Personazh 11 Prill 2019

Sezoni i parë i Familjes Kuqézi ka 24 episode, ja çfarë zbulojnë më shumë autorët e serialit komik

Personazh

Tashmë i dashur prej të gjithëve, seriali komik “Familja Kuqézi” vjen i ndërtuar sipas modelit amerikan të komedisë. Ai është një prodhim autentik, ku çdo shqiptar gjen veten përmes realitetit të ngjashëm me atë të personazheve. Serial-komedia është një projekt i ideuar 10 vite më parë nga dy autorët e tij, Erion Kame dhe Saimir Gongo, por që mundi të merrte jetë vetëm pak muaj më parë, falë mbështetjes së platformës Tring. “Falënderoj Tring-un, që na bëri pjesë të familjes së tij të madhe dhe së bashku me Sajmirin dhe regjisorin Bledar Linza, kemi bërë një punë gjigante, - shprehet Erion Kame, një prej autorëve të ‘sit.com’-it. - Në fakt, është kontribut i të gjithëve, sepse ajo çka del në ekranin e vogël është pjesë e një pune kolosale. 
Ky sezon i parë televiziv, që për “Familjen Kuqézi” ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm, do të ketë 24 episode. Për dialoged e tyre, përveç autorëve, bashkëpunojnë 4 shkrimtarë: Edi Oga, Ina Gjonçi, Ledian Gjeçi dhe Besnik Mustafai. Për autorët, ky prodhim është një ëndërr e realizuar, një projekt dhe një sipërmarrje e madhe. Saimir Gongo, autori tjetër i serial-komedisë, thotë se, që në krye të herës synimi ishte që të sillnin një “sit.com”, i cili të kishte në qendër familjen shqiptare, që spektatorët e të gjitha grupmoshave të ndiheshin të përfshirë. “Ne nuk kemi krijuar personazhe të çuditshme, por kemi parë përreth dhe brenda vetes për t’i krijuar ata. Ato çka e bëjnë ‘sit.com’-in tërheqës, janë situatat dhe personazhet që kanë një karakter të caktuar, por që në rrethana të ndryshme veprojnë duke zbuluar elemente të personalitetit të tyre. Pra, janë situatat që shpalosin personazhet dhe këta të fundit përpiqen t’i zgjidhin ato, herë pas here duke krijuar situata edhe më komike”, - shpjegon Saimiri
“Familja Kuqézi” vjen me nota të ngrohta dhe gazmore, dhe gjithçka falë punës së mirë të bërë me tekstet, falë shpirtit që aktorët kanë dhënë në rolet e tyre, por edhe skenografisë së realizuar mjeshtërisht nga Albi Çifligu.

Është koha për shërbimin fotografik të revistës dhe sigurisht që takimi s’mund të lihej gjëkund tjetër veçse në shtëpinë e tyre: në shtëpinë Kuqézi. Secili nga gjashtë aktorët po përgatitet në cepin e tij, sepse ky sheshxhirim është kthyer në një shtëpi të dytë për çdonjërin prej tyre.

Genti Kame (Albert Kuqézi), si çdo burrë që i duhen vetëm dy minuta të bëhet gati, është ulur pranë një ngrohëseje e po pret. Adelina Muça (Bela Kuqézi), nga dhoma e saj e gjumit, po u jep dorën e fundit flokëve.

Gent Hazizi, në rolin e Eduartit, xhaxhait të familjes, ka zënë një cep në sallon, duke u kotur mbi kitarë, ndërsa dy fëmijët adoleshentë: Erin Kujofsa (Fatjon Kuqézi) dhe Ester Alushi (Dora Kuqézi), nuk mund të jenë veçse “të kyçur” nëpër dhomat e tyre.

Ah, kemi edhe nënën e dy personazheve meshkuj, Albertit dhe Edit, roli i së cilës, Mines, interpretohet nga aktorja e mirënjohur e teatrit shkodran, Merita Smaja. Nuk para duket shumë nëpër shtëpi, por pas Bertit dhe Edit ndihet se është gjithmonë një dorë e fortë.

Çdo episod i serialit ka të ftuar special një personazh të njohur, i cili përcillet nën një petk karakterial të krijuar sipas ngjarjeve që zhvillohen në “Familjen Kuqézi” në atë episod.

Mbase mund të duket si engjëlli i shtëpisë, e vogla, e ëmbla, por edhe ajo nuk është pa gjë: sa e dashur, aq edhe tinëzare dhe gjithë teka e mendime adoleshentësh. Kjo është Dora Kuqézi, personazhi i pestë i serialit komik, që në fakt është ca nota më poshtë nga Ester Alushi, aktorja që e interpreton atë. Esteri është një vajzë e ëmbël dhe shumë pozitive dhe, përveç moshës, këto tipare e kanë bërë të fitojë zemrën e gjithë ekipit. “Më pëlqen shumë dhe jam pafundësisht e lumtur që jam pjesë e këtij seriali. Ndihem me fat, sepse është një përvojë që as e kisha jetuar dhe as e kisha menduar ndonjëherë. Më erdhi papritur,” - ndan me ne Esteri. E reja është në vitin e dytë të shkollës së mesme “Qemal Stafa” dhe përfshirja në këtë sipërmarrje televizive, kërkon shumë impenjim dhe sakrifica nga ana e saj, që në fakt Esteri nuk i konsideron të tilla. “Kalojmë shumë kohë këtu, sidomos me xhirimet, që na marrin shumë orë. Pasi mbaroj mësimin, çdo ditë vrapoj menjëherë për në prova. Është pak e lodhshme, por vij me qejf, sepse është ajo çka më pëlqen më shumë: të aktroj. Ka pasur ditë kur xhirimet kanë zgjatur deri në mëngjes, por nga dëshira e madhe, nuk ndihem e lodhur.” Esteri ka dy vëllezër, por tashmë Erinin e konsideron të tretin, pasi kimia e tyre si motër e vëlla në serial është bërë shumë e fortë edhe në përditshmëri. “Secili prej pesë aktorëve ka zënë rolin e vet, ashtu si në jetën e vërtetë, dhe unë ndihem si në familje. Kam menduar shumë here që këtij projekti mund t’i vijë fundi. Madje, edhe kur iki në shtëpi pas provave mendoj se si do të ndihem kur të mbarojë. Kënaqemi shumë dhe është një përvojë shumë e bukur për mua,” – tregon më e reja e grupit të xhirimit. Esteri, me talentin e saj, i ka dhënë formë personazhit të Dorës dhe së bashku me pjesëtarët e tjerë krijon një buqetë personazhesh shumë të dashur dhe komike.

NGA: ELONA JAÇELLARI
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
ART DIRECTOR: ORI KAMBERI
MAKE UP ARTIST: NINA MYFTARAJ

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor