Shtatzania 11 Shkurt 2019

Nga qumështi për urthin deri tek xhinxheri për të përzierat, Rolina Naco tregon regjimin gjatë 9 muajve të shtatzënisë

Shtatzania

Duke ndarë me ju të gjitha këshillat e vlefshme të dietologes Rolina Naço, na lindi pyetja: si ushqehet një dietologe? A i zbaton ajo pikë për pikë të gjitha ato që sugjeron dhe për vlerat e të cilave është tërësisht e vetëdijshme? Shtatzënia e saj e shëndetshme dhe pesha ideale ishin prova më e mire për rekomandimet që jepte. Megjithatë, kureshtja jonë ishte shumë e madhe, ndaj vendosëm ta pyesnim. Dhe nuk ngelëm pa përgjigje. Lexojeni në vijim.


“Pritja e ëmbël e një foshnje për herë të parë është një përvojë e mbushur me emocione të ndryshme. Përjetohet lumturi, sepse do të vijë në jetë një engjëll, por edhe frikë, nëse do të jesh prind i mirë. “Pjesa e të ushqyerit mirë gjatë shtatzënisë është vetëm një nga ankthet e një nëne të ardhshme; një shqetësim tjetër është edhe pesha që mund të shtohet, bashkë me ndryshimet që pëson trupi. Mënyra se si e kam përjetuar shtatzëninë më vërtetoi edhe një here dobitë e këshillave që jap në klinikën time.
Tremujori i parë nuk ishte shumë i vështirë për mua, pasi nuk më ndryshoi shumë mënyra e të ushqyerit. U kujdesa më shumë që të kisha në menynë e përditshme të paktën një sallatë të bollshme, me shumëllojshmëri perimesh. Respektova edhe më shumë mesvaktet dhe i bëra pak më të bollshme. Mesvaktet e mia ishin përveç një fruti, bajamesh, kosi dhe kanelle ose, pas dreke, nëse kisha më shumë uri, konsumoja bukë me djathë e domate ose bukë me tahinë dhe mjaltë, si dhe 1 gotë qumësht. Një nga ushqimet që kisha më shumë dëshirë për të konsumuar ishte lakra. Shumë e çuditshme, por e doja në të gjitha gatimet, gjellë, sallatë, dollma. Ushqimi që nuk doja të haja, të paktën dy muajt e parë, edhe pse me shumë vlera ushqyese, ishte brokoli. Nuk doja ta shikoja me sy! Mund të them se tremujori i parë ishte i qetë, pasi nuk kisha përzierje të shpeshta, vetëm në disa raste, në të cilat, një filxhan çaj me xhenxhefil më qetësonte mjaft.

 


Gjatë tremujorit të dytë, në të vërtetë, mezi prisja të shikoja të më rritej pak barku, por ishte ende herët. Nga fundi i muajit të 4-t dhe në fillim të muajit të 5-të, nisi të dukej. Në këtë periudhë nisën të rriten dhe nevojat kalorike, ndaj vura re se, nëse nuk haja shumë vakte të shpeshta, bija në kurthin e të ngrënit shumë në darkë dhe më pas nuk bëja gjumë të qetë, ndihesha e rënduar, dhe disa herë mund të kisha dhe urth. Ishte e vështirë që të mbaja gjithmonë një regjim kaq strikt, pa asnjë program dhe paramendim në një ditë të ngarkuar me punë. Ndaj dhe më duhej të planifikoja që një ditë më parë se çfarë do të konsumoja dhe të mos e lija në çastin e fundit. Kisha gjithmonë drekën nga shërbimi i qendrës dietologjike ose disa herë mund të gatuaja vetë në shtëpi. Mesvaktet, nëse ndodhesha jashtë, i mbaja me vete në çantë, një frut të  freskët ose fruta të thata, disa herë dhe çokollatë të zezë; ushqime që mund të mbahen me vete. Darka kishte gjithmonë sallatë të shoqëruar me djathë, vezë, legume të ziera, ullinj, avokado dhe para gjumit 1 gotë me qumësht, që më lehtësonte nga urthi dhe më ndihmonte të bëja gjumë më të mirë. Një nga problemet me të cilat përballesha kur dilja në darkë ishte pija. Duke qenë se pijet me alkool nuk i konsumoja dot, pijet me gaz dhe sheqer nuk i pëlqeja (madje as përpara shtatzënisë nuk i kam pirë kurrë këto të fundit), zgjedhja ime ishte birrë pa alkool, e cila më nxirrte nga situata e vështirë. 

via GIPHY


Në tremujorin e fundit, barku dukej dhe ishte i rrumbullakët. Me kalimin e ditëve ndihesha e lumtur, por edhe në ankth, pasi nuk e kisha parë ende gjininë dhe kjo do të ishte surprizë. Shqetësimet gjatë tremujorit të tretë ishin kryesisht dhimbje mesi për shkak të peshës së shtuar në pjesën abdominale. Ushtrimet e jogës ndihmonin mjaft si për dhimbjet e mesit, ashtu edhe për fizikun e të gjithë trupit. Urthi ishte më i theksuar. Qumështi dhe banania ose tërshëra me pak gjizë apo djathë të bardhë më ndihmonin shumë. Nëse nuk kalonte me to, konsumoja kastravec. Muajt e shtatë dhe të tetë ishin muajt kur pesha trupore m’u shtua edhe më shumë, rreth 7 kg për dy muaj. Kjo më shkaktonte pagjumësi apo vështirësi në frymëmarrje. Ecja rreth 20 minuta, më bënte shumë mirë, sidomos në darkë. Hidratimi kishte një rol shumë të rëndësishëm dhe nuk duhet të lihet pas dore nga asnjë grua shtatzënë, pasi rrit mundësinë për infeksione urinare. Këshillohet 2-3 l në ditë, gjë që në fakt, për mua nuk ishte shumë e thjeshtë, ndaj dhe përpiqesha të konsumoja të paktën gjysmën e kësaj sasie. Pjesën tjetër e plotësoja me çaj boronice, xhenxhefili ose trëndafili të egër. Gjithashtu dhe konsumimi i frutave dhe i perimeve më ndihmonte, pasi ato përmbajnë shumë ujë. Duke qenë stina e pranverës dhe e verës *periudha kur Rolina ishte shtatzënë, dhalli i bërë vetë, pa shumë kripë (sepse kripa e tepërt mund të ndikonte për edemë apo të shkaktonte fryrje këmbësh), ishte gjithashtu një nga pijet e mia të parapëlqyera, pasi ishte freskuese, por dhe burim shumë i mirë i kalciumit. Muaji i nëntë ishte edhe më i gjati, ose ndoshta është pritja ajo që e bën të duket të tillë. Ushqyerja ishte shumë e larmishme me frutat e stinës dhe mesi prisja të haja shalqi me djathë të bardhë. Ai ishte pothuajse i përditshëm në menynë time. Kompostoja e ftohtë me kajsi dhe kumbulla ngjyrë vishnje ishte pija ime e parapëlqyer dhe në të njëjtën kohë më ndihmonte të konsumoja edhe më shumë lëngje”. Shkëputur nga revista Living

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor