Personazh 14 Mars 2019

Kush fshihet pas blogut më të ndjekur të gatimit "Adda's All"

Personazh

Nga Santana Çomora

Të gjithë e njohin Adën, edhe pse nuk është shfaqur kurrë në publik. Ajo nuk ka preferuar të marrë pëlqime për paraqitjen e saj, por për atë që bën në jetën e përditshme.

Nuk është e thënë ta njohësh një njeri nga pamja në rrjete sociale, për të kuptuar se si është. Kjo vlen edhe për atë, që gatuan me kaq dashuri e finesë receta prej disa vitesh, dhe arrin të realizojë foto kaq të bukura, të zgjedhë këndet më të mira të shtëpisë e të tregojë pa sforco, por me një delikatesë të paimponueshme jetën e saj, që nga udhëtimet e deri te ritualet ditore. Kjo është Uarda Shahinaj, vajza që me dy botimet e saj (“#tëdielave” dhe “Jeto, dashuro, ushqehu”) si dhe me blogun “Adda’s All” solli një frymë të re në botën e rrjeteve sociale.

Adën e takova ditët e fundit të nëntorit, kur kishte ardhur nga Italia, ku jeton prej vitesh, për të pushuar disa ditë pranë familjes së saj. Duhet ta pranoj që u befasova edhe më shumë nga natyra e saj. Isha e bindur se do t’ia ndryshoja mendjen për të realizuar një fotografi për revistën “Living”, por Ada, me mënyrën e saj, më bindi për të kundërtën. “Ndjekësit e mi tashmë janë dorëzuar, - thotë ajo me të qeshur. – Dorëzohu dhe ti.” Të qenët në qendër të vëmendjes nuk ka qenë asnjëherë pika e saj e fortë. Është natyrë e tërhequr dhe, mbi të gjitha, jashtë blogut e rrjeteve sociale bën një jetë të qetë, që i pëlqen ta mbajë të tillë.

“Me krijimin e blogut, doja të sillja diçka të veçantë, jashtë skemave tipike të viteve të fundit në rrjetet sociale. “Adda’s all” po kthehet pak nga pak në një brend. Sot drejtohet nga unë, në të ardhmen mund të drejtohet nga një skuadër. Blogu, pasi kështu më pëlqen ta quaj, ka kaluar në nivelin e një platforme profesionale, që konkurron me çdolloj platform tjetër të nivelit ushqimor në botë.” Ada ka zgjedhur të bëjë një jetë ndryshe, ta interpretojë atë brenda realitetit, duke ruajtur konceptin e saj individual. Nuk e ka të qartë se cili është ai koncept, por interpreton dhe transmeton rolin e një njeriu që e do jetën, rrezet e para të diellit, që shijon verën e kuqe, që vdes për mikun e saj katërputrosh, Kitty-n, që gëzon si fëmijë për pemën e Vitit të Ri, që pëlqen tortën me mollë, qumështin me biskota, kafenë ekspres, romanet rozë njujorkezë, melodinë e “La vie en Rose”, bukën me djathin francez dhe detin në dimër.

AJO I KISHTE IDETË TË QARTA QË KUR JETONTE KËTU. Zgjodhi shkollën bujqësore vetëm për t’u larguar nga Shqipëria, edhe pse ëndërronte gazetarinë, por Bujqësori ishte universiteti i vetëm që ofronte bursa shkollimi në disa vende të Europës. Fati deshi që ajo të studionte në Amiens, një rrethinë e Parisit. Amiens-i është një qytet studentor, që solli një ndryshim të jashtëzakonshëm në formimin e saj personal.

“ADDA’S ALL” (Të gjitha të Adës) lindi si një ditar online, një emër i shkurtër, por që thotë shumë: “Sikur ta kisha ditur atëherë që do të arrija këtu ku jam sot, ndoshta do të kisha zgjedhur një emër tjetër, por tani që e mendoj, nuk më vjen ndër mend asnjë më i përshtatëm. Unë jam Uarda vetëm për ata që më njohin formalisht; Ada jam për njerëzit më të afërt, dhe lexueset e mia i konsideroj të tilla, mikesha të afërta.”

Nuk mund të them se është supersticioze, por gjatë kohës që kalojmë bashkë, Ada më thotë se numri 7 është numri që gjithmonë i ka sjellë fat në jetë. “Ja, tani, duke folur së bashku kuptoj se gjërat më të rëndësishme të jetës më kanë ndodhur me një 7 brenda. Nuk po bëj listën e ndodhive lidhur me këtë numër, se do të më quaje të çmendur ,” – shton ajo duke qeshur e fillon të flasë për pasionet e saj, udhëtimet, ato që e mbushin shpirtërisht. Nuk është nga ato turiste që gjurmon muzetë, për të kuptuar historinë dhe kulturën e një vendi. Atë e frymëzojnë rrugicat e shtëpive. Ka raste që i vjen të trokasë në një derë, ta ftojnë brenda dhe të gatuajë e të hajë së bashku me të zonjën e shtëpisë. Vetëm kështu arrin ta ndiejë vërtet një vend. Udhëtimet  e kanë bërë atë që është sot. Nëse do të fliste për nivele restorantesh, do të veçonte Singaporin, ndërsa vendi që gatuan më mirë, për të mbetet Spanja. “Në Spanjë hahet mirë në çdo qoshe rruge, pa lexuar domosdoshmërisht në Tripadvisor dhe kjo e bën për mua vendin numër 1,” – thotë ajo.

Ada është shumë tradicionale në kuzhinë. Si shije pëlqen të kripurat, edhe pse i gatuan shumë mirë të ëmblat. Nuk e kupton kuzhinën molekulare dhe as qëllimin e saj. “Gastronomia molekulare mund të jetë e ardhmja nëpër shumë restorante, por në kuzhinat e shtëpive tona kurrsesi; do të na duhej të bënim të gjithë, që në lindje, një kurs kimie,” – shton, duke bërë ironi me këtë fakt.

Deri tani, ajo ka provuar tre shefat më të mirë sipas Guidës Michelin, ku do të veçonte Rëne Rexhepin, jo për shijen e ushqimit, por për mënyrën si e shndërron një produkt pa vlerë, në një pjatë me 5 yje. Që të bën të hash milingona e mos të të vijë vështirë dhe të duket vetja si një personazh i përrallave të Andersenit. Ada është e qartë edhe kur e pyes nëse një ditë mund të vendosë të kthehet e të hapë një restorant në atdhe. “Unë nuk kam formimin e duhur për të hapur një restorant. Restoranti nuk është vetëm receta të veçanta e pjata me shije, por një makineri prodhuese, që mua nuk më ngjall frymëzim as këtu ku jetoj, jo më në Shqipëri.”

Përtej famës dhe emrit të njohur, ajo gëzon si ditën e parë kur merr komente e klikime për recetat e gatuara me aq dashuri. Në vend të parë të të gjithë recetave të gatimit të saj mbetet

“Sytliaçi i pjekur”, një recetë turke e përshtatur me shijet dhe teknikat e saj. “Jo vetëm që më pas është realizuar pothuajse nga të gjithë ndjekësit e mi, por është receta që ka qarkulluar më shumë nëpër portalet e tjera në Shqipëri dhe Kosovë. Madje e kam parë dhe në faqe të huaja,” – shprehet Ada, e kënaqur. Për momentin, Ada po bën një periudhë pushimi, pasi kuzhina është art dhe ka nevojë të frymëzohet, që të sjellë diçka të veçantë, ashtu siç kanë qenë dhe dy librat e pare

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor