Personazh 6 Prill 2019

"Ka çaste kur jam pak problematike, sepse më kap e qeshura gjatë xhirimeve dhe nuk pushoj dot" si është Bela në jetën e vërtetë

Personazh

Nga Elona Jaçellari; Fotografia Armand Habazaj

Gjithnjë e pranishme në teatër, kamera ka qenë më e largët në zhvillimin e profesionit të saj, por, në këtë serial, po shkëlqen në rolin e bashkëshortes, nënës dhe zonjës së shtëpisë. Ajo është Adelina Muça, që e qan rolin e Bela Kuqézit. Aq shumë e gjen në personazh, sa e ke të vështirë të ndash Adelinën nga Bela. “Ka raste, si në episodin ku kemi një sherr me bashkëshortin, kur mënyra sesi sillet Dora, duke shkuar sa te njëri te tjetri, më ngjan shumë me marrëdhëniet që kam edhe unë në familje. Ose kur fillon të luajë vajza ime, që më shumë përfshihemi ne në lojë, sesa ajo. Është shumë bukur, sepse puna në këtë projekt më risjell atmosferën që jetoj gjatë ditës. Mendoj se të gjithë ata që e shohin, e gjejnë veten aty, siç e gjejmë edhe ne që punojmë për të,” - rrëfen Adelina, e cila në serial përcjell një femër, që bazën e karakterit e mbështet te pjesa tradicionale e familjes shqiptare, por me një mentalitet më bashkëkohor. Në marrëdhënie me fëmijët e saj është pak më e hapur, sepse pranon edhe të dashurin e vajzës në shtëpi. Është tolerante me bashkëshortin, por, në momente të caktuara, edhe kapriçozja që e detyron atë të gatuajë apo të lajë enët. “Janë disa gjëra pikante, që nuk para i shohim në familjet tona dhe mua më pëlqen shumë kjo, sepse nëpërmjet tyre, njerëzit edhe mund të modelojnë veten, - shton ajo, duke vijuar të tregojë se gjatë xhirimeve ndihet si në familje. – Ashtu siç është seriali, komik, ashtu është edhe atmosfera që krijohet këtu gjatë xhirimeve. Jemi një familje e madhe, ku gjithë energjia që krijohet gjatë punës shpërfaqet në ekran. Ka çaste kur jam pak problematike, sepse më kap e qeshura gjatë xhirimeve dhe nuk pushoj dot. Pastaj, tensionohem kur mendoj se të tjerët presin që të ndaloj së qeshuri. Kam pasur disa çaste me Gent Hazizin, që kemi bërë nja dhjetë dubla, pasi nuk e shikoja dot në sy, se sapo ta shihja, qeshja. Madje, kemi filluar edhe në jetën e përditshme të themi batutat e komedisë dhe të qeshim.” Adelina po e shijon këtë përvojë televizive, por ndihet me fat që është pjesë e projektit edhe për një fakt tjetër thelbësor: humorin

puritan që buron prej tij. “Është një serial komik, por njëherazi shumë serioz. Nuk ka banalitete dhe ndihem krenare për këtë. Komedinë nuk e sjell banaliteti. Nëse do të ishte ndryshe, unë nuk do të isha bërë pjesë e tij. Edhe në teatër, kur teksti ka qenë sadopak banal apo nëse më janë kërkuar banalitete fizike, jam munduar t’i anashkaloj. Në thelb, ne duhet ta edukojmë publikun,” - përfundon aktorja. Pa dyshim që sukseset e mëdha përshkojnë rrugë të gjata, ndaj të bësh humor të pastër kërkon trefishin e punës dhe angazhimit. “Familja Kuqézi”, me aktorët, autorët, regjisorin, shkrimtarët dhe gjithë stafin e ngritur për të, ia ka dalë të zërë vend urtë e butë perms ekranit, në familjet e të gjithë shqiptarëve.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor