Personazh 29 Mars 2019

"Vjen një pikë kur kupton se nuk ke pse jeton për t’u bërë gjithnjë qejfin të tjerëve" e vërteta e hidhur e Amos Zaharisë

Personazh

Amos Zaharia në një shërbim fotografik ndryshe. Të gjithë, kur dalin në fotografi, veshin rrobat më të mira, marrin pamjen më të bukur dhe pozojnë... mundësisht, të qeshur. Por aktori e urren këtë pjesë, ndaj diçka sportive ishte ajo çka na duhej. I veshur casual dhe i thjeshtë në maksimum, Zaharia ka pozuar pa u sforcuar dhe pa u impenjuar, për revistën Living. Dhe rezultati është tepër interesant...

Nga Gentian Minga, Fotografia Edvina Meta (Marrë me shkurtime nga revista Living)

Çfarë do të thotë të jetosh në një familje aktorësh? Më duket interesante si situatë...
E vërteta është se kur jemi bashkë, e harrojmë faktin që jemi aktorë, përveç rasteve kur bisedohet specifikisht për teatër ose film. Fakti që jemi të tre brenda profesionit, na e bën më të lehtë komunikimin profesional midis njëri-tjetrit. Kuptohemi në ajër për iks ose ipsilon çështje. Herë pas here mund t’i kërkojmë njëri-tjetrit ndonjë mendim. Me pak fjalë, kjo situatë na lidh edhe më shumë. Por dua të përmend edhe tim et’, Gjergji Zaharian, i cili gjithnjë na thotë: “Unë jam aktor më i mirë se ju të tre të mbledhur bashkë” dhe këtu mund të shpërthejë ndonjë e qeshur.
Është e vërtetë se aktorët janë më të zotët për të gënjyer, për t’u shtirur, veçanërisht përmes trupit e të shprehurit joverbal?
Të jesh aktor, do të thotë të jesh mbi të gjitha inteligjent dhe krijues. Edhe pse ka pak të vërtetë në pyetjen tënde. Të gjithë gënjejmë. Ndryshimi midis një aktori dhe botës është se kur ajo gënjen, trajtohet me përçmim dhe indinjatë, ndërsa kur ne aktorët gënjejmë, duartrokitemi për këtë.

Në Akademinë e Arteve keni bërë lëndën e plastikës... keni qenë i mirë në atë lëndë?
Plastika konsiston në përdorimin e trupit, përgjithësisht në komunikimin jo verbal. Në 2005-ën, kur isha në Akademinë e Arteve, lëndën e plastikës në kursin tim e jepte Ema Andrea. Dhe po, mund të them se isha ndër të mirët e grupit kur vinte puna për të folur me duar e këmbë. Megjithatë, plastika është më shumë se kaq. Unë thjesht po e përgjithësoj për ta bërë më të qartë.
Në përditshmëri të ndihmon të jesh aktor... Për shembull, të jesh i mërzitur dhe të kesh fytyrën e një të kënaquri; apo të jesh i dashuruar me një vajzë dhe të hiqesh si indiferent etj.
S’kam qenë kurrë i aftë të fsheh ndjenjat e mia. Jam përpjekur, por pa sukses. Prandaj kam përshtypjen se nuk është mimika ose qëndrimi, që të tradhton. Njerëzit e kanë një shqisë të gjashtë për të kuptuar se çfarë ndjen ti për ta. Është një energji që transmetohet dhe sado të përpiqesh, nuk e fsheh dot. Të paktën me mua kështu ndodh.
Meqë ra fjala tek indiferentizmi... ju jeni tip indiferent, deri diku. Është diçka që ju ka hapur probleme me të tjerët?
Vetëm me ata që nuk më njohin dhe për mua nuk ka problem. Vjen një pikë kur kupton se nuk ke pse jeton për t’u bërë gjithnjë qejfin të tjerëve. Nuk mund të them se jam indiferent si natyrë, thjesht injoroj gjërat që nuk më interesojnë. Kjo quhet përzgjedhje, jo indiferentizëm dhe nëse dikush mërzitet për këtë është problemi i tij/saj. Siç thotë Osho, “Askush s’të ka thënë se ti duhet ta shpëtosh njerëzimin”.
E dashura juaj, Gigliola, e ka problem natyrën tuaj paksa indiferente, apo me të jeni më i dashur?
Në fillimet e lidhjes e kishte pak, por tani e ka kuptuar natyrën time dhe çdo gjë është më se në rregull. Por, në fakt, edhe unë jam bërë më i afruar dhe më I dashur se në fillimet tona. Për baby-in s’ka indiferentizëm, çdo gjë sy e vesh!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor