Personazh 9 Mars 2019

Kur ke një teze si Xhesika Berberi; Supermodelja tregon marrëdhënien e ngushtë me mbesën Evelin

Personazh

Nga Gentian Minga, shkëputur nga revista Living

Të jesh teto apo ungj është gjëja më  e bukur në botë... vetëm një teze (hallë) mund të  dhurojë përqafime si një nënë, të ruajë sekrete si një motër dhe të argëtohet me ty si një shoqe. Një dajë (xhaxha) mund të të mësojë të luash futboll, të ngasësh makinën e të bësh vajzat për vete. Marrëdhënia me nipërit dhe mbesat është e vetmja që dhuron kënaqësi pa asnjë detyrim, kurse ajo me tetot dhe ungjit e vetmja që fal lumturi pa asnjë kufizim...

Të jesh nip është po aq bukur sa të jesh xhaxha apo dajë. Mund ta them me siguri këtë, pasi në jetë i kam provuar të tria. Ne gjithmonë flasim për marrëdhënien me prindërit dhe kurrë për ata njerëz të rëndësishëm dhe po aq të pranishëm në jetën tonë, si vëllezërit dhe motrat e tyre. Shumica prej nesh kanë zgjedhur të ndjekin shembullin e babait apo mamasë së tyre, por për disa të tjerë, tetot apo ungjit ndonjëherë bëhen modeli që u dikton jetën. Marrim vëllanë tim, për shembull... Që i vogël ka qenë i lidhur me dajën tonë shofer. Ai kishte një autobus turizmi dhe e merrte me vete ngado vëllanë. I mësoi madje t’i jepte makinës kur ishte vetëm tetë vjeç. Kjo lidhje qëndroi e fortë edhe kur vëllai im u rrit, deri sa u zhvendos në një qytet tjetër. Daja ka dy djem, por me asnjërin nuk pati një lidhje si kjo me nipin. E tregova këtë histori për të kuptuar se, si fëmijë ne tërhiqemi nga modele të ndryshme dhe kush i mbart këto modele bëhet vendimtar për ne. Im vëlla donte të bëhej shofer si daja dhe u bë. I tillë është ende sot. Në disa raste idhujt tanë janë tetot, ungjit dhe është marrëdhënia me ta që përcakton të ardhmen tonë. Më shumë kujtime Nipërit dhe mbesat krijojnë ndjesinë e përmbushjes dhe të të qenit të vlefshëm, teksa tetot dhe ungjit dhurojnë kujtime.

“Një nga momentet më të bukura të fëmijërisë ka qenë ai kur shkoja për vizitë te halla dhe ajo më përgatiste një supë me makarona të vogla në formë shkronjash”, do më thoshte kolegia Amarilda Duraj, kur mori vesh për temën që po shkruaja. Ilda duket sikur nuk ka thjesht një kujtim nga halla e saj, por ripërjeton një ndjesi ngrohtësie dhe llastimi sikur supën ta kishte ngrënë jo më larg se dje. Fëmijët që jetojnë pranë të afërmve është provuar se janë më të lumtur dhe arkivojnë kujtime të mrekullueshme, një pasuri e vërtetë për njeriun.

 

Më shumë modele Tetot dhe ungjit janë të pranishëm në jetët tona në forma nga më të ndryshmet, duke sjellë secili diçka unike. Për Ildën, halla është baras me aroma kuzhine; të gjithë e kemi pasur një teto që gatuante për të lëpirë gishtat dhe në kujtesën tonë janë gdhendur vizitat në shtëpinë e saj, kujtime që “vijnë erë e mirë”. Por mund të kesh një hallë si imja, një grua hokatare dhe me humor. 12 vjeç kam ndarë dhomën e gjumit me të për një javë dhe çdo natë më tregonte nga një anekdotë me “llafe turpi”. Daja mund të jetë tipi që njeh këdo dhe zgjidh çdo problem, por dhe artisti që e sheh nga ekrani e me të cilin krenohesh. Një teze e re mund të të bëhet shoqe e ngushtë, me të cilën mund të bësh shopping, të flasësh për djemtë, etj. Prindërit ofrojnë dy modele, por “ushtria” e vëllezërve e motrave të tyre ofrojnë me dhjetëra, prandaj prania e tyre pasuron karakterin tonë.

Lumturi pa kosto

I keni parasysh ato qeniet e vogla, me duar dhe këmbë të vockla pas të cilave marrosemi? Gjëja e mirë kur je teze ose hallë është se bebet mund t’ju falin lumturi pa “efekte anësore”. Nuk jeni ju që i keni mbajtur në bark për nëntë muaj, nuk keni pasur ju përzierje e të vjella prej tyre, as dhimbje mesi dhe kyçesh. Nuk ju është dashur ta gdhini natën, apo të torturoheni kur u dalin dhëmbët. Këto qenie të mrekullueshme janë aty pa asnjë mundim nga ana juaj. Nëse jeni dajë apo xhaxha, nuk keni shpenzuar para për pelena e pudër. As i keni çuar dhe marrë nga kopshti. Nuk ju kanë lënë pa parë ndeshjen e futbollit, se e kanë bllokuar televizorin te “Tring Tring”. Eh, jo! Këto qenie të vockla me buzëqeshje shëruese janë aty vetëm që t’ju falin lumturi, pa u dashur “të paguani” për të.

 

E njëjta gjë vlen për nipat e mbesat... Tetot dhe ungjit vetëm i lëvdojnë, nuk i kritikojnë. Nuk u kërkojnë llogari se kur dolën e kur hynë në shtëpi. Nuk u ushtrojnë presion që të mësojnë, as lidhin kokën me peshqir se dëftesa nxin nga pesat. Me ta mund të flasësh për një zënkë në shkollë, për futbollin, modën, etj. Nuk premtojnë çokollata, po të sillesh mirë. Kur shkon tek ata për vizitë, të pyesin çfarë do për drake dhe mandej ta përgatisin atë me dashuri. Dhe në fund, kur ikën, duke të shkelur syrin, të fusin ndonjë lek në xhep. Të lejojnë të hash patate të skuqura, patatina, të pish pije me gaz dhe nuk të detyrojnë të kaptosh me zor supën e perimeve apo gjellën me presh, që ti nuk e honeps dot. Tezet e hallat të lejojnë të veshësh minifunde, kurse dajat dhe xhaxhallarët jo vetëm që nuk i tmerron ideja se i jep makinës që 15 vjeç, por përkundrazi, janë vetë ata që ta mësojnë. Të jesh nip e mbesë është me “leverdi” po aq sa të jesh teto a ungj!

Një lidhje që po shuhet

Për shkak të jetës moderne, punëve më impenjative, thellimit të distancave dhe mungesës së kohës në përgjithësi, raportet me “familjen e madhe” sa vijnë dhe dobësohen. A është kjo një gjë e mirë? Nëse tetoja e ungji po veniten si figura, kush po e zë vendin e tyre? Disa miq të rinj virtualë në Facebook? Përpos jetës me dinamikë të çmendur, një rol të rëndësishëm në dobësimin e këtij raporti luan teknologjia. Dikur një teto të nxirrte për shëtitje në park, ose një ungj do luante futboll me ty në oborrin e shtëpisë. Kurse tani fëmijët preferojnë Nintendon. Më kujtohet se kur ishte ende bebe, nipi im hante vetëm po të bëja “shfaqje” para tij, të kërceja e këndoja. Kurse sot, siç sugjeron dhe reklama e një kompanie celulare në një spot publicitar në televizion, mjafton të vendosësh një video që i pëlqen në android dhe ai do hutohet pas saj dhe do ta boshatisë pjatën. Ka plot arsye pse rëndësia e familjes së madhe në jetën e një fëmije po venitet, po jemi të kënaqur gjithsesi që këtë numër të revistës Xhesika Berberi Modelja tregon për marrëdhënien me mbesën 3 vjeçare, (asokohe, në vitin 2014) Evelin. Ajo është po aq e bukur sa tezja e saj dhe me siguri do bëhet modele kur të rritet.

“Kur mora vesh se motra ime ishte shtatzënë përjetova një emocion të bukur, që s’e kisha përjetuar kurrë më parë. Kam qenë 19 vjeç kur Evelushi më bëri teze. Jeta më ndryshoi, jo vetëm mua, por gjithë familjes. Gëzimi erdhi në shtëpi. Fillova t’i shikoj gjërat me një sy tjetër dhe bota ime tashmë rrotullohej rreth saj. Gjëja e parë që urova ishte të bëhesha me mbesë, doja të ishte vajzë dhe m’u plotësua dëshira. Shikoja që motrës i rritej barku dhe me padurim prisja ditën kur do të takohesha me engjëllin tonë të vogël; ishte data 9 prill kur ajo erdhi në jetë, e shtunë, ora 05:00. Peshonte 2.9 kg, kishte flokë të gjatë, të zinj dhe sy blu. Kur e mora në krahë për herë të parë ka qenë momenti më i bukur i jetës sime. Në atë çast mendova se asgjë nuk do të na ndante! E në fakt, jemi shumë të lidhura. Aq sa fjala e parë që Evelin tha ishte emri im, ndonëse është e vështirë për t’u besuar, sepse nuk është aq i thjeshtë për t’u shqiptuar. Fizikisht nuk ka marrë nga unë, është më tepër një miks i prindërve të saj në tipare. E kam mbajtur në krahë që ditën e parë, më dukej si një kukull e vogël. Ishte fëmijë i mbarë. Mbaj mend se e zinte gjumi me ninullat e mia dhe kjo ma mbushte shpirtin me gëzim.

Unë jam rasti tipik i një tezeje. Nuk e shikoj dot të mërzitet. Dua ta bëj gjithmonë të qeshë, ta shikoj të lumtur, por dhe nuk dua ta llastoj më shumë se ç’duhet. Mundohem të kaloj sa më shumë kohë me të. Nëse jam e mërzitur apo e stresuar, më mjafton të takoj Evelinën dhe gjithçka ndryshon. Më bën të qesh, e kam si ilaç. Më pëlqen t’i blej veshje, madje kur shkoj në Amerikë i futem me kokë dyqaneve vetëm për të. Rri me orë e orë të tëra, deri sa i bëj kombinimin perfekt. Të jesh teze është ndjesi fantastike, por dhe të jesh mbesë, është bukur. Kam edhe unë një teze, me të cilën jam shumë e lidhur. Kur kam qenë e vogël kisha shumë qejf të flija te shtëpia e saj, sepse aty isha e lirë të bëja ç’të doja”.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor