Personazh 27 Shkurt 2019

Elia Zaharia zbulon për Living arkivin e fotove të Mbretëreshës Geraldinë dhe detaje të paditura më parë

Personazh

Nga ELIA ZAHARIA për revistën LIVING
Ndalohet kopjimi dhe shumëfishimi i materialit pa autorizimin e Living MEDIA

Një nga gjërat e para që kam bërë me t’u vendosur në pallatin mbretëror, ishte të rregulloja arkivin, sidomos atë të fotografive.

Kam një pasion të veçantë për historinë. Dua të di rrugëtimin e vendit tim, të shoqërisë. Shumë pikëpyetje dhe paqartësi marrin përgjigje nëse thellohemi në atë që ka ndodhur më parë. Unë e quaj veten me fat që kam pasur rastin të sistemoj, studioj dhe admiroj fotot e familjes mbretërore shqiptare. Ato hedhin dritë mbi mënyrën e jetesës, harmoninë, periudhat e ndryshme të rrugëtimit të tyre, nga vitet e monarkisë, mërgimi nëpër botë dhe kthimi në atdhe.

Duke hyrë në albumet e vjetra ndjej se kam privilegjin e një udhëtimi në kohë... Më duket sikur shoh nëpërmjet një vrime çelësi Shqipërinë e gjyshërve tanë.

Stili dhe moda në oborrin mbretëror zinin vend të rëndësishëm. Kam përshtypjen se ishte pjesë e filozofisë e politikës së mbretit të merrte një drejtim të qartë perëndimor. Stili, veshja dhe moda e atyre viteve janë pasqyrim i saktë i kësaj qasjeje të mbretërisë shqiptare.

Në çdo kohë imazhi përcjell mesazhe, ndaj për një vend të vogël si yni, me 500 vjet osmanizëm pas, theksi te një imazh evropian ishte mjaft i domosdoshëm. Kontesha hungareze ndikoi me kulturën që solli në oborr, për t’i dhënë një tjetër përmasë stilit të jetesës. Çka kuptohet qartë edhe në biografinë e saj.

Geraldina gjeti një pallat mbreti beqar, të cilin e ktheu në një pallat familjeje mbretërore. Paja e saj ishte e pasur në qëndisma dhe materiale të vyera mbulesash, perdesh, pecetash, servisesh austro-hungareze. Dora dhe shija femërore i dhanë sharm jo vetëm oborrit, por pati ndikim në të gjithë shoqërinë. Geraldina, në shkrimet ndërkombëtare që pasqyruan dasmën e saj, u cilësua si mbretëresha më e bukur e epokës. Firmat më aktive në oborr ishin Chanel dhe Worth. Ato kishin një kallëp me përmasat e mbretëreshës.

Chanel ishte në fillimet e saj. Cilësohej një markë premtuese dhe modern për kohën. Ajo çka përbën kuriozitet është fustani i dasmës, i qëndisur me fije ari dhe perla sipas veshjeve kombëtare. Me rastin e martesës mbretërore, prej tyre u organizua një sfilatë, e cila u quajt matinée albanaise (mëngjes shqiptar).

Sidoqoftë, të mos harrojmë se prania e Geraldinës në vendin tonë ishte e shkurtër. Rrugën drejt kulturës evropiane e kishin shtruar tashmë për gati dy dekada princeshat shqiptare, motrat e mbretit. Si promotore të modernizimit të gruas shqiptare, ato ishin të parat që veshën uniformë ushtarake, të parat që kalëruan si kalorëse, të parat që veshën rroba banje në plazhet e rivierës.

Mbreti, përpara se të kërkonte emancipimin e gruas në familjet konservatore dhe patriarkale shqiptare, duhet dhe ishte logjike të niste nga familja e tij. Motrat u bënë shembulli i parë i këtyre ndryshimeve të mëdha në rolin e gruas. Të mos harrojmë se gruaja shqiptare ka votuar përpara se kjo e drejtë të fitohej në shumë vende të tjera evropiane. Roli i princeshave në shoqërinë tonë ishte me shumë peshë. Ato kishin detyra në promovimin e turizmit, artit, sportit, ishin në krye të Kryqit të Kuq, etj.

Madje vizita e tyre në SHBA u pasqyrua në të gjithë shtypin ndërkombëtar. Ato u përgëzuan për stilin, elegancën dhe notën glamour që i shtuan imazhit të Shqipërisë. Duhet thënë se princeshat shqiptare dhe sidomos mbretëresha Geraldinë, pushtuan shtypin e kohës duke u bërë shembull konkret i një shoqërie pikëtakimi mes orientit dhe oksidentit. ë biografinë e Geraldinës mësojmë se ishte mbreti që zgjidhte veshjet e saj. Në fejesë, ai zgjodhi personalisht tre fustane mëngjesi, gjashtë fustane pasditeje, tre kostume, gjashtë fustane balloje dhe rroba sportive.

Nga Maison de Blanc Paris, porositi fustane shumë të bukura për në shtëpi, si edhe dhjetë komplete të brendshmesh prej mëndafshi, të stolisura me dantella elegante. Secila veshje kishte këpucë, kapele, dorashka dhe çantat e veta të kombinuara, bashkë me çorapet e holla prej mëndafshi. Kapelabërësi, Geraldinën e kishte parë vetëm në fotografi dhe çdo kapele ishte punuar enkas për të. Ai kompletoi një gardërobë që i shkonte për shtat një mbretëreshe. Stili dhe jetesa në kohën e mbretërisë është dëshmia se Shqipëria e ka zgjedhur Perëndimin që atëherë, jo thjesht tani. Sot është e lehtë të bësh këtë zgjedhje, por 100 vjet përpara, kjo ishte një sfidë e mirëfilltë. Nuk duhet në asnjë mënyrë të krahasojmë Shqipërinë sot me atë të djeshmen. Të mos harrojmë se mbreti Zog hoqi me ligj ferexhenë.

Në atë kohë femra mbulohej. Madje, nëse shohim fotot e Marubit, edhe kostumi katolik i Shkodrës është i mbuluar. Pra, po thyhej një mentalitet 500-vjeçar dhe ne të gjithë e dimë se mentaliteti është koncepti më i vështirë për t’u ndryshuar. Por mbreti Zog ka pasur një vizion të qartë dhe mbi të gjitha, një vendosmëri të pashoqe për të realizuar këtë vizion. Në stilin e oborrit luajtën rol të rëndësishëm ushtarët britanikë dhe bashkëshortet e tyre. Kapelat ishin detaji dhe aksesori më përfaqësues i këtij ndikimi. Kolonelët dhe oficerët e xhandarmërisë ishin anglezë.

Ata u vendosën në Shqipëri familjarisht. Patjetër që ata sillnin edhe kulturën e vendit nga vinin. Zonjat e tyre, me veshjet dhe aksesorët kishin ndikim. Po në atë kohë lulëzonte tregtia me vendet e tjera dhe nuk duhet anashkaluar as ndikimi i zonjave italiane në Shkodër e Vlorë dhe atyre franceze në Korçë. Në të gjitha revistat dhe gazetat e kohës kishte faqe promocionale të markave të kozmetikës apo veshjeve. Në çdo ballo të organizuar nga mbreti, zonjat shqiptare prezantoheshin me gjithë klasin dhe elegancën e kohës. Ato që më vonë u quajtën “klasat e përmbysura”, nuk ishin tjetër përveç aristokracisë shqiptare, njerëzit që përqafuan dhe sollën Evropën, ata që bënin ekonominë e tregut të funksiononte.

Unë kam pasur rastin të takoj një zonjë të familjes Toptani përpara gati 15 vitesh. Isha në shtëpinë e saj rastësisht, së bashku me të mbesën. Aty pashë për herë të parë dëshminë e gjallë të aristokracisë shqiptare. Në mur varej një portret zonjushe, me një tiarë diamantesh. E pyeta se kush ishte në atë picture dhe ajo u përgjigj: “Jam unë”. Ishte një portret nga dasma e mbretit Zog. Quhej Fifi. Nisi të tregonte si në shtëpinë e saj vinin çdo sezon katalogët e Chanel-it. Bizhuteritë i porosisnin nga Cartier. Familjet e mëdha të kohës jetonin në një hap me aristokracinë evropiane.

Ç do kohë ka modën e saj, por eleganca mbetet. Elegancë nuk do të thotë të biesh në sy, por të mbahesh mend. Unë vetë e admiroj të bukurën, të përmbajturën, diskreten, thjeshtësinë dhe pastërtinë. Kurrë nuk do të vishja diçka që do të më nxirrte nga vetja, vetëm pse është në modë. Mendoj se çdokush duhet të veshë atë që i rri bukur, që nuk e tjetërson. Në përditshmëri jam sportive dhe më pëlqen të ndihem rehat. Ndërsa në raste apo evenimente të caktuara paraqitem siç e kërkon kodi i veshjes, pa dalë nga vetja. Moda e viteve `30 më pëlqen dhe jam e lumtur që ajo rikthehet nëpërmjet materialeve si kadifja, dantella, mëndafshet, prerjet femërore dhe klasike, aksesorët, etj. Madje jam duke përgatitur një eveniment ku theksi do të jetë pikërisht mbi stilin e atyre viteve. Veshja ishte pjesë e rëndësishme edhe në ballot e ndryshme që organizoheshin nga mbreti. Fotot flasin më shumë se fjalët. Zotërinjtë mbanin frakun ose uniformat ceremoniale të stolisura me urdhra e dekorata, ndërsa zonjat visheshin me fustane të stolisura, diadema dhe bizhuteri të çmuara. Ajo çka më emocionon është përdorimi i veshjeve kombëtare në ballo dhe ceremoni.

Në foto të ndryshme shohim se elementi tradicional është ndërthurur kurdoherë me atë modern. Veshjet kombëtare të qëndisura me fije ari janë kryefjala e çdo balloje. Ndoshta kjo më ka frymëzuar edhe mua që në çdo përfaqësim jashtë Shqipërisë, në mbrëmje gala, të ndërthur elementin tradicional me fustanin e mbrëmjes. Sallat e ballove ishin gjithmonë të dekoruara me lule, ku mbizotëronin trëndafilat e bardhë, zambakët, jargavanët, karafilat e mimozat.

Tavolinat shtroheshin me sete argjendi të gdhendura me stemën e familjes mbretërore. Shërbeheshin pjatanca me specialitete të banketeve evropiane si dhe specialitete shqiptare që mbreti i porosiste për të ftuarit e tij. Muret, sipas përshkrimeve të mbretëreshës dhe fotove, ishin të stolisura me shpata e armë argjendi dhe xhamadanë të qëndisur. Ajo që vërehet është se ballot dhe ceremonitë ishin vitrinë e vlerave tona kombëtare, gërshetuar me prurjet evropiane.

Për fat të keq, nuk kanë mbetur veshje të Geraldinës në arkiv. Ata morën me vete shumë pak veshje, ndërsa bizhuteritë i shitën në kohëra të vështira. Madje kur lexoj dëshminë e mbretëreshës kur u detyrua të shesë unazën e fejesës për të organizuar ceremoninë e varrimit të mbretit Zog, trishtohem.

Ajo shkruan se vlera e asaj unaze për këdo që e gëzon, është materiale, një diamant i bukur në dorë, ndërsa për të ruante kujtimin e dashurisë së vetme, të një jete përkushtimi dhe sakrifice. U detyrua të shesë diademën, sete të tëra stolish, por unaza e fejesës, paçka se më pak e kushtueshme se të tjerat, duket që e ka dëshpëruar vërtet”.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor