Dekorime 28 Shkurt 2019

50 shades of GREY; brenda një apartamenti të vogël arreduar sipas stilit skandinav

Dekorime

NË NJË NGA ZONAT MË TË PREFERUARA NË KODRAT E TIRANËS, DO TË SHOHIM NJË APARTAMENT TË VOGËL, POR FUNKSIONAL, KU PËRDORIMI I RAFINUAR I VOLUMEVE, NDRIÇIMIT DHE DEKOREVE, KRIJOJNË NJË AMBIENT  ELEGANT PËR NJË STIL JETESE SA MË BASHKËKOHOR.

ÇDO METËR KATROR I NJË APARTAMENTI, është i çmuar, ndaj hapësira duhet shfrytëzuar në mënyrë sa më efikase, pa lënë mënjanë komoditetin dhe estetikën. Kështu, në këtë projekt është punuar për kombinimin e duhur midis këtyre aspekteve thelbësore, për të dhënë një rezultat maksimal. Apartamenti gjendet në një kompleks banimi në kodrat në jug të Tiranës. Sipërfaqja neto e tij është 60 metra katrorë dhe përbëhet nga hyrja, zona living (një hapësirë e hapur), një dhomë gjumi martesore, një studio/dhomë teke, tualeti dhe një ballkon, të cilat kanë akses direkt në zonën living.

PËR ARSYE BUXHETI, një nga kushtet e vendosura ishte që të ndërhyhej sa më pak në planimetri. Fatmirësisht, ajo nuk paraqiste problematika serioze, por gjithsesi kërkonte një projekt mobilimi që ta lidhte të tërën në një formë qartësisht të lexueshme, funksionale dhe koherente

HYRJA KARAKTERIZOHET NGA MOBILIA/KONSOLE e ulët e këpucëve dhe një pasqyrë e lartë. Këtu dominon ngjyra e bardhë, që bën kontrast me kafen e ngrohtë të pllakave të dyshemesë, të cilat përshkojnë gjithë zonën e shërbimit. Elementet dekorative me tonalitete të errëta, ngacmojnë dhe pasurojnë më tej estetikën e ambientit.

LIVING OPEN SPACE/ SAPO KALOJMË ZONËN E HYRJES, shfaqet zona living, e konceptuar si një hapësirë e hapur, që përfshin një korridor kalimi në shpinën e divanit, zonën e gatimit, të ngrënies dhe zonën librari/TV. E gjitha është e lidhur nga një mobilie modulare e vazhdueshme me forma drejtkëndore, ku zhvillohen funksionet e duhura. Për volumet, është përdorur në mënyrë të guximshme ngjyra gri, e cila i bën ato më të lexueshme dhe falë kontrastit me elementet e bardha, krijon një lojë të bukur formash, që japin vazhdimësi dhe ndjesinë e një hapësire më të madhe. Një element tjetër karakterizues i mobilies, është shpina e saj e bardhë me një ndriçim LED në pjesën e sipërme, e përdorur me qëllim estetik, por edhe funksional për ndriçim dhe atmosferë.

APARTAMENTI KA NJË STIL QË I REFEROHET ATIJ SKANDINAV, ku dominojnë kontrastet ngacmuese midis së bardhës, grisë, ngrohtësisë së drurit, ftohtësisë së metalit, ndriçimit artificial të larmishëm e atij natyral që kalon nëpërmjet dritareve pa perde si edhe ngjyrave të dekoreve, pa harruar të gjelbrën e bimësisë.

ZONA BIBLIOTEKË/TV

PAS ZONËS SË NGRËNIES zhvillohet natyrshëm zona e bibliotekës/TV. Këtë hapësirë e dominon një divan këndor. Ngjyra gri e mobilieve kryesore, thyhet nga ngrohtësia e drurit të tavolinave të vogla dhe motiveve gjeometrike me ngjyra të tapetit. Ndriçimi me projektorë të montuar në shina i jep thellësi bibliotekës, ndërkohë që një abazhur i pozicionuar në cep të divanit, shërben për të ndihmuar leximin. Ora me elemente të zeza, e vendosur mbi mur, qëndron si një instilacion artistik në këtë faqe të bardhë të murit, të rezervuar enkas për të.

ZONA E GATIMIT DHE E NGRËNIES

NË PLANIMETRI KUZHINA zhvillohet në formë “U”-je dhe të gjitha elektroshtëpiaket janë të inkasuara. Dyshemeja është shtruar me pllaka në kontrast funksional dhe estetik me pjesën tjetër me parket. Në tavanin e varur është futur pajisja e kondicionimit, e cila shërben për të gjithë ambientin, dhe janë montuar edhe spotet e ndriçimit. PËR ARSYE STILI DHE RACIONALIZIMI të hapësirës, plani i bardhë i tavolinës është mbështetur nga njëra anë mbi mobilien e kuzhinës, dhe nga ana tjetër mbi një këmbë inoksi në formë “O”-je, e cila i jep elegancë falë materialit metalik. DUKE GUXUAR edhe më tepër me ngjyrën gri, edhe karriget janë zgjedhur të tilla, por të ekuilibruara nga këmbët e drurit. E gjithë kjo formë gati skulpturore, mbyllet me një abazhur të varur sipër tavolinës, i cili i jep dritë dhe vertikalitet. NDËRTHURJA midis zonave të ndryshme funksionale, e bën kontekstin më të larmishëm falë librave, revistave dhe dekoreve të tjera që pasurojnë bibliotekën ngjitur.

MASTERBEDROOM

SËRISH NË DHOMËN E GJUMIT, dominon konstrasti midis grisë së tapicerisë së krevatit, elementeve metalike e decorative dhe bardhësisë së mureve dhe mobilieve. I gjithë ky kontrast, ngrohet nga druri i parketit e i komodinave dhe tapetet anësore.

DOLLAPI ME KANATA XHAMI të rrëshqitshme, është inkasuar në mur duke shmangur rëndesën vizuale që krijon zakonisht një dollap. Duke parë hapësirën tepër të ngushtë për vendosjen e një komoje, muri përballë krevatit karakterizohet thjesht nga një mobilie/ndriçues LED, me një plan për vendosjen e dekoreve. Edhe këtu NDRIÇIMI është realizuar me projektorë në shina për zonën e dollapit, projektorë për leximin, në kokën e krevatit, dhe një ndriçues toke për ndriçim dhe atmosferë, në cepin pranë derës së ballkonit.

DHOMA TEKE/ STUDIO

Është bukur kur një apartament ka një dhomë të dytë gjumi, që mund të përdoret herë si studio e herë si dhomë për miqtë, apo pse jo, edhe si dhomë për fëmijët. Këto funksione kërkon të plotësojë edhe kjo dhomë, falë komoditeteve që ofron, si për shembull, tavolina e punës, dollapi i inkasuar në mur apo divani i cili mund të shndërrohet lehtësisht në një krevat tek apo dopio. Edhe pse koherente me stilin e pjesës tjetër të apartamentit, kjo dhomë është trajtuar në një mënyrë më të qeshur, falë ngjyrave të karriges, jastëkëve apo dekoreve.

TUALETI, një hapësirë relaksi dhe kujdesi për trupin, është konsideruar si një vazhdimësi e natyrshme e stilit të shtëpisë, duke eliminuar diferencën e madhe në trajtim të këtij ambienti, nga ambientet e tjera. Dyshemeja është shtruar me të njëjtën pllakë si zona e hyrjes dhe kuzhina, ndërsa muret janë lyer me një bojë akrilike ngjyrë pastel, e cila garanton higjienën, por vizualisht nuk dallon nga pjesa tjetër e shtëpisë. Dushi është projektuar me dimensione të bollshme, me një pllakë të errët efekt guri, për një experience sa më autentike dhe natyrale gjatë larjes. Edhe këtu nuk mund të mungonte elementi dru me ngjyrë të ëmbël në planin e lavamanit, i cili bie në kontrast me ngjyrën e errët të pllakave të dushit. Në këtë faqe muri mbizotëron një pasqyrë me dy shirita ndriçimi anësorë. Ambienti pasurohet edhe nga elemente të tjera shtesë dekorative dhe funksionale.

OLSI BOCKA, diplomuar në “Politecnico” në Milano, ristrukturon apartamente, zyra dhe locale komerciale, me një kujdes të veçantë ndaj stilit të të jetuarit. 

PËRGATITI: MATILDA TËRPOLLARI/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor