Personazh 20 Shkurt 2019

"Jam viktimë e modës" Kush është blogerja e famshme që vishet kokë e këmbë Chanel

Personazh

Nga Santana Çomora Fotografia/ Endrit Mërtiri : Revista speciale e verës nr: 14

Në moshën 17-vjeçare iu desh të kursente shumë që të blinte këpucët e saj të para “Prada”, ndërsa sot është një kliente e rregullt e firmave më prestigjioze në botë dhe një “guru” e modës shqiptare, përkrah mikeshës së saj të ngushtë e të pandarë prej vitesh, Jonida Maliqit. Alba Danaj, e cila jeton prej 18 vitesh në Luksemburg dhe ka një djalë 7 vjeç, rrëfen adhurimin për stilin e Chanel dhe filozofinë e saj mbi elegancën dhe sharmin. “Më pëlqen luksi dhe ai nuk gjendet te pasuria apo zbukurimet, por tek mungesa e vulgaritetit. Vulgariteti është fjala më e keqe në fjalorin tonë. Pikërisht, për këtë arsye jam bërë pjesë e lojës, për ta luftuar atë”, citon një nga thëniet e famshme të Coco-së, stilistja që ka ndikuar më së shumti në përqasjen e saj ndaj modës..

Ajo është e njohur në rrjetin social “Instagram” për veshjet e saj sharmante, për pamjen tërësisht Chanel, për miqësinë e hershme me këngëtaren e njohur Jonida Maliqi; që kur ishin shoqe në liceun artistik, Alba për flaut dhe Jonida për kitarë, e që vazhdon të ruhet ende sot, duke ndarë shumë momente së bashku, ndonëse janë larg njëra-tjetrës. Alba është njohëse e mirë e gjashtë gjuhëve të huaja. Por mbi të gjitha, ajo nuk mund t’u shmanget dot vitrinave të dyqaneve. “Jam një viktimë e modës”, më thotë, “edhe pse përpiqem shumë të mos bie pre e veshjeve, por dorëzohem shpejt”. Shpeshherë kam një déjà vu me veten.


Sakrifikoj shumë për ta pasur diçka që e adhuroj, por dua të theksoj se tashmë jam një viktimë mode më e kujdesshme, sepse e di se çfarë dua dhe nuk bëj më shpenzime të kota… Pak e saktë, që me kalimin e kohës bëhet, shumë e saktë”

Alba ka një stil krejt të veçantë. Mes klasikes së Chanel-it dhe natyrës sportive të saj, gjen vend çdo prurje e re. Arrin t’i kombinojë shumë mirë të dyja, duke krijuar një imazh unik, i cili vetëm asaj mund t’i qëndrojë aq mirë. “Kam qenë që e vogël kështu. Që në moshën 17-vjeçare kurseva derisa me paratë e mbledhura arrita të blija një palë këpucë Prada”, kujton ajo. Sot, me pamjen e një femre të plotësuar, ajo është e njohur në të gjitha dyqanet më me emër të Chanel-it, si në Milano, Paris dhe së fundmi në Luksemburg (i hapur para disa vjetësh). Ka qenë shpesh e ftuar në sfilatat e kësaj marke, ka takuar njerëz të modës, është informuar gjithmonë për prurjet më të reja dhe ka ditur të guxojë në stilin e saj. “Edhe pse njerëzit këtu vishen shumë thjesht, unë arrij ta shpreh fantazinë time në veshje, duke bërë dallim nga të tjerët”. Alba ka edhe pasione të tjera. I pëlqen të udhëtojë. Ka pasur fatin të prekë shumë shtete, të njohë shumë kultura, por ëndrra e saj në sirtar mbetet një libër kushtuar gatimit. “E dua kuzhinën dhe përpiqem të eksperimentoj mjaft receta, të cilat i kam huazuar nga vendet ku kam shëtitur dhe përpiqem t’i bëjë pjesë të tavolinës sime”, thotë ajo.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor