Albano Bogdo : Vajzat më duan se jam i pasur, ndaj kam 4 vite single dhe mendoj se do qendroj beqar
Albano dhe Baby G, teksa qëndrojnë në oborrin e “Ferma VIP”, kanë treguar historite e tyre të dashurisë ndër vi...
Elisabeta vjen nga Amerika dhe prej disa vitesh jeton në Shqipëri. Nga vendlindja ka sjellë një pasion të veçantë, për të cilin, me siguri që nuk keni dëgjuar më parë –quhet “rug hooking” në anglisht, kurse në shqip mund të quhet “punim me thurje”, që është pak a shumë si qëndisja në thes, por në vend të fijeve përdoren rripa cope, kryesisht prej leshi, por dhe prej pambuku apo mëndafshi. Rezultati është mbresëlënës!
Kam filluar të merrem me këtë teknikë rreth njëzet vite më parë. Ma mësoi një mikesha ime në Amerikë, e cila kishte kohë që merrej dhe kur më tregoi punimet e saj, ishin ndër gjërat më të bukura që kisha parë ndonjëherë. Më parë jam marrë me lloje të ndryshme punëdoreje, por asgjë nuk mund të krahasohet me këtë për nga veçantia. Më parë ndryshoja rrobat e fëmijëve, qëndisja, qepja, punoja me shtiza, mirëpo kjo teknikë ishte kaq unike, origjinale, sa më tundoi ta provoja.
Punimi i rrugicave me thurje është i njohur kryesisht në Amerikë, Kanada, Britani dhe Australi, kurse në Europë është gati-gati i panjohur. Është një kraft disi ekskluziv, sepse jo shumë njerëz e njohin dhe e ushtrojnë, por rrethi i personave të interesuar sa vjen dhe po zgjerohet.
Kjo është një teknikë që nisi nga njerëzit të cilët mund të ishin të varfër, me mundësi të kufizuara financiare dhe nuk mund të blinin gjëra të reja; dikur riciklonin rrobat e vjetra, që nuk mund të përdoreshin më, dhe i bënin rrugica. Ose e bënin ngaqë ishin të izoluar, sidomos në dimër, dhe nuk kishin mundësi për të blerë, ndaj riciklonin rrobat e vjetra. Riciklimi nuk është vetëm një prirje e kohëve të fundit. Ata bënin rrugica, por edhe mbulesa krevati, kurse sot, kjo teknikë përdoret më së shumti për rrugica.
Dikur, materialet kanë qenë më të varfra, më të vështira për t’i siguruar, prandaj edhe disenjot kanë qenë të kufizuara dhe jo të larmishme. Sot, është ndryshe. Dikur ishin të detyruar të përdornin vetëm ato çka u gjendeshin në shtëpi, kurse sot vazhdon koncepti i riciklimit, pasi është një vlerë e shtuar, por përdoren dhe materiale të prodhuara enkas për këtë teknikë. Gjithashtu, baza e rrugicës dhe mjetet për të punuar, e lehtësojnë procesin, që duhet thënë se është disi i koklavitur dhe i lodhshëm. Punimet me thurje mund të përdoren për funksione të ndryshme, edhe për veshje, çanta apo jastëkë zbukurimi. Ka artistë që bëjnë portrete, aq të saktë janë, por unë s’do të pëlqeja portrete njerëzish në mur. Më pëlqen të bëj rrugica për t’u shtruar në tokë, më shumë se për në mur. Sa u përket materialeve, mund të përdoren disa lloje, që nga mëndafshi, pambuku, e deri te fijet e leshit. Megjithatë, varet edhe nga funksioni që do të ketë punimi. Nëse është për t’u varur në mur, mëndafshi dhe pambuku janë të përshtatshëm, por nëse do ta shtroni në tokë dhe njerëzit do ta shkelin, duhet të jetë patjetër prej leshi, sepse është më rezistent. Rrugicat e punuara me këtë teknikë durojnë dhe zgjasin në kohë, deri në qindra vjet. Kur punoj për një rrugicë, më pëlqen të kem një ide të saktë të asaj që do të dalë në fund. Përllogaris çdo detaj, sepse nuk jam artiste, por thjesht një njeri i dhënë pas punimit të qilimave me thurje. Përgjithësisht i mbetem besnike modelit, por ka dhe raste kur ndërhyj apo ndryshoj ndonjë ngjyrë. Miq të mitë, që kanë më shumë kohë që merren me këtë art, nxjerrin një disenjo ndryshe nga ajo çka ishte modeli fillestar e në fund punët u dalin bukur, por kjo nuk vlen për mua.Modelet e mia janë bazike, primitive. Më pëlqejnë disenjot gjeometrike, por dhe kafshët, zogjtë, frutat dhe gjethet; natyra në përgjithësi më pëlqen. Më pëlqejnë ngjyrat e ndezura, paçka se punimet bardhezi kanë bukurinë e tyre. Në përgjithësi, ky është një art që bëhet në grup dhe shpesh ndihmojmë njëri-tjetrin me ide për kompozimin e ngjyrave apo materialeve. Ka edhe burra që merren me këtë lloj punëdoreje, por kryesisht është për gra.
Kam dy vite e gjysmë që jetoj në Shqipëri dhe për pasojë, grupin tim të punës e kam larg. Rrallë shihem me ta. Ndërkohë, kam vënë re që duke mos qenë pranë tyre, punoj më rrallë, sepse ky është pasion që ndiqet në grup. Kështu e nisa, e shijova; në një komunitet, dhe s’e shikoj dot si krijimtari të ushtruar në vetmi. Kemi jetë stresuese dhe është ndjesi e mrekullueshme të ulesh me miq dhe të mos flasësh për probleme e halle, por të përhumbesh në diskutime për qilimat. Kur marr bazën e materialet, menjëherë qetësohem dhe harroj çdo gjë që mund të ketë shkuar keq pas një dite të gjatë pune. Edhe miqtë shqiptarë e pëlqejnë atë që bëj, u duket e veçantë. Por çuditërisht, askush nuk më ka kërkuar që t’ia mësoj. Do të më pëlqente ta kaloja te dikush këtë teknikë, por nuk kam kohë, as materiale apo mjete pune të mjaftueshme për ta bërë.
Në vitet ’70 u themelua Shoqata e Artistëve të Thurjes së Rrugicave.
Ka gjithashtu një shoqatë ndërkombëtare, por ajo në SHBA është më përfaqësuese. Ajo u krijua jo vetëm që të promovonte këtë teknikë, por që ta përhapte e t’ua mësonte të rinjve, ta ruanin dhe përcillnin te brezat në vazhdim. Çdo dy vjet mbahet një konferencë në Shtetet e Bashkuara, ku vendosen edhe trendet në materiale, ngjyra, disenjo. Meqenëse është bërë popullore si teknikë, ka tërhequr artiste dhe disenjatorë, që kanë pasuruar disenjot dhe ngjyrat. Dikur, punimet ishin bazike, tejet të thjeshta, tani ka modele dhe ngjyra pa fund.
nga Gentian Minga | Fotografia: Armand Habazaj
Albano dhe Baby G, teksa qëndrojnë në oborrin e “Ferma VIP”, kanë treguar historite e tyre të dashurisë ndër vi...
Ish-Missi dhe modelja shqiptare, Sara Gjordeni, e cila u bë e famshme për pjesmarrjen e saj në Big Brother, është revoltuar me koment...
Për shumë vite, Leonardo DiCaprio ka qenë një nga beqarët më të lakmuar, por më në fund duket se ka një fitu...