukses tjetër bëri që Dastidi të vendoste që tema e tij e doktoraturës të kishte lidhje pikërisht me këtë tematikë. Kur e pyes për Kosovën, nëse shkon shpesh atje, apo nëse e merr malli, më thotë se gjatë kohës që ishte në Greqi, e ka vizituar më shpesh atë. Të them të drejtën, më pëlqen ky sinqeritet, kjo dashuri për veten apo ambicie për të ecur përpara dhe për ta jetuar jetën si kozmopolit dhe jo të zhytet në kujtime apo rrënjë që të thithin dhe të kthejnë me forcë në origjinë, si një dëshmi dashurie. Kështu, jeta e Dastidit mori një drejtim dhe synim të caktuar: fisnik, human, elitar. Pas projektimit të planit urbanistik në Prishtinë dhe Tokio, ai u bë pjesë e ekipit për rikonstruktimin e qytetit të Fukushimës, i shkatërruar ngatërmeti i vitit 2011
Ndërkohë, një projekt tjetër që më la pa fjalë është ai i Kakumas, që është kampi më i madh i refugjatëve në botë, në Kenia. Në këtë kamp jetojnë deri në tre breza apo gjenerata të një familjeje, çka do të thotë që ka individë që kanë lindur aty dhe që nuk njohin asgjë jashtë kampit. I vendosur në mes të shkretëtirës dhe me një popullatë prej afro 200 mijë banorësh apo refugjatësh, Kakuma është i veçantë në llojin e tij. Këtu Dastidi hulumton për të përmirësuar kushtet e jetës së refugjatëve dhe të forcojë lidhjet mes tyre, ndoshta sepse duke qenë me origjinë nga Kosova e ka shumë të qartë se si është jeta për një refugjat apo për dikë që zvarritet dëshpërimisht mbi pasqyra.
Pa dyshim që edhe projekti i Kakumas ka përkrahje nga qeveria japoneze, sikurse dhe nga MOU dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara. Kur e pyes Dastidin se cilat janë ëndrrat apo planet e tij afatmesme, ai tregohet shumë serioz dhe njëkohësisht human në përgjigje. “Puna akademike ka shumë rëndësi dhe do të punoj vazhdimisht derisa të arrij atë që dua, - thotë ai. - Më pas dua të zgjeroj projektet e mia dhe të kem mundësi të ndihmoj në vende si Somalia, Haiti, apo Bangladeshi”. Ndoshta jam pak skeptike për çdo përgjigje, por Dastidi është konciz, i thjeshtë, me këmbë në tokë, me sens pozitiv dhe logjikë, sikur të mos jetë i vërtetë. Kur flet për prindërit, raportin që ka me ta dhe për rëndësinë që kanë patur ata në formimin dhe zhvillimin e tij, ndonëse tani komunikojmë online, edhe unë ndiej dashurinë dhe mirënjohjen e tij.
Pavarësisht se nga ana intelektuale thotë se ka patur ndikime nga të dy, nga i ati ka marrë shpirtin luftarak, ndërsa nga nëna, atë të estetikës, dashurisë për trupin, sportin apo për të bukurën në përgjithësi. Sepse Dastidi jo vetëm ka punuar si model, por i pëlqen edhe fotografia. Ai lexon për shkencat njerëzore, evolucionin, psikologjinë, filozofinë, dhe kur e pyes se çfarë është lumturia, më thotë se është rrugëtimi drejt objektivave. Gëzuar dhe dhuroni dashuri si Dastidi ynë!
Prej disa kohësh si një nënë beqare dhe super elegante, padyshim dhe e bukur, nutricionistja Diola Dosti nuk pengohet nga asgjë t&eum...
Pashka (ose edhe Pashkët) është festa (e kremtja) më e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave t&eum...
Pluhuri saharian i cili mbërriti në Shqipëri që prej mëngjesit të ditës së djeshme dhe që pritet të zgjas&eu...