Personazh 2 Maj 2019

Spikerja e lajmeve që nuk vesh kurrë taka; Iva Kalemi imazhi më i ri i ekranit të Vizion Plus

Personazh

Nga: Santana Çomora; Fotografia: Edvina Meta; Grimi dhe flokët: Rajmonda Kadiasi

Iva Kalemi nuk pati nevojë të mendohej gjatë për t’u vënë edhe një herë tjetër para kameras së studios së lajmeve. Një ngacmim i vogël nga miku i saj, Ardi Asllani e pak këmbëngulje se kishte ardhur sërish koha e saj dhe ajo u shfaq në edicionin e lajmeve të Vizion Plus. Një surprizë e bukur për ata që e mbanin mend një herë e një kohë kur biondja simpatike ishte një nga figurat qendrore të Shijak TV, atëherë kur aktori i mirënjohur Veli Rada i mësoi impostimin para kamerës. Surprizë edhe për vetë Ivën t’i rikthehej dashurisë së vjetër ekranit, duke kuptuar se asgjë nuk kishte ndryshuar për këtë lidhje të hershme. Vërtet kishin kaluar dhjetë vjet nga shfaqja e parë si folëse lajmesh, por pasioni për atë punë, emocioni që shkakton objektivi i ftohtë përpara vetes duke përçuar zërin dhe imazhin te qindra mijëra të tjerë, ishte po ai. Pastaj një emocion tjetër, akoma më i madh, ishte mikpritja që gjeti në Vizion Plus, përgëzimet e miqve dhe të njohurve pas edicionit të parë apo shtimi në listën e punëve të përditshme, edhe të këtij angazhimi të ri. Sepse Iva Kalemi ka tjetër formim në jetën e saj profesionale. Ajo fytyra e qetë dhe e bukur që shfaqet çdo mbrëmje në ekran, në fakt pjesën më të madhe të ditës është e angazhuar me marrëdhëniet njerëzore. Iva është eksperte e kësaj fushe, përveçse një profesioniste e ekranit. Është edhe një vajzë me një stil totalisht të vetin, detaj që e shfaq kudo dhe kurdo. Por më shumë për këtë pjesë ajo do të tregojë vetë në këtë intervistë për Living.  

Iva është në atë moshën e artë, kur eksperienca e ka pjekur njeriun, e di çfarë kërkon nga jeta, çfarë e gëzon ose jo, ka rrethin e vet të miqve dhe nuk kërkon më të tjerë të rinj. E di ku jep më shumë dhe çfarë i jep më shumë kënaqësi J

Ajo ka mbaruar studimet e shkollës së mesme dhe të lartë për frëngjisht. Më pas, për t’i dhënë një tjetër dinamikë, por edhe mundësi jetës profesionale, ndoqi një master për marrëdhënie publike, politike dhe institucionale. Pjesën më të madhe të eksperiencës e ka në sektorin e burimeve njerëzore, ndaj dhe aktualisht punon në një profil të tillë. I pëlqen të komunikojë me njerëzit dhe ndihet në vendin e duhur. Kështu që krahas lajmeve të orës 22:30 në "Vizion Plus", gjatë ditës ka dhe angazhime të tjera të kësaj natyre.

Duke qenë se angazhimi yt qenka i tillë, është e vështirë për një femër të ketë një jetë kaq intensive?

Vështirësitë në punë janë çështje këndvështrimi, ndaj dhe sa herë ndiej lodhje, mendoj sa me fat jam që i kam pasur këto mundësi. Në pjesën më të madhe të kohës kam kryer dy ose më shumë punë, jam mësuar me këtë dinamikë. Ndihem mirë dhe kjo nuk më penalizon të ndjek edhe aktivitete të tjera në lidhje me jetën personale.

Sa e lidhur je me të bukurën? Sa rëndësi i kushton pamjes?

E bukura ka shumë dimensione, por personalisht çdo ditë e më shumë e lidh të bukurën me energjinë. Të ndihesh mirë me veten, mendoj se mund të ndryshojë gjendjen emocionale dhe për mua një faktor i të ndjerit mirë është edhe veshja. Pra, një veshje e bukur dhe komode më jep energji të mirë për të filluar ditën. Për këtë arsye i jap rëndësi dhe kohë veshjes sime.

Çfarë stili mban në përditshmëri, duke menduar që tashmë je folëse lajmesh e kostumet në ekran janë në përditshmërinë tënde?

Përgjatë ditës, në orarin zyrtar të punës dhe për shkak të profilit të punës jam e detyruar të jem pak e kufizuar në stil. Më duhet të respektoj pozicionin që përfaqësoj, i cili kërkon që të perceptohesh si një person i thjeshtë dhe me një veshje që nuk thërret. 

Për pjesën tjetër të ditës apo evente të ndryshme më pëlqen ekstravaganca e kombinimit në një veshje, kontrastet veçanërisht te këpucët. Tashmë e kemi kuptuar që veshja nuk mund të konsiderohet sipërfaqësore. Ajo përfaqëson atë çka ne jemi dhe çfarë duam të shprehim. 

Sa kohë harxhon për të krijuar një veshje tënden apo të vjen natyrshëm kombinimi i gjërave?

Kujdesin për veten e konsideroj një kulturë, brenda mundësive që mund të ketë secili prej nesh. Të pasurit stil, apo thënë ndryshe shije, mendoj se është një instinkt, sa i lindur aq edhe i kultivuar. Dëshirën për një veshje të bukur e kam trashëguar nga prindërit, veçanërisht nga nëna ime, e cila ka një shije të mirë. Gjithmonë ajo është identifikuar nga rrethi i miqve dhe familjarëve si një grua që vishet bukur.

Unë si karakter spikat për prakticitet në çdo gjë që bëj. Edhe me veshjen apo "shopping" jam një njeri praktik. Nuk mendohem gjatë. Kur dal të blej ndjek instiktin, godas me të parën dhe përgjithësisht veshjet që zgjedh për t'i provuar më pëlqejnë të gjitha. Problemi është kur s’kam mundësi t'i marr të gjitha. (qesh)

Pantallona apo fustane?

Blej gjithmonë fustane, por përfundoj të vesh pantallona. Kjo është e lidhur edhe me komoditetin. Por i preferoj të dyja, mjafton të jenë brenda natyrës sime. 

Si e ke marrëdhënien me aksesorët si bizhuteritë, çantat, këpucët apo atletet?

Aksesorët janë më se të rëndësishëm. Mund të vishesh shumë thjesht në një mbrëmje fundjave: bluzë dhe një palë xhinse, por mund të vendosësh një palë vathë ekstravagantë që i japin një tjetër imazh dhe përshtatje për rastin veshjes. Pa aksesorë s'mund të ketë stil. Personalisht preferoj shumë vëthët dhe çantat e shpinës. Për këto të fundit, sa herë që shikoj një të bukur, kam një luftë të brendshme derisa të bëhet imja. Pastaj atletet më personifikojnë, mund të them se jam e fiksuar pas atleteve. Kur hyj në një dyqan sytë më shkojnë instinktivisht tek ato. Pra, unë nuk jam ajo vajza që do të donin të gjitha nënat, që çdo veshje ta shoqëronin me këpucë me taka. Nëna ime edhe sot e ka peng këtë.

Çfarë nuk do të vishje kurrë?

Janë disa veshje që nuk do t'i vishja, si pantallonat e gjera poshtë, njohur ndryshe si kauboj, por kjo ka lidhje me fizikun, nuk më qëndrojnë mirë me fizionominë që kam. Kjo s'do të thotë që s'më pëlqen t'i shikoj tek të tjerët. Kur ke dëshirë të vishesh e ndjekësh trendet s'do kishte kuptim të thoshe “kurrë”, sepse tendencat ndryshojnë dhe qasja jonë ndaj tyre gjithashtu. 

Je nga ato vajza që çdo gjë të re, çdo trend do ta bësh tëndin? A ke bërë ndonjëherë ndonjë çmenduri në lidhje me veshjet?

Po, mendoj se hyj tek vajzat që përshtaten menjëherë me trendet dhe tendencat. Çmenduri nuk mund të them, por mbaj mend se kur ndiqja shkollën e mesme dolën në modë të ashtuquajturat “shallvaret” e famshme, mund të kem qenë nga vajzat e para që i kam veshur në shkollë. Dhe kur ecja rrugës kishte njerëz që më shikonim çuditshëm. Bëhet fjalë për vitet '96-'97 dhe nuk kishte kaq stil sa sot dhe të rinj që mund të dilnin jashtë kornizave të përgjithshme të veshjes. 

Cili është trendi që pëlqeni më shumë këtë sezon pranveror?

Gjithmonë e më shumë më pëlqejnë atletet dhe trendi i tyre ekstravagant, me modele dhe ngjyra të ndryshme, sa vjen e shtohet. Do të veçoja modelet e "LouisVuitton" dhe sigurisht "Balenciaga". Ajo që kam vënë re në këtë sezon është rikthimi i ngjyrës portokalli. Në fakt, për sa i përket ngjyrave jemi ndier komode vitet e fundit, se nuk ka pasur kufizime drastike. Po kthehem në retrospektivë, ka qenë një vit në Tiranë që u veshëm të gjithë me lejla. Ngjyrat na nxjerrin në pah shpirtin tonë, unë i dashuroj. 

A mendon se puna jote si gazetare, moderatore lajmesh lidhet edhe me veshjen? Gjen ndonjë gjë të përbashkët?

Të qenët spikere lajmesh kërkon një impostim jo vetëm në atë që interpreton në të folur, por edhe në veshje. Mendoj që eleganca është stili i vetëm që mund ta përkufizojë një spikere lajmesh. Publiku kërkon një imazh serioz, jo me veshje që i zbehin rëndësinë asaj çka po thua kur transmeton informacionin. Pra, qëllimi yt është i paracaktuar dhe nuk mund të eksperimentosh ndryshe, veçse me ngjyrat dhe modelet e xhaketave apo këmishave që të përshtaten më shumë. 

A ke ndonjë referencë ku mbështetesh apo idhull mode?

Personalitete me ndikim nga bota e modës ka shumë për t'u pëlqyer, si të rinj ashtu edhe me eksperiencë, sepse flasim tashmë për një industri të tërë me stilistë, modelë, aktorë e këngëtarë që na diktojnë stilin sot, por, së fundmi, e kam ndjekur me vëmendje stilin e modeles Gigi Hadid dhe kam një simpati për të. Më pëlqen personaliteti i saj dhe pastaj, ajo vesh shumë atlete (qesh).

Pse atlete dhe sa numëron të tilla në gardërobën tënde?

Të gjitha veshjet e mia lidhen me to. Momentalisht kam rreth 30 palë, duke pasur parasysh këtu faktin që unë gjithmonë ricikloj. 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor