Personazh 26 Mars 2019

Njihuni me Brisin, vajzën që "ngrin" pranverën në bizhuteri

Personazh

Nëse në dyqan gjejmë aksesorin që na pëlqen, ndoshta nuk do të na lindë kurrë nevoja të personalizojmë një të tillë e, aq më pak, të krijojmë një të ri. Brisejda Reka, apo Brisi, si e thërrasin të gjithë, ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe prej disa vitesh punon në zyrën e informacionit në TIA (Tirana International Airport).

Nuk i kishte bërë ende të pesëmbëdhjetat kur e kuptoi se në asnjë dyqan nuk po e gjente aksesorin që kishte në mendje. Fillimisht, blinte aksesorë që i personalizonte me detaje origjinale, derisa një ditë vendosi t’i realizonte vetë, nga fillimi deri në fund. Eksperimentoi me stile të ndryshme derisa u njoh dhe përvetësoi teknikën e realizimit të bizhuterive me resinë, xhelin transparent që e kthen lulen apo çdo element tjetër natyror, në të përjetshëm.

E në qoftë se në vazon tuaj këtë pranverë sapo ka çelur një lule aq e bukur, sa do të donit ta ruanit përgjithmonë, Brisi ju tregon mënyrën se si ta bëni këtë gjë: duke e kthyer në një bizhuteri mahnitëse. Për shumë prej nesh, pranvera është stina që na zgjon të gjitha shqisat.

Veçanërisht në këtë kohë e ndiejmë, e shijojmë dhe e çmojnë edhe më shumë të bukurën. Kështu ndodh edhe me Brisin, e cila ka gjetur mënyrën se si të “ngrijë pranverën”, duke krijuar bizhuteri me gjethet e gjelbëruara dhe lulet erëmira e shumëngjyrëshe, të denja për t’u quajtur vepra arti në miniaturë.

Këtë gjë e bën me resinë, xhelin e tejdukshëm, i cili ruan formën dhe ngjyrat e elementit që do të ngrish. Kjo është një teknikë shumë e njohur në botë, por pak e përhapur në vendin tonë. Prandaj edhe Brisit iu desh të lexonte shumë për ta bërë të vetën në mënyrë autodida- kte këtë mënyrë të realizimit të aksesorëve. Kanë kaluar disa vite që kur ajo nisi të eksperimentonte dhe t’u prezantonte ndjekësve të saj në rrjetet sociale këto bizhuteri të reja dhe shumë origjinale, ku asnjëra nuk ngjan me tjetrën.

“Eksperimentet e para me teknikën e resinës i nisa me lulet që rrisja në shtëpi. Për t’i tharë, i vendos mes faqeve të librave për disa ditë dhe, pasi janë gati, më frymëzojnë vetë lulet për t’u dhënë një formë të caktuar me resinë. Mund të realizoj kompozime si me disa lule të ndryshme, ashtu edhe vetëm me një të tillë. Nuk ka rregulla kur je duke krijuar, megjithatë më pëlqen të ruaj formën origjinale, pa i vendosur në një kornizë. E bukura e këtyre krijimeve është se çdo punim është unik, sepse është e pamundur gjesh dy trëndafila, petale, lule, gjethe, gurë apo guaska njësoj. Resina më jep mundësinë të përdor teknika të ndryshme.

Në këtë mënyrë kam ngrirë lulet, pendët, gurët, kokrrat e kafesë e shumëçka që e gjej në natyrë. Duhet vetëm fantazi për të krijuar një punë unike të personalizuar. Edhe pse duket e thjeshtë, aksesorët e realizuar me resinë kërkojnë kohë dhe përkushtim. Mendoj se vlera e këtyre krijimeve qëndron te çdo minutë që u dedikon. Vetëm procesi i tharjes së një shtrese resine kërkon minimalisht 24 orë. Disa krijime kanë nevojë për disa shtresa. Kështu, mesatarisht, një krijim të merr pesë ditë kohë.”

Shumë njerëz e gjejnë qetësinë te joga apo aktivitete të tjera, kurse për Brisin asgjë nuk krahasohet me punën krijuese, realizimin e bizhuterive. Jo vetëm sepse gjatë realizimit të tyre shkëputet nga problematikat e përditshme, por kjo gjë e ka afruar më shumë me natyrën. Gjithashtu, realizon aksesorë duke ricikluar materiale si gomat e biçikletës dhe veshje. Për të, gjithçka mund të kthehet në aksesor: vëthë, varëse, byzylykë, unaza, rrathë për në kokë etj. “Kjo punë më është kthyer në ushqim shpirtëror. Orët që kaloj duke punuar, më japin shumë kënaqësi dhe qetësi,” e përmbyll ajo rrëfimin e saj për Living.

nga Brunilda Lahe | Fotografia: Armand Habazaj

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor