Dekorime 22 Prill 2019

Eleganca e stilit neoklasik, brenda një shtëpie luksoze, por jo të ekzagjeruar

Dekorime

"Jo ekzagjerime në forma dhe ngjyra, por një vend që të ofron komfort në çdo ambient. Këtë na e ofron pikërisht stili neoklasik!"

NGA: MATILDA TËRPOLLARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Projekti që do të prezantojmë sot i përket stilit neoklasik.

Jemi në një nga zonat më të qeta të Tiranës, në zonën e Liqenit të Thatë, larg nga zhurma e kryeqytetit. Ndodhemi në një apartament prej 230 m2, nga të cilat kemi 140 m2 sipërfaqe të brendshme dhe 90 m2 verandë.

Apartamenti ndodhet në katin e fundit të pallatit, duke na ofruar qetësi dhe pamje të mrekullueshme. Familja përbëhet nga çifti dhe dy fëmijë në moshë madhore, vajza dhe djali, ndaj ishte shumë e qartë se si do të bëhej ndarja e ambienteve: salloni, kuzhina, dhoma e çiftit me gardërobë, tualet më vete, dy dhomat e fëmijëve, si dhe tualeti i ditës.

“Vetratat perimetrale, të gjitha me dalje në verandë, na lehtësuan punën në ndarjen dhe organizimin e dhomave dhe ambientin e ditës, duke lënë dy korridoret dhe dy tualetet me ndriçim artificial, - sqaron Nada. - Pas bisedës me pjesëtarët e familjes për preferencat e secilit, arrita të kuptoja që donin pikërisht stilin neoklasik:luks dhe elegancë. Jo ekzagjerime në forma dhe ngjyra, por një vend që të ofron komfort në çdo ambient. Këtë na e ofron pikërisht stili neoklasik”.

Në ditët e sotme, stili neoklasik është përqafuar shpesh dhe kjo për shkak të elegancës së tij, e cila nuk vdes kurrë. Stili neoklasik ka të bëjë me elegancën dhe sofistikimin, njësoj si stili barok apo rokoko, por në ndryshim nga këto dy stile, që shfaqin dukshëm luksin, neoklasikja është më modeste dhe e heshtur.

Linjat e luksit janë të dukshme, por nuk theksohen, mbeten në heshtje. Në stilin neoklasik, ngjyrat janë përgjithësisht tonalitete të lehta të kremit, blusë, së gjelbrës, së verdhës dhe grisë. Pra, ngjyra neutrale. Ndryshe nga stili barok, ku elementet e të gjitha pjesëve përbërëse të një interieri flasin të njëjtën gjuhë, pra, janë të dukshme, në stilin neoklasik vihet në dukje një element në pjesë të veçanta të interierit dhe kjo bëhet duke ruajtur elegancën që kërkon stili e, shpeshherë, duke u theksuar përgjithësisht me ngjyrë të zezë, të kuqe, floriri apo argjendi. Këto dy ngjyrat e fundit përdoren kur nuk preferohen ngjyra të theksuara për të thyer neutralitetin e pjesës tjetër.

Nada Çela është një ndër emrat më të njohur të arkitektëve të kryeqytetit në fushën e arredimit. Kemi prezantuar disa herë projekte të sajat të kuruara në detaje, ashtu si natyra prej perfeksionisteje që ka edhe ajo vetë. Nada Çela ka mbi 10 vjet që menaxhon biznesin e saj “Mean Joke Interior Design” dhe jo vetëm projekton, por edhe prodhon produkte të interierëve dhe i kuron ato deri në detaje, që shpeshherë të tjerët nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur. “Pikërisht në këto detaje, - tregon ajo, - qëndron edhe diferenca. E theksoj që një skemë funksionale e zgjidhur mirë, funksioni i veshur me stilizimin përkatës dhe dhënia jetë e kësaj skeme, na garanton sukses”.

Në vitin 2018 arkitektët e interierëve preferuan të bënin kontrast me ngjyrat  tendencë të sezonit, blumarinë dhe rozë, për ta modernizuar ambientin. Sapo hyjmë në korridor, prezantohemi me stilin neoklasik të arredimit, thjeshtësi në linja dhe detaje të kuruara, duke mos dale nga korniza e stilit e duke mos ekzagjeruar asgjë.

Që në hyrje prezantohemi me materialet dhe ngjyrat tipike të stilit: gri pastel dhe druri natyral, me detaje të kuruara dhe linja të pastra.

Mobiliet në stilin neoklasik kanë dekorime të thjeshta, simetrike, pa komplikime apo ekzagjerime. Mobiliet me detaje druri janë të paekzagjeruara, me linja të pastra e të thjeshta për t’u lexuar, kurse ngjyrat pastel, në pika të veçanta ndërthuren me drurin natyral në ngjyrë të errët.

Në cepin e sallonit është konceptuar një oxhak (kjo për shkak dhe të instalimit të tij) dhe në pjesën tjetër të faqes kemi mobilien e televizorit dhe kristalierat.  Kolltukët janë konceptuar të jenë të dy treshë, por njëri prej tyre në formë domusi, me hapje në pjesën e oxhakut, për të qëndruar pranë tij e për ta shfrytëzuar sa më shumë sipërfaqen. Nuk donim ta ndanim sipërfaqen, sepse kjo do ta zvogëlonte hapësirën në aspektin vizual.

Estetika neoklasike gërsheton luksin me thjeshtësinë në një atmosphere qetësuese, duke nxjerrë në pah elegancën dhe sharmin; pra, mbi të gjitha janë përdorur linja të pastra dhe gdhendje të detajuara.

Neoklasikja ka të bëjë me luksin e rafinuar dhe mund të realizohet lehtë. Mjafton një mobilie klasike, një llambadar ari ose argjendi, ose dhe një vepër arti e bukur dhe jemi në stilin neoklasik. Zbukurimet janë pjesë e rëndësishme e dekorit për të arritur në autenticitetin e stilit.

Ambienti i ndenjjes është elegant, qetësues dhe komod. Vetrata kryesore ofron dritë natyrale gjatë gjithë ditës nga vetë pozicioni i saj i favorshëm, pasi është orientuar nga jugu. Salloni dhe kuzhina janë konceptuar si një ambient i pandarë me mur, por me një ndarje vizuale nga një kolonë dhe një banak.

Ky apartament është konceptuar të ketë një tavolinë të madhe për 6 ose më shumë persona, për raste festash, dhe një tavolinë tjetër për 4 persona në kuzhinë, e cila është më praktike, pasi ndodhet më afër saj. Pjesa e dekorit të murit pranë tavolinës së madhe nuk është trajtuar si pjesa tjetër, edhe për të mos pasur përsëritje, por edhe për t’i dhënë thellësi ambientit të ngrënies, i cili ndodhet midis 2 korridoreve të kalimit.

Kuzhina dhe salloni ndahen vizualisht nga një banak, kjo edhe për të krijuar një ndarje, por edhe për të dhënë mundësinë të vendosen dy stola të lartë, për të ngrënë një vakt të shpejtë. Kuzhina nuk është shumë e madhe, por tejet funksionale, duke i përmbyllur të gjitha funksionet e saj, me ndihmën e të gjithë aksesorëve të nevojshëm.

Banaku është imitim guri dhe i njëjti material përsëritet edhe në pjesën e pllakave.

Dhoma e çiftit është konceptuar të ketë gardërobë dhe tualet brenda saj. Sapo hyjmë, përballë kemi gardërobën dhe duke qenë se një pjesë e saj është përballë derës, u mendua të mbyllej me kapakë; kjo, për efekt estetik, si dhe për të vendosur veshje që nuk janë të sezonit.

Edhe në dhomë muret dhe tapiceria janë në ngjyrë pastel. Përballë krevatit kemi një objekt tualeti për zonjën e shtëpisë, ku sërish mbizotërojnë linjat klasike, por të pastra dhe me detaje të rafinuara.

Vajza dhe djali nuk jetojnë këtu dhe ky fakt na lehtësoi, për të bërë një dhomë të vogël, të freskët dhe të këndshme, sepse nuk na kërkohej një dollap i madh (gjë që do të na e vështirësonte punën për ta maksimizuar hapësirën). Pra, kemi përdorur një dollap të vogël, krevatin dhe pjesën e tualetit; të gjitha në një faqe. Është përdorur letër murale me zymbyla, që i jep dritë dhe njëkohësisht freski gjithë dhomës. Në këtë dhomë duhej të ndihej prania e stinës së pranverës dhe është arritur më së miri. Kuverta e krevatit dhe perdet janë të qëndisura, ashtu si dhe kornizat e varura në mur, gjë që thekson brishtësinë e femrës

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor