Personazh 18 Shkurt 2019

Kush është meksikania që udhëtoi botën e ndaloi në Shqipëri për të praktikuar ritualin e vjetës të fiseve maja

Personazh

 

NGA: BRUNILDA LAHE/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Andrea Garcia Herrera vjen nga kryeqyteti i Meksikës, Nju Meksiko, është 28 vjeçe dhe prej 6 muajsh jeton në Shqipëri. Katër vjet më parë filloi të udhëtonte nëpër botë dhe dëshira për të eksploruar dhe mësuar për kulturat e ndryshme, e solli edhe në vendin tonë. Këto vite kanë qenë si një udhëtim shpirtëror për Andrean, e cila ka ndërruar plotësisht karrierë, dhe nga menaxhere marketingu tanimë është një trajnere jete. Përveç këtyre, u është kthyer edhe traditave e ritualeve të vjetra të vendit të saj të origjinës, një ndër të cilat është rituali i kakaos. Kjo është një ceremoni tradicionale me efekte të shumanshme, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo mendore apo shpirtërore, e cila është e lidhur me ndjesitë dhe nxjerr në sipërfaqe ndjenja të thella, të cilat mund të mos i kesh përjetuar më parë ose mund t’ia kesh ndaluar vetes. Ky ritual i ka rrënjët në fiset Maja, atëherë kur kakaoja ishte “pija e perëndive”. Sot të gjithë mund të pimë një filxhan kakao, por meksikania na tregon sesi ta kthejmë në një ritual që të ngroh zemrën, të bën të krijosh një marrëdhënie më të mirë me veten dhe të tjerët dhe të gjesh qetësi shpirtërore. “Para se të ndryshoja rrjedhën e jetës, punoja në sektorin e marketingut, në një kompani që shiste produkte kozmetike. Krejt papritur u gjenda përpara një kompjuteri  nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 10:00 të darkës, dhe nuk kisha fare kohë të lirë. Ishte një punë e këndshme, por nuk e kisha idenë se ç’bëhej jashtë, nuk dija nëse binte shi apo ishte kohë me diell. Kështu, i bëra vetes një pyetje: ‘Kush më detyron të rri këtu?’ Më pas fillova të lexoja disa libra, të cilët nuk ishin shumë domethënës, por thelbi i tyre ishte se duhet ta zgjedhim vetë jetën që dëshirojmë, jo dikush tjetër. Ndaj, fillova ta njihja më mirë veten dhe të bëja diçka më domethënëse.

Ky ishte momenti kur nisa të ndryshoja.” Andrea dha dorëheqjen nga puna dhe filloi të udhëtonte nëpër botë, për të njohur më mirë veten. Para se të vinte në Shqipëri, shkoi në Kosta Rika, në Peru, më pas në Florida e disa shtete të tjera të Amerikës së veriut, kurse në Europë zgjodhi të eksploronte kulturën e Gjermanisë dhe Anglisë.

“Çdo udhëtim ishte një eksperiencë e re, që më mësoi diçka. Përvoja në jug të Meksikës më ndihmoi të gjeja rrënjët e mia dhe të njihesha me origjinën time. E kisha të nevojshme të lidhesha me një pjesë të vetes që nuk e njihja shumë mirë. Peruja është shumë e bukur, sepse kultura e inkasve është shumë interesante dhe ata janë të lidhur shpirtërisht me tokën. Atje fillova të lidhesha më shumë me natyrën. Kurse në Shqipëri është efekti i shqiponjës. Këtu ndihem e lire dhe jam duke shijuar jetën. Në shumë vende të Europës jam ndier si në shtëpinë time, ndaj mendoj të qëndroj në Europë, por se ku, nuk e kam vendosur akoma.” Jeta e saj filloi të merrte kuptimin e duhur kur u prezantua me trajnerin e saj të jetës, i cili ishte nga Irlanda. Kështu, Andrea hapi një kapitull të ri dhe nisi të përgatitej edhe vetë për t’u bërë një trajnere jete. Të qenët trajner jete ka filluar të jetë një profesion i ri në shumë vende. Ata janë udhëheqës shpirtërorë që të ndihmojnë ta njohësh më mirë veten me anë të pyetjeve. Një trajner jete nuk të jep kurrë këshilla e as të sugjeron se çfarë duhet të bësh, por të bën vetëm pyetje, që përgjigjet t’i gjesh brenda vetes. Kjo nuk ka shumë lidhje me të shkuarën, por më tepër me të ardhmen. Pra, ideja është që të shkojmë drejt së ardhmes me mundësitë që kemi sot. Këtë bëjnë trajnerët e jetës.

Këtë profesion ajo e ushtron me kurse online, ndërsa në Shqipëri ka sjellë për herë të parë ritualin me të cilin është rritur në vendin e saj, ceremoninë që është trashëguar brez pas brezi. “Kakaoja është një bimë që depërton thellë në ndjenjat tona. Kur pimë kakao të pastër, ndiejmë se zemra rreh më fort, duke na ndihmuar të çlirojmë ndjenjat, sepse teobromina, që është përbërësi kryesor i kakaos, ka efekte të shumanshme dhe të ndihmon të nxjerrësh në sipërfaqe ndjenja të thella, të cilat mund të mos i kesh përjetuar më parë ose mund t’ia kesh ndaluar vetes. Kakaoja të bën të ndihesh më i çlirët, që të burojnë mendime më të thella. Në Meksikë, Guatemalë dhe tashmë dhe në shumë vende të tjera të botës, njerëzit ndajnë me njëri-tjetrin çaste, të cilat i shoqërojnë me një filxhan kakao. Përveç kësaj, këtë pije e përdorin edhe për vetitë kuruese që mbart, sepse sikurse e dimë, natyra na ofron shumë bimë mjekësore, ndër të cilat është edhe kakaoja.” Ceremonia e kakaos kërkon zakonisht dy ose më shumë vetë. Për këtë ceremoni ndërtohet  një altar, që të nderohet plotësisht ky çast i ditës, të cilin e quajnë të shenjtë. Më pas, udhëheqësja e ceremonies dhe të ftuarit e tjerë ulen rreth tij. Në altar vendoset zjarri, uji dhe bimët natyrore për të kujtuar elementët e tokës, por edhe shkopinj “Palo Santo”, të cilët ndihmojnë në pastrimin e ambientit, rrëshirë aromatike nga Meksika dhe pendë, që gjithashtu lidhen me natyrën, pasi edhe kakaoja është bimë natyrore. “Unë vendos gjithmonë një ikonë të vogël të Shën Mërisë, të cilën në Meksikë e quajmë Virgjëresha e Guadalupes, për energjinë që ajo përcjell. Kurse libri që lexoj gjatë ceremonisë së kakaos, është një libër që më frymëzon jashtë mase, pasi flet për të gjitha ciklet që ne përjetojmë si qenie njerëzore, por edhe gjatë kësaj ceremonie.” Rituali i kakaos është i thjeshtë: në ambientin e pastruar dhe mbushur me aromat e natyrës, konsumohet një filxhan kakao, ndërsa në sfond të shoqëron një muzikë qetësuese. Kjo bëhet për të shtuar efektet e kakaos dhe për të shijuar atmosferën që krijojnë ato.

“Fillimisht, duhet të lidhemi shpirtërisht me kakaon, ndaj e nuhasim. Ky është çasti i duhur për të menduar një dëshirë: si dëshiron të ndihesh, çfarë do që të kuptosh apo të shërosh në trupin tënd. Kur ndihesh e lidhur me kakaon, atëherë mund ta pish atë. Pas 10 apo 15 minutash do të fillosh të ndiesh efektet e saj dhe dalëngadalë, fillon të çlirosh të gjitha ndjenjat e tua.”

Kjo gjithashtu mund të konsiderohet si një séance meditimi. Pasi mbyll sytë, rehatohesh e përqendrohesh te vetja, Andrea nis të lexojë fjalë motivuese. Pasi hap sytë, mund të ndash me të tjerët eksperiencën që përjetove. Rituali mbyllet vetëm pasi në altar shuhet zjarri dhe ajri spërkatet me aromë lulesh e ekstrakt pemësh. Për shumë familje në Meksikë, ky është një ritual i përditshëm, që bëhet kryesisht në mbrëmje. “Këtu në Shqipëri, këtë ritual e kam praktikuar vetëm me femra dhe ato janë ndier shumë të lumtura. Ne mblidhemi për të ndarë emocionet me njëra-tjetrën dhe kam vënë re se njerëzit dhe kryesisht femrat, e kanë të nevojshme të ndajnë me të tjerët ndjenjat e tyre, gjë që e bëjnë më lehtësisht me anë të kakaos”.

Ky proces zgjat rreth një orë. Ceremonia, ashtu si rituale të tjera të cilave u kushtohemi, ka për qëllim të depërtojë në brendinë tonë, për të qenë më të lumtur, më pozitivë, për ta shijuar më mirë jetën dhe për të qenë njerëz më të mirë.

KOSTUMOGRAFIA: ORI KAMBERI/ FLOKËT & GRIMI: GRESA KOTRI

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor