Dekorime 24 Prill 2019

Një apartament i stilit minimalist skandinav në Tiranë

Dekorime

Të dizajnosh një apartament për dikë është diçka speciale dhe intime, kështu që klientët tanë dhe ne, në çdo rast, në fund jemi kthyer në miq shumë të mirë. Kjo ndodhi edhe me të zotët e këtij apartamenti, të cilët na zgjodhën për të dizajnuar investimin e tyre më të madh në jetë, pasi pane se si transformuam apartamentin e mikut të tyre.

Pavarësisht se vizioni i tyre për arredimin ishte tërësisht ndryshe nga ajo që imagjinonim ne, ata e kuptuan se ishim zgjedhja e duhur që në fillim. Ishte një fillim i vrullshëm drejt një transformimi, i cili rrodhi nga një takim i pare njëorësh, në një transformim tremujor, duke bërë që një hapësirë prej 120 m2 e sapondërtuar në Tiranë, pranë Liqenit Artificial, të kthehej nga një ambient bosh dhe bazik, në një tjetër, me karakter. Planimetria nuk kishte nevojë për ndryshime dhe, për më tepër, kishte shumë dritë natyrale, pasi gjithë apartamenti është i orientuar nga jugu.

Vizioni ynë ishte të luanim me ngjyra të ngrohta neutrale, të fuqizonim ndriçimin dhe të mbushnim shtëpinë me dritë, gjë që është nga elementët më të rëndësishëm për ne, dhe harxhojmë shumë kohë për t’i dhënë zgjidhjen e duhur. Drita natyrale bën që gjithçka të marrë jetë. Kur takohemi, të zotët e apartamentit shprehen: “Ju i keni dhënë shtëpisë sonë ajër, dritë dhe keni evidentuar pikat kyçe, të cilat t’i kap syri. Sa herë që hyjmë në shtëpi pas një dite të lodhshme dhe stresuese, ndihemi të qetë dhe të lumtur në hapësirën tonë të re. Edhe tensioni zhduket menjëherë.”

Të zotët e shtëpisë besuan që ditën e parë në vizionin tonë! Ata nuk e vunë në diskutim sugjerimin tonë për një kuzhinë që shkon deri në tavan (jashtë standardit), apo një ishull të madh me një tavolinë buke të bashkëngjitur (për 10 persona), por ngurruan pak kur propozuam një tavan gipsi, për të realizuar ndriçimin me spote. Çifti ishte i shqetësuar se mos ulja e tavanit dhe përdorimi i spoteve do të krijonte një ambient që nuk ngjasonte me një shtëpi, por ata e dinin se ne kishim një vizion dhe falë Zotit, besuan te ne.

Rreth e rrotull hapësirës së ndenjjes kalon një kanal i zi gipsi, ku janë montuar shumë spote të zeza, me dritë të lehtë natyrale, të cilat kombinohen bashkë për një ndriçim të njëtrajtshëm dhe jo të bezdisshëm për sytë. Miqtë tanë nuk e kishin imagjinuar këtë efekt dhe nuk i kisha parë kurrë aq të entuziazmuar për rezultatin e punimeve. “Ndriçimi është thjesht fantastik,” – shprehen ata sa herë që takohemi.

Pasi futemi në korridor, bie në sy një pasqyrë me veshje druri, e cila vizualisht të krijon idenë e thellësisë dhe të madhësisë. Një mobilie e lehtë horizontale lidhet me veshjen e drurit dhe shërben si mbajtëse për çelësat, portofolin, celularin etj, ndërsa në krahun tjetër të korridorit, kemi një dollap 60 cm të thellë, por thuajse të padukshëm, pasi është vendosur në një qoshe dhe vjen rrafsh me murin e korridorit.

Ky dollap shërben për magazinimin e sendeve të ndryshme të shtëpisë, madje edhe të tapeteve kur vendosim t’i ngremë gjatë verës. Në brendësi të tij, kanë vendin e tyre edhe lavatriçja dhe tharësja, që të mos duken nga jashtë, por edhe që të minimizohet zhurma. Nëpërmjet një dere ndarëse, kalojmë në hapësirën e kuzhinës në të djathtë dhe më tej, në hapësirën e ndenjjes, me një sipërfaqe totale të brendshme 40 m2. Sapo hap derën përballesh me një kuzhinë të bardhë, të lartë deri në tavan. Ajo në vetvete është një privilegj i projektimit. Kështu lindi edhe kjo kuzhinë e stërmadhe, e integruar mjaft mirë me tavolinën e ngrënies, duke dëgjuar kërkesat e klientit.

Duhet thënë se ky ndërtim i ri, si shumë të tjerë, kishte defekte në detaje arkitekturore, kështu që luajtëm me maskimin e elementeve konstruktive, duke  e integruar me mobilimin. Për shembull, kuzhina e hapur dhe hapësira e ngrënies që shohim sot, ka patur defekte estetike të theksuara në gjendjen që e gjetëm. Përpara se të bëhej rinovimi, kuzhina ndërpritej nga një kolonë. Kështu, vendosëm që atë kolonë ta bënim pjesë të dizajnit, duke e maskuar dhe duke e integruar me mobilien e kuzhinës.

Në këtë mënyrë, përveçse zgjatëm mobilien e kuzhinës, krijuam edhe një hapësirë të dedikuar për verën, e cila evidentohet me një kapak të errët xhami, nga dyshemeja deri në tavan. Ose në hapësirën e ndenjjes, pas divanit, veshëm dhe zgjeruam një kolonë të vogël të dalë nga muri, për ta integruar dhe për ta bërë pjesë të dizajnit, por që lë të kuptohet se nuk ka dalë gabimisht aty.

E ndërsa kalojmë në DHOMËN E ÇIFTIT, sipërfaqja e saj e brendshme prej 23 m2, të jep mundësinë ta ndash atë vizualisht në dy hapësira: atë të fjetjes dhe atë të punës. Ajo që të bie në sy që në fillim, është krevati me përmasa jashtë standardit, me veshje tapicerie deri në tavan dhe dy pasqyra vertikale në krah. Kurse për një ndriçim më romantik, janë përdorur dy ndriçues të vegjël, të cilët ulen që nga tavani mbi komodina. Ndërkohë, pranë tavolinës së punës dhe krevatit qëndron një poltron relaksi.

TUALETIN dëshironim ta mbanim të thjeshtë, por të ishte disi interesant. Asgjë nuk është më qetësuese se ngjyrat neutral dhe hijet e së bardhës dhe grisë. Bazuar edhe në studime të ndryshme, këto tone ngjyrash janë të lidhura me pastërtinë, duke i bërë ato ideale për tualetin. Veshja e mureve është bërë me pllaka të mëdha dhe në tonet e mermerit të bardhë, ndërsa dyshemeja e tualetit është shtruar me një pllakë e cila imiton parketin, për të krijuar idenë e vazhdimësisë dhe ngrohtësisë së tij, edhe në tualet. Mbi mobilien me syprinë kuarci me ujëra dhe lavaman inkaso, është vendosur një pasqyrë e madhe pa kornizë, e cila zmadhon vizualisht hapësirën.

DHOMA E MIQVE

është lënë disi më e thjeshtë. Ajo ka dy krevate teke, një dollap të madh të bardhë dhe një tavolinë pune. Siç mund të vëmë re është ruajtur e njëjta frymë dhe të njëjtat ngjyra si në ambientet e tjera.

ARJOLA KUQI & GERI LIKA 1KLIK Interior & Design Studio

Gjërat e mira lindin nga miqësitë e mira, dhe dizajni i përsosur është një shembull i përsosur. Nëse do të bëhemi pjesë e jetës së dikujt për disa muaj, atëherë duhet edhe ta pëlqejmë njëritjetrin, prandaj i intervistojmë gjithnjë klientët përpara se të marrim një projekt të ri.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor