Personazh 30 Prill 2019

THURJA me GREP, pasion që s’matet për balerinin klasik Albert Matraku

Personazh

NGA: ELONA JAÇELLARI
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Në kthinat e korridoreve labirint të Teatrit të Operës dhe Baletit, ai është personazhi që tërheq më pak vëmendje. E gjen gjithmonë të heshtur dhe të tërhequr në cepin e vet. Pas 41 vitesh karrierë si balerin klasik, tani janë të pakta rolet që mund të marrë tek-tuk si figurant. E ndërsa pret me vetëbindje që karriera e tij të ulë siparin, përpiqet ta mbërthejë kohën me rrjeta hojesh pa fund që thur. Ishte pikërisht kjo gjë që më tërhoqi vëmendjen drejt tij. Afrohem dhe e pyes për punën që ka në dorë, me bindjen se i përket stafit krijues të kostumografisë, por më thotë që puna me grep është diçka që i përket kohës së lirë, sepse profesioni i tij është ai i balerinit.

Albert Matraku është 61 vjeç dhe ia ka kushtuar gjithë jetën baletit klasik. Pas katër dekadave të plota në repertorin artistik, rolet që ka ngjitur në skenë janë të panumërta, por tashmë i përkasin së shkuarës. Bejkos, siç e njohin dhe e thërrasin të gjithë, i ka mbetur edhe një vit e gjysmë kohë për të dalë në pension. Ndërkohë që shigjeta e jetës po e tërheq drejt pleqërisë, balerini i është rikthyer pasionit të vegjëlisë: thurjes me grep. “Grepin e kam ditur që pesë vjeç, - tregon Bejko. - Ma ka mësuar nëna. Ajo punonte shumë me shtiza dhe unë rrija gjatë afër saj, duke e parë se si punonte. Një ditë më tha: ‘Nëna do të të mësojë ty grepin’ dhe kështu bëri, ma mësoi. Kalonim kohë të dy duke punuar, ajo me shtiza dhe unë me grep. Mbaj mend që i vogël kam punuar shumë, por që kur nisa shkollën e baletit, nuk e praktikoja më, sepse nuk kisha kohë. Por, fillova të punoj përsëri me grep pas viteve ’90. Kam punuar dhe shitur shumë”, - ndan balerini i Teatrit të Operës, i cili tregon se shumë punë të tij janë shitur në Itali dhe në Greqi, ku është lidhur me tregtarë të ndryshëm. Tani punon sipas kërkesave dhe ato që e pëlqejnë punën e tij janë të shumta. Bejko, jo vetëm punon bukur, intensivisht, por edhe masivisht, sepse punët e tij janë voluminoze.

Me grep, ai thur mbulesa, bluza e fustane, që vajzat e zonjat ia blejnë si krijime të bukura dhe unike. “Bëj çdolloj modeli, - shpjegon Alberti, - bluza, fustane, rroba banje, mbulesa, dekorime të ndryshme. Shumicën e modeleve i krijoj me mendje, por ka edhe raste kur klientet e sjellin modelin vetë. Më mjafton vetëm ta shoh një herë me sy dhe e bëj direkt.” Balerini klasik ka shpirt të thellë artistik, që nuk e shpreh me fjalë, as me veprime e sjellje, për të marrë protagonizëm, por këtë e tregojnë duart e tij, që nuk rrinë “urtë” asnjë moment. Ato kanë gjithmonë “etje” për të eksperimentuar e për të bërë punime të reja. “Kam kënaqësi shumë të madhe të punoj. Kur nxjerr diçka të bukur nga dora, ndihem i lumtur. Mund të rri me orë të tëra pa lëvizur nga vendi, duke punuar me grep.

Ka patur raste kur jam ulur të punoja në orën katër të pasdites dhe jam ngritur në katër të mëngjesit, pra, dymbëdhjetë orë me grep në dorë. Kuptohet që është lodhje, por është edhe kënaqësi. Nuk e ndiej edhe aq shumë lodhjen kur nxjerr diçka të bukur nga dora, - tregon Bejko me sytë e qetë dhe të qeshur. Në qenien e tij ka kaq shumë qetësi dhe durim për të korrur disa çaste kënaqësie në fund të çdo pune. Puna e dorës nuk është një aktivitet kaq i zakontë mes burrash, por Bejko dëshmon që është një korçar i denjë në gjenezë. Ai jo vetëm që e mori dhe e ruajti stafetën artizanale të familjes së tij korçare, por e përsosi edhe më tej. E do grepin, jo vetëm për faktin se i sjell të ardhura dhe orë qetësie, por kryesisht për faktin që ky mjet i thjeshtë, është për të bashkudhëtari i jetës, me të cilin krijon gjurmët e kujtimeve të tij.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor