Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Një femër në karrierë që punon me kryq? Mos e beso po deshe, por vajza që zbukuron panelet në programe të ndryshme televizive, po e bën vetë pajën e saj...
Ajo njihet si një personazh me batuta, humor, thënë shqip “gallatë” dhe natyrën pak prej “çuni haram”. Por ja që gazetarja Iva Tiço nuk rresht së befasuari. Paralelisht me “karrjerjen” televizive, siç e quan ajo me shaka përfshirjen në televizion, Iva gjen kohë të merret dhe me qëndisje. Diçka që nuk na e merrte mendja, duke njohur natyrën e saj. Për më tepër, ky nuk është një pasion snob i kohëve të fundit, aspak. “Kam filluar të qëndis shumë vite më parë, në atë kohë kur vajzat e vogla edukoheshin të bëheshin nikoqire të mira, që kur të shkonin te burri të nderoheshin. Unë te burri ende nuk kam shkuar (sipas të gjitha gjasave do të vijë burri tek unë), por në atë kohë, domethënë në fillore, mësova të qep e qëndis, të thur me shtiza e të gatuaj. Mami dhe gjyshja e lane për më vonë, për vitet e shkollës së lartë domethënë, edukimin tim për punën me grep dhe tëholljen e petëve. Dhe meqë kohët ndryshuan sapo fillova gjimnazin, ky edukim i imi mbeti i mangët: petët tani i blej të gatshme, kurse grepin po ma mëson shoqja ime Klaudeta, që, si korçare që është, me gjasa ia kanë mësuar pa mësuar ende të lexojë”, thotë Iva Tiço, gjithmonë me mënyrën e saj, gjithë humor.
Duke filluar nga fëmijëria dhe deri aty nga viti i dytë në gjimnaz, ajo qëndiste gjithë kohës gjatë pushimeve të verës. “Pastaj harrova se qëndisma apo punët e dorës ekzistonin në këtë botë; ishte koha kur, të velur me gjithçka që kishim bërë para viteve ’90 përpiqeshim të gjenim gjëra të reja. Ishte koha kur çentrot dhe mbulesat e tavolinave të punuara me dorë ishin gjëja më demodé në botë dhe lulet natyrale u zëvendësuan me lulet e shëmtuara prej bezeje apo plastike që vinin nga Turqia”, kujton Iva. Për shumë kohë ajo u shkëput nga qëndismat, deri dhjetë vjet më parë, kur një mikesha e saj, në pritje të një vajze, nisi të qëndiste çarçafët apo grykoret e bebes që pritej të lindte dhe i kërkoi ndihmë. “Aty pashë se nuk kisha harruar ta bëja këtë punë. Dhe përveçse ishte diçka e bukur, ishte gjëja më antistres në botë. Përfytyro një ditë të mbushur me takime, me njerëz që ndoshta nuk të pëlqejnë, por që duhet t’i takosh dhe dëgjosh, sepse ta kërkon puna, fjalë dhe tension, rrëmujë e zhurmë dhe në mbrëmje, ajo lodhja e madhe nervore shkarkohet e gjitha kur ulesh dhe me kryqe ngjyra-ngjyra krijon figura të bukura”, thotë Tiço.
“Për tipa si unë, që truri u punon me njëmijë në orë dhe e ka të pamundur të ndalet e zbrazet, kjo është idealja. Nuk arrij kurrë të përqendrohem për të medituar, të zbraz trurin nga mendimet e të bëj joga. Por kam zbuluar se orët e qëndisjes, sidomos gjatë fundjavave, kanë të njëjtin efekt”. Iva ka mësuar të qëndisë, si çdo vajzë tjetër shqiptare, nga mamaja e saj dhe Urania, gjyshja nga i ati. “Kam idenë se qëndisma ishte e vetmja pikë ku mami dhe gjyshja binin dakord”, thotë ajo duke qeshur. “Madje Urania hapte rrugë dhe pohonte se ime më, këtë punë e bënte më mirë se ajo, ndërkohë që vetë kishte si as të fortë nën mëngë qepjen me makinë. Mjaftonte të shihja ato të dyja dhe natyrshëm doja të bëja të njëjtën gjë. Mami ishte ‘novatore’ dhe dinte më shumë stile qëndisjeje. P.sh. në ato çentrot rozë me zambakë të bardhë, kopjuar nga një revistë e vjetër qëndisjeje e gjyshes, e cila quhej “Mani di fata”, pati idenë të zëvendësonim lidhjen e zambakëve me grep, siç kishte bërë gjyshja në fund të viteve ’30 në pajën e saj, me një punim me azhur, të cilin ma mësoi ta bëja me fillin rozë të copës së çentros.
Edhe para një muaji kur e pyeta si bëhet ‘pika franceze’ nuk më la në baltë”. Iva i kushton mjaftueshëm kohë qëndisjes, madje ka ndonjë fundjavë që nuk del fare nga shtëpia e qëndis dhe 10 orë rresht pa lëvizur nga vendi. Siç ka dhe ditë të tjera, që nuk kap gjilpërë me dorë. “Përgjithësisht, kur nis një figure të re, nuk çohem pa e mbaruar dhe e lë punën vetëm kur fillojnë të mos më binden më sytë nga përqendrimi”, thotë. Një pjesë të madhe të punëve që ka bërë i ka dhuruar. “Prej disa vitesh më duket një ide e mirë që, në vend që t’i blej një shoqeje varësen e zakonshme për ditëlindje apo vazon e luleve për shtëpinë e re, t’i dhuroj një punë dore, e cila mund të vendoset në mur me kornizë. E keqja është që, pasi kam bërë dhuratat e para të tilla, më ka dalë keq nami dhe kam një listë pritjeje shumë të gjatë me qëndisma që duhen dhuruar deri në fund të këtij viti. Po për fat të mirë, të gjitha presin me durim dhe nuk mërziten kur dhurata e ditëlindjes në janar u shkon diku nga marsi. Në fund të fundit, shumë prej tyre nuk dinë të qepin as edhe një kopsë, ndaj e vlerësojnë një dhuratë të tillë”. Për Ivën vlen të thuhet: “Lum kush do të të marrë për grua”! Edhe pajën e ka gati!
nga Gentian Minga| Fotografia: Armand Habazaj
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...