Personazh 14 Mars 2019

U trondit bota se nuk punoi Facebook e Instagram një ditë? Lexoni çfarë ka bërë Iva 10 DITË pa INTERNET

Personazh

nga Iva Tiço

Nëse për një gjysmë ore, kur mbetesh pa internet në telefon dhe mendon që ke humbur kontaktet me botën, si mund të rrish pa të dhjetë ditë? Si mund të mbijetosh jashtë rrjeteve sociale kur të gjithë janë aty brenda? Si shtyhet darka kur mungon Whatsapp-i, Viber-i dhe BBM-ja?! Ditari i një gazetareje, që i futet “dietës teknologjike”

E premte

“Puç dhe una”, është mesazhi i fundit që shkruaj në inbox dhe pastaj bubrroj në settings sa të gjej butonin “deactivate” të Facebook-ut. Eshtë ora 18.05 kur ia dal ta shkëpus dhe pastaj, për pak sekonda, mbyllet opsioni ‘Wi-Fi’ dhe mbyll ‘cellular data’. 3G zhduket nga ekrani dhe në vend të saj lexohet VodafoneAL. Vetëm pesë minuta më vonë nga sa kisha marrë vendimin për të jetuar dhjetë ditë me një telefon të thjeshtë, ia kisha dale të shkëputesha. Tani duhet që thjesht vendimi të mbahet.

Dy muaj të shkuara ia kam dalë të qëndroj gati tri ditë pa Facebook. Llastohesha, teksa më shkruanin në Whatsapp, apo më merrnin në telefon për të më pyetur a isha mirë dhe nëse më kishte ndodhur ndonjë gjë, ndërsa në ato tri ditë kisha postuar në Instagram, aq sa më përpara e bëja në një javë. Veç përkëdheljeve, nuk kisha arritur ndonjë gjë më shumë, ndërsa vendimi kësaj radhe është ndryshe: dhjetë ditë pa Facebook, Instagram, Whatsapp, Viber, BBM. Pa gjithë ato gjëra, që dhjetë vjet të shkuara nuk ishin fare në fjalorin tone dhe gjithsesi jetohej për bukuri. “Vërtetë dikur ia dilnim për bukuri, por është e vështirë të qëndrosh jashtë rrjetit, kur ne të gjithë jemi brenda”, më thotë Ilva, kur disa orë përpara i them që të më shkruajë sms të thjeshta ose të më marrë në telefon për çdo gjë… Sikur po nisem në ndonjë ishull të shkretë, edhe pse jam në të njëjtin apartament dhe kam të njëjtin numër telefoni e nuk do humb asgjë. Nuk mund të çmend deri në atë pike, sa të mbyll edhe emailin, sepse nuk është as periudhë pushimesh dhe nuk ia vlen të vë në rrezik të gjitha punët e mia. nuk kufizon as faqet dhe portalet online, sepse dhe ato janë pjesë e punës. Por që të shmang hapjen e Facebook-ut në zyrë, detyrohem ta çaktivizoj për gjithë këto ditë, sepse sado me vullnet ta mbaj veten, e di që do e kem të pamundur të mos futem aty nga kompiuteri i zyrës. Kurse për Instagramin nuk ka asnjë rrezik, për aq kohë se e hapja vetëm në celular. Idealja, por dhe ideja më vintage, do ishte të nxirrja Nokian e vjetër (i thërrisnim bussines, sepse i mbantebateria mbi tri ditë dhe e përdornin gjithë ata që kishin biznese, pra flisnin shumë në telefona), por për iPhoni-in duhet kartë e vogël dhe nuk mund të shkoja në dyqan, të merrja kartë tjetër, për ta zëvendësuar pas dhjetë ditësh… Në fund të fundit një kalitje më shumë për durimin, kur e di që mjafton të bësh një prekje të vogël në ekran dhe t’i rikthehesh botës së qytetëruar të internetit.

Punim i Ivës

E shtunë

Gjumi më ka dalë disa herë, si çdo natë dhe kam prekur telefonin në krah të jastëkut për të parë kush ka shkruar. Zakonisht në të tilla pushime nocturne, lexoj ndonjë gallatë, thashethem apo komente mbi studiot e vona televizive, që bëjmë me një grup prej dhjetë vjetash me shoqe/kolege, e që unë si më gjumashja i shoqëroj me ‘hahahaha më kënaqët’ në mëngjes. Nëse nuk do ishte për “My Tom”, që kërkon ta çoj në banjë dhe ta ushqej, nuk do kisha asgjë për të bërë me celular, derisa të përgjumesha sërish.

Kam zgjedhur një ditë të mirë për të qëndruar pa rrjet: nga ato të shtunat me shi, kur nuk të dilet fare nga shtëpia e që mund të kalohen duke qëndisur dhe gatuar. Një shoqe që diku nga dreka më kërkon diçka, më merr në telefon dhe më pyet a mund të vijë ta ma marrë në shtëpi. Nuk ka vëne re fare që mungoj në Facebook dhe unë nuk e pyes nëse më ka shkruar në Whatsapp. Pas drekës duket koha ideale për të parë tre orë e gjysmë rresht “Na ishte njëherë Amerika. Në kohë normale do bëja një status, ndokush do më komentonte, pastaj do ktheja përgjigje e kështu do vazhdonim gjithë kohës. Por tani, dua s’dua, përqëndrohem tek filmi, plot tre orë e gjysmë dhe ndërprerjet janë vetëm në drejtim të frigoriferit apo kutisë së biskotave në tavolinë. Pas filmit marr librin “Shpirt i egër”. Si në kohët e fakultetit, kur duhej të lexoja shpejt për seminarin e radhës, edhe tani kam afat: të enjten duhet të flas për këtë botim të ri nga “Living” në një emision pasditeje, ndaj deri atëherë duhet ta kem mbaruar. Pra duhet të lë përgjysmë librin “Stambolli” të Orhan Pamuk-ut, që e kam nisur në datën 30 dhjetor, ndërsa nisesha për të kaluar vitin e ri në Stamboll, e kam mbajtur në çantën e dorës edhe dhjetë ditë më pas, për ta lexuar në avion kur udhëtoja për Barcelonë (në fund doli që lexova revistën e Alitalias) … Me shpresën që do ia dal, se deri të enjten do kem lexuar më shumë se treçerekun (rezultati katastrofik me Orhan Pamukun që e dashuroj, më step), i futem leximit të romanit. E ndërpres hera herës për t’i kthyer përgjigje me sms të thjeshta Orneles, që po organizon darkën e të shtunës dhe daljen pas saj dhe deri në nëntë të mbrëmjes kur dal, ia kam dale të lexoj plot 63 faqe libër! Fiks si në kohërat e shkollës.

E dielë

Gjumin nuk e kam bërë me shkëputje për të parë ekranin e celularit (tamam tamam jam kthyer kur po zbardhte, ndaj s’kisha ç’pushime nocturne të bëja ) dhe kur zgjohem krejt, aty nga mesdita e di që veç Tomit të uritur e që mjaullin që të shkojë në banjë, në ekran nuk do ketë gjëra të tjera. Për habinë time lexoj aty dy mesazhe dhe arrij të kuptoj që me këto dreq iPhonash, ndryshe nga Nokia dikur, nuk ke asgjë emocion dhe rrahje zemre kur sheh shenjën e mesazhit, por lexon në ekranin e pahapur kush dhe çfarë të ka shkruar, bashkë me një thirrje të humbur (vërtetë pa internet, por zakoni për ta mbajtur gjithsesi silent telefonin paska qenë një vendim i mirë). Pres të kalojnë dhe nja dy orë të mira përpara se të telefonoj Ornelën. Ajo ia plas të qeshurës me të madhe, kur pyetja ime e dytë, pas asaj si ka fjetur është: “sa like kemi marrë, ça na kanë shkruar”. E kam fjalën për fotot që ajo dhe të tjerët kanë hedhur mbrëmë nëpër faqet e tyre në Facebook. Dhe edhe pse unë jam jashtë rrjetit, surrati im është aty, duke marrë like dhe komente, ndaj nuk mund të mos interesohem për të. Pastaj pjesa tjetër e ditës rrëshket si e djeshmja, zakoni i vjetër më shpie drejt celularit herë pas here, por aty nuk kam ç’të bëj. Mendoj që një ditë më parë, kam humbur me dhjetëra statuse për shiun, kurse sot me siguri do ketë shumë të tilla për të ftohtin që ka nisur. Meqë nuk kam ç’të shoh, u futem albumeve të fotografive dhe fshij rreth një mijë të tilla: screetshot-e, printscreen-e, foto të “gocave” që kanë nisur momente të ndryshme për të na pyetur a na pëlqen modeli e ngjyra e flokëve, gjërat që po blejnë, që po bëjnë, fëmijët e tyre, të shoqeve të tyre, thoin e këputur dhe gatime të ndryshme … Punë kjo, që e kisha lënë gjithmonë për më vonë, e që më merr plot një orë kohë përpara se të mendoj se kjo është pasditja ideale për të parë nja dy seri Harry Potter nëdvd. Dhe atje, përpara hyrjes në binarin nëntë e treçerek nis të besoj sërish tek magjia dhe mendoj që kjo duhet ndarë me të tjerët. Por nuk kam se ku ta shkuaj... Të nis dhe unë një buf?

E hënë

Një natë më parë kisha pasur idenë e mirë për të vënë zgjimin në celular në 7 e gjysmë, që të shkoj në palestër. Por tani ideja për t’u kthyer në anën tjetër, e për të fjetur edhe më, më duket ide edhe më e mirë. Tre orë më vonë, ndërsa pi tasin e madh të kafës më mungon leximi i atyre njëqind mesazheve të “gocave”… Një natë më parë i kam shkruar Fiorit sms, nëse ma kishte nisur intervistën për Living online në mail, por ajo nuk e kishte parë të arsyeshme të më thoshtë ndonjë gjë që mund të kishin llomotitur “gocat” ndërkaq: “Vetë doje të bëjë dietë teknologjike, vazhdo tani eksperimentin”, më thotë teksa unë e siguroj që do duroj. Pastaj në zyrë vjen momenti i emailit. Nuk e kam hapur që të premten pasdreke dhe shoh që çdo gjë është normal: horoskopi i personalizuar i të shtunës dhe të dielës, që fshihen menjëherë, i të hënës që lexohet dhe harrohet në sekondë, një dyzinë ofertash nga net-a-porter, Victoria Secrets dhe gjithë faqet, ku kam bërë e nuk kam bërë shopping në të shkuarën, bashkë me disa e-maile rutinë… Bota është rrotulluar po njëlloj dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Pastaj vjen leximi një e nga një i nja dhjetë portaleve, që mbaron më shpejt se zakonisht: nuk kam asnjë faqe Facebook-u hapur që të më bëjë ‘ping’ orë e çast sa herë më shkruajnë a komentojnë aty, dhe gjithë punët e tjera ecin përsëmbari, ndër to dhe përkthimi i plot dhjetë faqeve nga libri që kam marrë përsipër (një aventurë e re kjo që s’di nëse do shkojë deri në fund) e që ndërpiten ose nga ndonjë sms ose telefonatë e shkurtër. Ajo më e gjata, e Ilvës, vjen në kohën që jam jashtë për kafe, ndaj i tregoj gjerë e gjatë se si  kam jetuar këto ditë pa internet. Ajo më inkurajon “bravo”, kurse Ani, shoqja me të cilën punoj, më tregon se si dje i është hapur barku kur ka parë me dhjetëra foto me dëborë në Dajt dhe statuse që ankoheshin për trafikun drejt tij: e njëjta gjë që ndodh çdo verë me fotot dhe statuset me Dhërmiun. Ja këtë nuk e kisha menduar: ia vleka që ta bëj këtë “dietën e facebook-ut” dhe në gusht.

E martë

Bateria e telefonit në mëngjes është 55 përqind dhe hera e fundit që ka qenë në karikim ishte e hëna në mëngjes: nëse nuk paske internet, iPhone na u ktheka në Nokia business! Bateria ka mbajtur kaq shumë me gjithë telefonatën e mbrëshme një çerek orëshe të Ilvës, që dha nja dhjetë ide të tjera se pa çfarë mund të rri unë nga dhjetë ditë e të mbaj ditar, bashkë me telefonatën mbi një orëshe të Ornelës, ku u përmblodh, komentua dhe analizua minutë pas minute çdo detaj i daljes së fundjavës… Pa telefon me vete, ushtrimet e mëngjesit në palestër bëhen shpejt e shpejt nga njëra vegël në tjetrën, pa u dashur të shkosh tek ai cepi tek shkallët, ku nuk mungon kurrë interneti për të kontrolluar se ç’bëhet në Whatsapp. Kurse kafja dhe dreka e lehtë me Marçelën, nuk mund të kuptohen pa praninë e Samsungut të saj të madh që nuk e heq kurrë nga dora, bashkë me një gisht që lëviz shpejt mbi të: meqënëse jemi ulur te Dada në Bllok, duhet të kryejmë gjithë ritet që bëjnë pjeshkat në të tilla vende, një selfie, një diçiturë funny dhe postim në Instagram dhe Facebook. “Bëri Eva like”, thotë Marcela për një mikeshën tonë, dhe pastaj asgjë tjetër: “Doje të rrije jashtë, plas po deshe”. Pasdite vonë, teksa shtëpia më në fund ka arritur të ngrohet nga kondicionerët, por batanija sërish nuk ia vlen të hiqet nga divani, ikin dritat. Sigurisht që dora shkon direkt tek celulari dhe Facebook-u, më shumë sesa për të bërë një status, për të parë se kujt i kanë ikur tjetër dritat dhe çfarë defekti mund të ketë: sigurisht që friends - at e mi do kenë informacion të mjaftueshëm… Është i pari moment në pesë ditë, që ndihem tmerrësisht e penduar për këtë vendim idiot për të qëndruar pa internet. Kështu ndihen vallë të gjithë ata që futen në klinika rehabilitimi kur tentojnë të arratisen prej tyre!? Si do rri vetëm unë tani dhe çdo bëj në errësirë, e shkëputur nga bota? Kujtoj kohët e shkollës, kur iknin dritat. Atëherë unë dhe shoqja ime e dhomës ndiznim shumë qirinj dhe lexonim librat që kishim për seminar, ose kopjonim leksionet, lexonim gjithë zell pa ngritur kokën nga libri dhe sapo vinin dritat ia shtronim me muhabet, deri afër mëngjesit. Kështu vendos ta kaloj kohën dhe tani, ndez gjithë qirinjtë aromantikë, që kam blerë për Krishtlindje, e që nuk i kam përdorur thuajse, fare dhe lexoj për nja treçerek ore “Shpirt i egër”, që po shkon drejt fundit… Pastaj në telefon merr Ornela dhe ndërkohë që vijnë dritat, flas ca më shumë se një orë në telefon… Fiks si në kohërat e shkollës: lexohet në errësirë, ama llogjet duan drita!

E mërkurë

Një nga momentet më të vështira të jetesës me celular të thjeshtë, është kur je trafik. Sidomos kur makinat nuk lëvizin pothuajse fare dhe vargu para teje shtrihet në pesë semaforë rresht. Ky është moment ideal për të bërë llogje në Facebook. Ose për të bërë një selfie të hajrit, për t’i vënë ca filtra edhe më të hajrit akoma, e për ta hedhur në Instagram… E di që kjo frazë mund të ndezë komente negative, nëse thuhet me zë të lartë në ndonjë studio televizive, sepse telefoni është rreptësisht i ndaluar në timon edhe kur je duke folur, jo më të përhumbesh nëpër internet, gjë që dënohet me heqje patente, por ja që unë jam nga ato të sinqertat: unë në makinë e përdor telefonin me të gjitha aplikacionet e tij në internet, më shumë se kudo tjetër dhe se tualetin aty e bëj shumë të bukur, më mirë se në pasqyrën e shtëpisë. Ndërsa me grimin vazhdoj normalisht, gjithë këto ditë mërzitem, se nuk di si do kaloj pjesën tjetër të kohës në timon. Kur gjej ndonjë “viktimë” që e ka me nge llomotitjen, e bëj me qejf, por sot rruga deri në zyrë mezi shtyhet, sepse të gjithë janë të zënë… Kurse performanca ime muzikore me sa kam në kokë, shihet me shumë dyshim nga një makinë ngjitur, gjë që më bën të mendoj se ky kalim kohe ka vlerë të bëhet vetëm natën, kur nuk duket se kush jam. Leximi i portaleve sot në zyrë zgjat më shumë… Meqë kam mall për llogje Facebook-u, shkrimet andej – këndej i lexoj me gjithë komentet poshtë tyre dhe kjo duket sikur më mbush boshllëkun çfarë-po-ndodh-atje-jashtë. Dhe sipas forcës së zakonit, një selfie për të shfrytëzuar rrezet e diellit dhe shallin rozë. E vetmja në jetë që bëhet dhe nuk ka ku shfaqet.

Lexoni këtu 4 ditët e mbetura dhe gjithçka që Iva bëri ! 

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor