Ëmbëlsira 13 Prill 2019

Tortë me çokollatë dhe portokall sipas recetës së gjyshes

Ëmbëlsira

Nga LINDA FISHTA/Fotografia ARMAND HABAZAJ

PËRBËRËSIT PËR TAVË ME DIAMETËR 20/22 CM: • 180 g gjalpë si krem, në temperaturë ambienti • 180 g sheqer • lëkura e grirë e 2 portokajve
organikë • 3 vezë të mëdha në temperaturë ambienti, të përziera me pirun • 180 g miell Tipi 00 i kaluar në sitë • 1 + ½ lugë e vogël sodë për ëmbëlsira (8 g) • 2 lugë lëng portokalli të freskët.
PËR SHURUPIN ME PORTOKALL: • 100 ml lëng portokalli i freskët • 80 g sheqer.
PËR GLASENË ME ÇOKOLLATË: • 150 g çokollatë e zezë, e grirë imët
me thikë • 60 g gjalpë i butë i prerë në kubikë.

PËRGATITJA: Ndezim furrën në temperaturën 180° C. Në robot ose me rrahësen elektrike, punojmë gjalpin derisa të bëhet kremoz. Shtojmë sheqerin dhe lëkurën e portokallit dhe vazhdojmë kështu për 8 minuta. Më pas hedhim
edhe vezët një nga një, pa ndaluar përzierjen. Kur të shtojmë miellin dhe sodën me sitë, 3 herësh, do të përdorim spatul për përzierje. Shtojmë miellin dhe sodën me sitë dhe së fundi lëngun e portokallit. Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e të veshur me letër furre. E pjekim për 35/40 minuta duke bërë provën me kruajtëse dhëmbësh. Ndërkohë, përgatisim shurupin e portokallit. Vëmë në zjarr një enë ku kemi hedhur lëngun e portokallit dhe sheqerin. I lëmë derisa sheqeri të tretet plotësisht dhe të trashet pak.

Kekun e pjekur e lëmë në tavë, e shpojmë thellë me shkop për shishqebap ose kruajtëse dhëmbësh në shumë vende. Me një lugë shpërndajmë shurupin kudo në sipërfaqe. Pasi të jetë ftohur plotësisht, e heqim nga tava. Përgatisim glasenë me çokollatë: tretim në banjëmari çokollatën me gjalpin. I përziejmë
mirë që të kemi një glase me shkëlqim. E heqim nga zjarri dhe kur të jetë vakur pak, lyejmë tortën me spatul. E lëmë të ftohet plotësisht në një vend të freskët, derisa çokollata të mpikset.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor