Personazh 17 Prill 2019

“Nuk është e lehtë të shkoj e të vij nga Shkodra, por është bukur, sepse kam qejf të punoj me këtë grup e për këtë serial"

Personazh

 

NGA: ELONA JAÇELLARI
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
ART DIRECTOR: ORI KAMBERI
MAKE UP ARTIST: NINA MYFTARAJ

“Familja Kuqézi” vjen me nota të ngrohta dhe gazmore, dhe gjithçka falë punës së mirë të bërë me tekstet, falë shpirtit që aktorët kanë dhënë në rolet e tyre, por edhe skenografisë së realizuar mjeshtërisht nga Albi Çifligu.

E gjeta veten kaq rehat në sallonin e tyre të dekoruar me aq ngrohtësi, sa u kujtova që isha në një studio televizive, vetëm kur m’u ngatërruan nëpër këmbë kabllot elektrike dhe fonike. Është koha për shërbimin fotografik të revistës dhe sigurisht që takimi s’mund të lihej gjëkund tjetër veçse në shtëpinë e tyre: në shtëpinë Kuqézi. Secili nga gjashtë aktorët po përgatitet në cepin e tij, sepse ky sheshxhirim është kthyer në një shtëpi të dytë për çdonjërin prej tyre.

Nëna e dy personazheve meshkuj, Albertit dhe Edit, roli i së cilës, Mines, interpretohet nga aktorja e mirënjohur e teatrit shkodran, Merita Smaja. Nuk para duket shumë nëpër shtëpi, por pas Bertit dhe Edit ndihet se është gjithmonë një dorë e fortë.

Si në çdo shtëpi ku ka djem dhe nuse, ka edhe një vjehërr. Sigurisht që ajo është mamaja më e mirë në botë për djemtë e saj, por ja që nuk bindet se byreku i nuses mund ta kënaqë të birin po aq sa i saji. Është gjithmonë pas derës së djalit të saj të martuar, për t’i dhënë mbështetje, por edhe për t’u siguruar që ai është po aq mirë sa edhe beqari që ka në shtëpi. Ky rol ka takuar të jetë i Merita Smajës, aktores së njohur të Teatrit të Shkodrës. “Nuk e mendoja të më ftonin në këtë serial, - tregon ajo, - por e prita mirë dhe kur më thanë se si do të zhvillohej, m’u duk interesant. Lexova skenarin e parë dhe më pëlqeu, për faktin se personazhi im nuk thotë gjëra të mëdha dhe dramatike, por ato që ndodhin në përditshmëri. Edhe kur u prezantova me stafin u ndjeva mirë, janë të thjeshtë dhe kuptohemi për bukuri me njëri-tjetrin.” Merita është e vetmja që udhëton gjatë për t’iu bashkuar ekipit. Ajo vjen çdo ditë nga Shkodra, përfundon provat dhe xhirimet dhe kthehet përsëri në qytetin e saj, ose të paktën ai që është sot qyteti i saj, sepse Merita Smaja ka lindur në Berat, është rritur në Burrel e Peshkopi dhe është martuar në Shkodër, ndërsa me origjinë është nga Korça. “Nuk është e lehtë të shkoj e të vij, por është bukur, sepse kam qejf të punoj me këtë grup dhe për këtë serial. Ndihem si në familjen time. Çuditërisht, ndihem një Kuqézi,” - tregon aktorja shkodrane, e cila edhe pse nuk është bërë akoma vjehërr, e sjell me një vërtetësi të habitshme rolin e saj. Ndonjëherë mami Minia vjen pak e egër, por Merita ndihet e lumtur, sepse kjo nënkupton që e ka realizuar rolin. Dhe ashtu si një mur, të cilit i duhen shumë gurë që të lartësohet, Merita Smaja është pa dyshim një prej emrave që ndrijnë në këtë kastë aktorësh, personazhet e së cilës prej javësh i ndiejmë të gjithë si të shtëpisë: një familje që na edukon dhe na zbavit në të njëjtën kohë. Këta janë Kuqézët, që mund të jenë kushdo, asgjë më shumë e aspak ndryshe nga çdonjëri prej nesh.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor