Personazh 5 Prill 2019

"“Nuk e kam menduar dy herë propozimin"; Gent Hazizi në rolin e Edit, xhaxhait beqar të familjes Kuqézi

Personazh

Nga Elona Jaçellari; Fotografia Armand Habazaj

Ka luajtur shumë role në filma, teatër dhe spektakle humori, por nuk e di pse më vjen kaq natyrshëm që figurën e tij ta lidh menjëherë me Albert Kuqézin. Nuk besoj të jetë ngaqë ky personazh është aktualisht në qendër të vëmendjes, por sepse ai vetë ka hyrë aq mirë brenda rolit të xhaxhait beqar, gjithmonë të dështuar në taktikat për t’u afruar me femrat... edhe pse realiteti i Gent Hazizit është krejt ndryshe. Në jetën e vërtetë, ai është i martuar dhe baba i tre fëmijëve. “Komedia është shkruar mirë dhe batutat vijnë natyrshëm. Në serine e parë dhe të dytë ka qenë pak e vështirë, derisa u shtrua personazhi, ndërsa tani të dy autorët shkruajnë për mua, nuk shkruajnë më për personazhin.

Duke më njohur, e kanë më të lehtë, sepse e dinë që Genti e bën edhe këtë batutë, edhe këtë tjetrën, dhe kjo vjen si rrjedhojë e njehsimit të personazhit në jetën e përditshme, me rolin”, - rrëfen Gent Hazizi, i cili tregon se shumë batuta të Edit, ndodh që i përdor edhe gjatë ditës. Ai thotë që është ndier i përkëdhelur që i është dhënë ky rol, pasi përveç veprës, është tejet i kënaqur edhe me kastën e aktorëve dhe bashkëpunëtorët e tjerë. “Nuk e kam menduar dy herë propozimin, sepse personazhi ishte i qartë dhe i mirë. Përpos të tjerash, është një ‘sit.com’ që i mungonte publikut shqiptar. Nuk është bërë ndonjëherë një gjë e këtyre përmasave, me humor të pastër, që e pranojnë të gjithë, që nga fëmijët e vegjël e deri tek të rriturit. Është humor familjar, i krijuar nga një familje normale shqiptare, humor që ndodh në çdo familje. Se ne, sa të mirë jemi, aq edhe absurdë bëhemi në jetën e përditshme.” Edi, është pikërisht i tillë: i mirë dhe absurd. Ai është tipi romantik i një beqari të stazhionuar, që jeton akoma me mamin. Është nga ata djemtë e llastuar, të cilit nuk i pëlqen të rritet. Gentit i pëlqen shumë roli, por edhe kamera, me të cilën ka një kimi të fortë. “Kur jam në sheshxhirim, më pushton adrenalina dhe përpiqem të bëhem një me të gjithë stafin, edhe me ata që rrinë pas kamerave, sepse gjithmonë kam menduar se ata janë publiku ynë i parë. Para xhirimeve, përpiqem të njoh çdo objekt të shtëpisë, duke i prekur me dorë, qoftë ky një libër, një kitarë, një pjatë apo një lugë, në mënyrë që të ambientohem, sepse në njëfarë mënyre edhe ata janë partnerët e mi.” Sa për partnerët e vërtetë të serialit, ata janë kthyer në miq e pjesëtarë të rëndësishëm të jetës së tij.
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
ART DIRECTOR: ORI KAMBERI
MAKE UP ARTIST: NINA MYFTARAJ

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor