Personazh 4 Maj 2019

SHËRIMI QË VJEN NGA LULET; Irene Sforzina, natyropatja që beson në magjinë e luleve

Personazh

NGA: ELONA JAÇELLARI/ FOTOGRAFIA: MEDEA MILO

Kush më pak e kush më shumë, të gjithë kemi një lloj dashurie për lulet. Sigurisht që këtë ndjesi e lidhim me bukurinë që këto bimë kanë, dhe në disa raste edhe me aromën e mirë të lules së preferuar, por a e dini që kjo e luleve është nga ato dashuritë shëruese në plot kuptimin e fjalës? Ky është një fakt i pranuar dhe i provuar edhe shkencërisht. Natyropatët këtë e quajnë luleterapia, e cila bazohet në përdorimin e esencave të tyre.

Metoda e parë e terapisë me lule që është zbuluar dhe bërë e njohur, është ajo e “Luleve të Bakut”, zbuluar nga Eduard Baku në vitet 1930, por nuk është shfrytëzuar në mënyrë të mirëfilltë për vetitë e shumta që ka. Kështu, vetëm në fundin e viteve 1900, studiues të tjerë u thelluan dhe hulumtuan më tej për studimet e doktor Bakut. Një terapist tjetër i shkëlqyer është Jan Uajt, i cili zbuloi 69 esenca lulesh e bimësh që rriten në florën australiane. Janë elemente që i vijnë shumë në ndihmë aspektit fizik, por edhe riekuilibrimit të njeriut në nivel psiko-emocional, ndaj edhe në mesin e natyropatëve, gjen përdorim të shpeshtë. Irene Sforzina është një prej tyre. Ajo është një vajzë italiane, që i ka dedikuar vite të tëra studimesh kësaj dege. Irene vlerëson se aromaterapia është një nga degët më të vyera të fitoterapisë, një metodë terapeutike që ka për bazë esencat vajore. “Esencat vajore kanë ndikim shumë të madh në riekuilibrimin e sistemit nervor, - shpjegon natyropatja. - Informacioni prej shqisës së nuhatjes përcillet në mënyrë shumë të shpejtë në sistemin nervor, sepse përcillet menjëherë nga shqisat, kjo për arsye se nuk i nënshtrohet përpunimit logjik.

Esencat vajore mund të përdoren për lëkurën në formë kremrash, por edhe në funksionin e tyre primar, stimulimin e nuhatjes. Po ashtu, mund të hidhen në ujin e vaskës. Ka metoda nga më të ndryshmet për përdorim. Unë bëj një masazh që quhet “masazhi aromatik” dhe që përfshin një kombinim të mjekësisë tradicionale kineze me aromaterapinë. Për sa u përket simptomave fizike, unë e nis punën me riekuilibrimin e organizmit, duke kryer një pastrim të thellë dhe duke përdorur ndonjë lloj gemoderivati, përmes fitoterapisë. Kjo, për sa i përket aspektit fizik. Synimi është riekuilibrimi i organizmit në përgjithësi.” Shumë prej personave që drejtohen për terapi në klinikën e Irene-s, kanë probleme me sistemin tretës, stomakun dhe zorrët, janë persona që vuajnë nga cervikali, dhimbjet kronike të kokës etj., por ka edhe persona që vuajnë nga shqetësimet psiko-emocionale, që shfaqen me pagjumësinë, e më pas kalojnë tek ankthi, demoralizimi dhe depresioni. Nuk ka një mjekim të përgjithshëm për pacientët dhe as protokolle standarde për t’i trajtuar ata, sepse Irene thotë që secili prej nesh është unik dhe duhet analizuar me 360 gradë nga natyropati. Sigurisht që nuk ekzistojnë as terapi apo mjekime magjike, që zgjidhin çdo gjë brenda ditës apo javës. Personi duhet të ndërgjegjësohet se sa e rëndësishme është nisja e një rrugëtimi

IRENE SFORZINA NATYROPATJA QË BESON NË MAGJINË E LULEVE

33-vjeçarja italiane është diplomuar prej pak kohësh në fushën e natyropatisë. Më herët ajo ka studiuar për letërsi, por brenda pak kohësh kuptoi se nuk ishte rruga e duhur për të. Më pas vendosi që të studionte për Shkenca Shoqërore, në degën këshillim dhe orientim personal. Studimet për natyropati erdhën krejt natyrshëm më vonë. Në fakt, ky pasion i saj nuk lindi nga hiçi, sepse babai i Irene-s është psikolog dhe psikoterapeut, ndërsa nëna merret me trajtime stimuluese, si: masazhe, shiatsu dhe terapi relaksuese. Të dy ata kanë studiuar atë që njihet si “Lulet e Bakut” dhe kryenin konsulta terapie me lule, që kur Irene ishte një vajzë e vogël, ndaj erdhi krejt natyrshëm që ajo të ecte në gjurmët e prindërve. Irene Sforzina ka studiuar në Slloveni katër vjet për natyropati evolutive, në disiplinën e psikosomatikës, dhe është diplomuar në Bruksel, në Universitetin “Jean Monnet”. Aty, ajo ka mësuar se mund të përdoren mjete e metoda nga më të ndryshmet për të stimuluar një gjendje më të mirë shëndetësore, ndërkohë që personalisht ka zgjedhur të përdorë shumë terapinë me lule dhe aromaterapinë, që i vijnë në ndihmë mirëqenies fizike e mendore të njeriut.

Intervistën e plotë e lexoni në Revistën Living, nr Pranverë 2019 (33)

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor