Personazh 15 Shkurt 2019

"Nuk guxoj ta puth në club se njerëzit më keqkuptojnë" rrëfimi i sinqertë i Elona Nallbanit, ish-balerinës së njohur

Personazh

Nga Elona Jaçellari/ Fotografia: Armand Habazaj

Në fillim të viteve ’90, virtualiteti ishte ende një realitet shumë larg jetëve tona. I vetmi burim informacioni që mbushte, pasuronte dhe frymëzonte, ishte ekrani i televizorit. Ishte koha kur në Shqipëri, kishte nisur vrullshëm bota e spektakleve dhe televizionet private po gjallonin disi jetën artistike në vend. Ishte pikërisht kjo, koha kur Elona Nallbani u bë një ndër yjet në ngjitje të ekraneve, në spektaklet “12 vallëzime pa një të shtunë”, “Rreth fatit për 12 javë”, festivalet e fundvitit në RTSH në vitet 1993, 1994, 1995, “Telebingo” në TVA, spektaklet e bukurisë së kohës dhe "Shtojzovallet", në fillim të viteve 2000 në Top Channel. Ishin gjithë këto vite karriere të suksesshme, ku balerina e performancave kontemporane spikati me talentin e jashtëzakonshëm dhe, kush është koherent i atyre viteve, me siguri kujton sharmin dhe sensualitetin e Elonës. E njëjtë ka mbetur edhe sot, që sapo ka mbyllur karrierën e saj si balerinë klasike në Teatrin e Operës dhe Baletit, ndërkohë që ka kaluar pragun e të 43-ve. E mbushur me energji dhe shumë rinore, shumëkush mund të mendojë që me mbylljen e karrierës së balerinës, Elona ka nisur një jetë të re, me një partner të ri në krah. Ka plot nga ata që bëjnë thashetheme dhe janë xhelozë, por Elona është krenare që ai që të gjithë kujtojnë se e ka partner, në fakt, është djali i saj, Marti. E po, me një mami kaq rinore sa Elona, fatkeqësisht ndodhin edhe keqkuptime, nga ato që i prishin më shumë punë Martit të saj 19-vjeçar, sesa vetë Elonës. Kjo, sepse mami Elona ka mbetur shumë vajzërore, ndërsa Marti e ka tejkaluar moshën që ka, me rritjen e shpejtë. “Kemi një marrëdhënie fantastike me njëri-tjetrin dhe jemi shumë konfidencialë. Kur postoj foto, më pëlqen kjo pjesa që dukemi si moshatarë, se më duket vetja edhe mua e re.

Kur u bë 15-vjeç dhe filloi maturimi, filloi të burrërohej, filloi palestrën dhe nisi të dukej më i madh se mosha që kishte. Të gjithë kujtonin se ishim motër e vëlla, - rrëfen Elona Nallbani për herë të parë për këtë raport në revistën ‘Living’. – Para pak kohësh, Marti mori pjesë në një shërbim fotografik dhe mua s’më mbante vendi, - vazhdon ajo. - Kisha qejf t’i bëja ndonjë foto, video, isha kaq e lumtur që e shikoja Martin të bënte këtë gjë dhe pothuajse të gjithë njerëzit që ishin aty, më pyesnin: ‘Tani, ti je motra e Martit apo me shumë dyshim, mami?’ Pse të gënjej? Kjo është një pjesë që ma ledhaton shumë sedrën, por atyre iu thosha: 'Pse, ndodh që në këto shërbime fotografike të vijnë motrat që shoqërojnë vëllezërit?'" Kam përshtypjen se kjo gjë, Martin e bën të ndihet mirë vetëm pjesërisht, sepse ka edhe çaste që e penalizon. Kur jemi në klub bashkë, më vjen ta puth, por, nëse e bëj, jam e sigurt që ai do të më shtyjë. Ai edhe mund të më puthë mua, por mua ma ka ndaluar që ta puth. Dua shumë ta përkëdhel, ta kap për faqesh, por nuk e bëj dot, sepse ai është këtu, serioz (impostohet me trup) ‘Mos moj, se na shohin njerëzit!’ Dhe unë tërhiqem, se mendoj që mund të krijoj mendime të këqija tek të tjerët. Më mbetet të shkruaj një parullë në ballë: UNË JAM MAMI." (Qesh me të madhe.) I gjithë rrethi i Elonës e di që ajo ka një djalë, por Marti është burrëruar aq shumë, sa njerëzit e humbasin koherencën, për të bërë lidhjen që ai është djali i saj. Nga ana tjetër, Elona nuk preferon t’ia lërë të lirë territorin të birit, por, ashtu si nënë e bir, shok dhe shoqe, janë gjithnjë e kudo bashkë, në plazh, në jetën e natës. “Një natë, unë po kërceja dhe dikush afër meje, i thotë: ‘O Marti, sa bukur kërcen mami!’ Ai më përkëdheli te koka, më tërhoqi dhe më përqafoi. Kjo më bën të ndihem shumë mirë, sepse mund edhe të më thoshte: 'Çfarë bën kështu, o ma?!' Por, ka pasur dhe raste kur kam qenë në tavolinë me Martin, mbesën time, shoqërinë e tyre dhe ai më ka ngacmuar me ndonjë batutë: ‘Shiko si do të bëjë, sikur është shumë e re!’ Por e thotë me shaka dhe nuk më ka bërë kurrë të ndihem keq. Edhe unë jam e gatshme t'ia kthej me batutë: 'Pse, çfarë kanë më shumë se unë ato që rri ti?'" - vazhdon të rrëfejë Elona për marrëdhënien speciale që ka me Martin e saj 19-vjeçar. Fakti që ai ka pamjen e një djali shumë më të rritur se mosha e tij, e kënaq pa masë ish-balerinën e TKOB, e cila e ka humbur të atin para se ajo vetë të vinte në jetë. Nga ana tjetër, mungesa e një figure autoritare në shtëpi, e ka rritur disi pa korniza. “Jam rritur me vëllain në shtëpi dhe me të kam pasur të njëjtën marrëdhënie që kam me Martin: pa barriera. Nuk kisha kufizim për të ndenjur në shtëpi me veshje të shkurtra, transparente. Të njëjtin raport kam zhvilluar edhe me Martin.” Madje, Elona nuk është përpjekur kurrë të ndryshojë stil, për hir të faktit që tani djali i është bërë burrë. Në verë, atë e sheh gjithmonë tek ecën shkujdesur me një fund apo pantallona shumë të shkurtra xhins, ndërkohë që vazhdon të mbajë ende për dore Martin e saj, tashmë të rritur. “Një natë të Vitit të Ri, kur Marti ishte 4 vjeç, mora nga ai komplimentin e parë për veshjen. Mbaj mend që kisha veshur një pale pantallona dhe një këmishë e m’u bë zemra mal kur djali më tha se isha veshur shumë bukur, - ndan me ne Elona. - Në atë çast kuptova që, përveç kënaqësisë që mora, duhej ta edukoja Martin me shije të mira dhe të bukura. Më pas, shpeshherë, kur vishesha, e pyesja si dukesha. Duke u rritur, ai filloi të bënte edhe korrigjuesin.” Marrëdhënia që Elona krijoi me të birin përmes veshjes, ndërtoi një urë, e cila i lidhi dhe i bëri shumë të afërt me njëri-tjetrin. Ndër të tjera, u shembi edhe barrierat e moshës. “Tani nuk më pëlqen të vishem brenda kornizës së moshës sime. Vishem ekstravagante, sportive, moderne. Mendoj që autoriteti nuk krijohet nga veshja, por, përkundrazi, më çon më afër djalit. Duke qenë një mama që vesh edhe pantallona të shkurtra, gjë që jo shumë moshatare të miat e bëjnë, kjo na bën të dyve të ndihemi më pranë.” Nëse nuk do të kishte ndërruar punë, shumë gjëra nuk do të kishin ndryshuar ende në prirjen e saj për të qenë dhe për t'u dukur gjithmonë një vajzë e vogël. Prej disa muajsh, ish-balerina e artit klasik është pedagoge e Kompozimit në Danc, lëndë kryesore e degës së Koreografisënë Universitetin e Arteve. Kjo e ka imponuar të bëhet disi më serioze në stil, por gjithsesi, Elona mendon që autoriteti nuk vendoset me veshje, njësoj siç ka bërë edhe me Martin.

STILI I ELONËS

Nuk i pëlqen të ketë një stil standard. Nuk do të personifikohet as si klasike, as si moderne dhe as si sportive, por të eksperimentojë me të tria bashkë. “Me kalimin e viteve fiton pjekurinë e duhur. Krijon personalitet, stilin tënd të të jetuarit dhe të të veshurit. Unë kam ndryshuar ndër vite. Po të kujtoj Elonën adoleshente, mbaj mend që më tërhiqnin veshjet ekstravagante. E dija cilat ishin pikat e mia të forta dhe më pëlqente t’i nxirrja në pah. Një minifund, një gjë e ngushtë pas trupit, një dekolte... Ime më thoshte të mos e ekzagjeroja, të tregohesha më femër. ‘Ti je artiste, Elona. Je balerinë,  duhet të kesh finesë.’ Më vonë kuptova që kishte pasur të drejtë. Klasikja më pëlqen, është pjesë e stilit tim, sepse unë vij nga një art klasik, por, shpesh, fundjavave më pëlqen të jem ekstravagante, moderne, pak sportive. Tani, me pozicionin e pedagoges, nuk guxoj ta teproj në veshje, se menjëherë në shtëpi më vjen batuta: ‘Uaaa Zysha!’. Më tërheq shumë ekstravagantja. Nuk i qëndroj dot kaq strikte pjesës akademike. Kështu që do të jem gjithmonë  sa klasike, aq edhe rebele. Edhe kur mendoj që e zeza është ngjyra perfekte për çdo njeri, sidomos për mua që jam bionde, përsëri më pëlqen një veshje e feksur në ngjyrë. Më pëlqen të luaj me ngjyrat, por pa kombinime fikse, të luaj me kontraste që shkojnë me njëra-tjetrën, por edhe me ambientin e shtëpisë... Më emocionon të hyj në shtëpi dhe të shoh diçka të re. E njëjta gjë vlen edhe në gatim. Jam natyrë që e dua ndryshimin. Më pëlqen të prek koherencën, t’i kthehem së kaluarës, më pëlqen kur moda rikthehet dhe kam gjëra në gardërobë, që i mbaj prej 20 vitesh.” Po ta vëzhgosh Elona Nallbanin në 360 gradë, kupton që ajo është detajiste dhe perfeksioniste e çmendur, aq sa dy meshkujt e jetës së saj, i shoqi dhe i biri, ankohen për këtë. I pëlqen rregulli, estetika, komoditeti, të ushqehet mirë, të jetojë mirë, të udhëtojë. “Pavarësisht se që prej prillit nuk kam të njëjtën ngarkesë fizike, ngaqë lashë baletin, falë Zotit jam ende mirë me peshën. Kjo, falë kujdesit që bëj në ushqim. Më pëlqen të jetoj mirë, të kem komoditet në shtëpi, nuk dua rrëmujë, e dua ambientin të ngrohtë, të më kënaqë sytë; të shtroj tavolinën mirë, me raste edhe bukur; dua të kem gjendje shpirtërore të mirë dhe mundohem t’ia arrij në përditshmëri. Një njeri që është i plotësuar shpirtërisht ka një jetë shumë më të mirë,” - përfundon këtë rrëfim të saj pedagogia e Universitetit të Arteve dhe një prej emrave që ka lënë gjurmë në baletin kontemporan e veçanërisht në artin klasik. Elona Nallbani punoi 22 vite pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dhe falë punës e talentit ngjiti majat si soliste e parë. Baleti është jeta e saj, përfshirë tetë vitet e shkollimit. Në total ajo ka jetuar tri dekada të plota me këtë pasion, të cilin e zhvilloi dhe shijoi me gjithë qenien e saj, derisa në prill të 2018-s ndjeu se erdhi koha të ndahej prej tij. Ka realizuar shumë role, ndaj nuk ka as keqardhje e as pengje që skena e uli siparin për të. Ndjen krenari që profesori Agron Alia, i ka hapur me shumë dashuri dyert e Teatrit të Operës, shkallët e të cilit i ngjiti me shumë qetësi, vetëbesim dhe punë, derisa arriti majat.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor