Ish asistentja e paditi për ngacmim seksual, reagon Vin Diesel
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
NGA: SANTANA ÇOMORA
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
FLOKËT DHE GRIMI: EVA DIBRA
Besoj se e keni vënë re që këtë sezon, pothuajse të gjitha shtëpitë e modës kanë rikthyer trendin e rrathëve të kokës. Në shumë sfilata është vënë re një prirje për t'i shfaqur këta aksesorë mode më të gjerë e shumë të trashë. Në gjuhën e modës janë quajtur rrathët e kokës XXL. Pra, nuk po flasim më për ata rrathët e hollë e të ngushtë, që jemi mësuar të shohim rëndom. Ky aksesor duket sikur na ka rikthyer në vitet ’60, ku emra të njohur, si princesha Grace Kelly dhe aktorja franceze Brigitte Bardot, qenë të parat që përqafuan këtë stil, duke sjellë një model të ri flokësh. Në ditët e sotme, një ndër adhurueset më të flakta të këtij aksesori mbetet Kate Middelton. Rrethi nuk është thjesht një aksesor më shumë, por është aksesori që bën diferencën në pamjen tonë, ai që jo vetëm i jep më shumë stil veshjes, por na bën të dukemi më të bukura e më romantike. Këtë vit, ishte shtëpia e modës “Prada” ajo që e futi në çdo koleksion të sajin, duke ia shtuar hijeshinë bukurisë femërore. Ky aksesor shndërrohet në elementin magjik veçanërisht kur shoqërohet me veshje kryesisht velvet, të zbukuruara me rruaza, perla, gurë e lule.
Disa e shohin rrethin si aksesorin çudibërës të pamjes. I tillë është edhe për stilisten e re Katerina Zoto, e cila, me rrathët që ka dizajnuar vetë, duket si një princeshë e kohëve të largëta, si një vajzë e ardhur nga një botë tjetër. Katerina ka vite që mban rreth në kokë dhe thotë se mezi e ka pritur ditën që ky aksesor të përdorej gjerësisht edhe nga vajzat e tjera, që ato të kuptonin se sa bukur duken kështu. Rrathët janë tepër praktikë dhe duken këndshëm edhe në flokë të pastiluar, përveç atyre të stiluar, duke e ndryshuar krejtësisht pamjen tonë e duke na bërë më tërheqëse. “Nëse përdorim rrathë të veçantë, që bien shumë në sy, atëherë kemi ndryshuar kryekëput pamjen tonë, - shprehet Katerina. – Ky aksesor na bën të ndihemi më ëndërrimtare, më paqësore. Rrathët simbolizojnë madhështi. Na bëjnë t'u fitojmë zemrat të gjithëve. Nuk ka vajzë që të mos i shkojë rrethi në kokë, andaj asnjëra prej nesh nuk duhet të mendojë se ky aksesor nuk bën për të. Sipas meje, mbajtja ose jo e një rrethi lidhet më tepër me karakterin, sesa me formën e kokës e të fytyrës.
Një vajze të veshur sportive apo me xhinse të grisura, nuk do t’ia sugjeroja aspak një rreth velvet të zbukuruar me gurë. Këta të fundit janë simbol i vajzave të fisme, me veshje elegante”, - shton ajo. Duke nuhatur që sivjet nuk do të bëjmë dot pa ta, ajo ka muaj që ka nisur të punojë, për t’i kombinuar me veshjet e saj. Disa prej rrathëve që i ka pasur më herët, i ka stilizuar në forma të ndryshme. Qetësisht, Katerina na tregon se këta rrathë mund të realizohen fare mirë edhe në kushtet e shtëpisë. Mjafton të merrni rrathë të zakonshëm, t’u vendosni sipër sfungjer dhe më pas t’i vishni me copën që ju pëlqen, duke i disenjuar sipas dëshirës. Nëse dëshironi diçka më të sofistikuar, mund t’u shtoni aksesorë, si: perla, gurë, lule, pupla e qëndisma. Për një pamje më rok, mund të përdorni edhe rrathë lëkure me perçina.
Njëzetetetëvjeçarja thotë se pasionin për të bukurën, që e cilëson si shqisën e saj të gjashtë, e ka falë qytetit ku është lindur dhe rritur: Korçës së serenatave dhe traditës. Që e vogël, ajo i zgjidhte vetë veshjet, të cilave u shtonte shumë elemente. I pëlqenin fundet e fryra, me materiale të plota e cilësore dhe luante gjithmonë me çentrot e pajës së gjyshes. Edhe sot e kësaj dite, ajo e ruan me fanatizëm elementin autentik, që për të është një vlerë historike e shtuar në veshje. Katerina nuk është nga ato vajza që rend pas trendeve, i ndjek vetëm kur i dalin para syve, ama ka një cilësi të veçantë: i parandien ato para se të kthehen të tillë. Nëse do të jetonte jashtë, ndoshta do të kishte qenë një parashikuese shumë e mirë mode. Mbase kjo aftësi e saj e ka burimin te fakti që i kushton shumë rëndësi së vjetrës dhe i dallon lehtësisht elementet e së kaluarës që sjellin emrat e mëdhenj të modës në një veshje, për t’i sjellë në formën më të re e të freskët të mundshme. Ajo realizon me dashuri çdo veshje, që nga çasti kur e stilon në mendje, e deri te realizimi konkret. Prej dhjetë vjetësh Katerina jeton në Tiranë, ku, pasi përfundoi studimet për inxhinieri tekstile dhe modë, ushtron profesionin e saj si stiliste.
“Ëndrra ime nuk ka qenë të bëhesha stiliste. Më pëlqente arti dhe bota e televizionit. Në këtë profesion më ka shtyrë rrethi im shoqëror, të cilët, duke parë stilin tim të veçantë, të ndryshëm e të guximshëm, më thoshin se duhej t’i përkushtohesha stilimit. Sot, ditët e mia janë të mbushura me fantazi dhe krijime që mezi presin të vishen. Në çdo sekondë mendoj se çfarë do të krijoj.” Vajza korçare ka stiluar që në vegjëli, kur nuk e kishte idenë se ç’do të thoshte të stiloje. Ndër veshjet e para që ka disenjuar, duke i realizuar edhe profesionalisht, kanë qenë një palë kominoshe voluminoze kamosh, mbi të cilat varej një kitarë e madhe, e realizuar me tekstil dhe materiale të tjera. Këto kominoshe, të cilat i quajti “Karnavalet e Korçës”, i prezantoi në një sfilatë dhe qe një ndër veshjet që u mbajtën mend gjatë dhe në njëfarë mënyre e identifikuan atë. Për Katerinën, çdo ndjesi kthehet në burim frymëzimi, qoftë edhe përfytyrimi i një femre, që brishtësinë e saj e mbron me një veshje të guximshme e me karakter, që i fal siguri në çdo hap që hedh. Librat, filmat e vjetër dhe elemente të etnografisë janë detaje që i japin dritë fantazisë së saj. Ajo preferon të realizojë veshje të veçanta, që shprehin identitetin dhe unin e brendshëm të personit që i vesh. Katerina mendon se veshja duhet të flasë jo vetëm për stilisten, por edhe për atë që e vesh.
Në veshjet e Katerinës ndërthuret romantikja me elementin mashkullor. Kombinimi i tyre me një pale këpucë në stil mashkullor, ka si qëllim që jo vetëm të nxjerrë në pah një portret të hijshëm e fisnik, por edhe të japë imazhin e një femre që punon shumë dhe di të jetë e bukur e të ndihet rehat njëkohësisht.
Stilistes së re i kanë pëlqyer gjithmonë materialet cilësore, si: kamosh, saten, tafta dhe elementet, si: dorashkat, kapelat, peliçet, spilat e zbukuruara me perla, detaje të cilat fillimisht janë mbajtur vetëm nga shtresat e larta, nga mbretëreshat. Ja pse themi se veshjet e saj kanë stil mbretëror. Katerina shfaq siguri në çdo veshje që realizon, në çdo gjë që vesh, sepse ajo është bota e saj. Puna e bën të ndihet rehat, të jetojë në paqe, duke ia mbushur botën me optimizëm, andaj e sheh gjithmonë buzagaz. Katerinës i pëlqen të jetë protagonist në botën e modës dhe jo viktimë e saj, një njeri që i zihet fryma, nëse nuk është në një hap me trendet më të fundit. Nëse hedhim një sy në sfilatat e fundit të shtëpive të modës “Erdem”, “Valentino”, “Delpozo”, “Richard Quinn” etj., do të vëmë re të njëjtën frymë krijimi: veshje voluminoze, me shumë tekstil, dhe aksesorë që bien në sy, por, duke qenë se janë veshje tepër artistike dhe nuk mund t’i veshë kushdo, t’i zë syri rrallëherë, andaj njerëzit mendojnë se vijnë nga një epokë tjetër. Pikërisht këtë bën edhe Katerina: veshjet e saj, më tepër sesa retro, janë avangardë.
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...
Albano dhe Baby G, teksa qëndrojnë në oborrin e “Ferma VIP”, kanë treguar historite e tyre të dashurisë ndër vi...