Gazetarja Anduena Llabani: "Jam ngacmuar nga politikanë dhe personazhe të botës së krimit"
Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të ...
NGA ELONA JAÇELLARI/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
Nëse do të më jepej e drejta të quaja dike “supergrua”, këtë titull do t’ia dorëzoja Mirjam Hutës. Ajo qëndron shumë modestisht ndaj portretit të vetes, por kush e njeh Mirjamin e di se është vërtet e tillë. Me sharm dhe plot stil, here sport e herë shik, Mirjamin e shikon tek qarkullon shkujdesur nëpër Tiranë me biçikletë. Ka gjithmonë një lloj prakticiteti për t’i zgjidhur punët dhe detyrimet. Përvoja dhe rezultatet e arritura janë një shtyllë e fortë mbi të cilën ngrihet, por e jashtëzakonshme tek Mirjami është energjia e saj e pashtershme. Është nga ato gra që ia del t’i bëjë të gjitha, ashtu siç ia doli që biznesin e nisur në fillim të viteve ’90, ta shndërronte në një sipërmarrje të suksesshme. Ishte ndër të parat gra që u hodh në sektorin e sipërmarrjes private dhe ndër të parët shqiptarë që është futur në fushën e arredimit. Një sipërmarrje e tillë kërkonte shumë guxim, që, me sa duket, Mirjamit nuk i mungonte. Aktualisht, sipërmarrja e saj shtrihet në fushën moderne të dizajnit dhe arredimit. “Ëndrra ime ka qenë arkitektura, - rrëfen Mirjami. - Gjithmonë kam dashur të studioja në këtë fushë, ndonëse e drejta e studimeve m’u dha për financë. Kur u përfshiva në fushën e interiorit, me sa duket, u zgjua pjesa e dizajnit që flinte tek unë. Udhëtimet më kanë hapur shumë mundësi për ta zhvilluar pasionin tim për dizajnin dhe interiorin, sidomos vajtjet e shpeshta në Francë, ku kam bërë edhe disa kualifikime.” Peshën e sipërmarrjes Mirjami e ka mbajtur krah angazhimit për kujdesin e familjes. Është nënë e një vajze 18-vjeçare dhe një djali 9 vjeç, dhe fokusi nga viti 2000-2010 ka qenë dedikimi ndaj tyre. Për gruan sipërmarrëse, ka qenë gjithmonë e rëndësishme t’i edukojë fëmijët me shembullin e saj, por, në një moment të caktuar, kur biznesi mori rrugën e vet dhe fëmijët u rritën, Mirjami kuptoi se në jetë ka disa ekuilibra, që duhen vendosur.
“Kjo gjë më ndodhi rreth vitit 2013. Shikoja dhe vlerësoja gjërat që kisha arritur dhe duke i vlerësuar, fillova të kuptoja boshtin kryesor të jetës. Këtu fitova një qetësi shpirtërore. Kuptova se të jem mirë me veten, do të thotë që të gjithë njerëzit përreth meje do të jenë mirë; do të ishin mirë fëmijët, bashkëshorti, sipërmarrja e çdo gjë tjetër. Por, natyrisht që për të qenë mirë, duhet ta bësh jetën tënde më të mirë. Fillova të kuptoja që duhej të investoja më shumë te vetja, duke nisur nga përmirësimi i stilit të jetës, shtimi i aktiviteteve sportive, të shtoja kujdesin ndaj të ushqyerit, e kështu me radhë.” Ndonëse ky ishte momenti që shënoi një pike të fortë kthese në jetën e Mirjam Hutës, asgjë nuk lind në një moment. Edhe më herët ajo qe marrë me aktivitete sportive dhe gjithmonë ka treguar kujdes ndaj mënyrës së të ushqyerit.
“Pata një moment kur ndjeva se palestra dhe aerobia, me të cilat isha marrë deri në atë kohë, nuk ishin gjithçka që më nevojitej. Janë disa muskuj të caktuar të trupit, disa muskuj të vegjël, që nuk i rregullon dot palestra, por disiplina të caktuara, si joga, - rrëfen ajo. - Lashë palestrën, aerobinë dhe u mora me jogën.” E nisi jogën katër vite më parë, me synimin për të përmirësuar trupin, por ndryshimi preku edhe anën shpirtërore. “Joga më ka dhënë qetësinë dhe fokusin për të kanalizuar energjinë në objektivin ose sfidën që dua të kapërcej”, - thotë Mirjami.
Por, pas jogs erdhën edhe shumë disiplina të tjera sportive, të cilat pasurojnë jetën e sipërmarrëses. Në rini është marrë gjithnjë me not, por sporti klasik i ujit u pasurua në moshë të mesme për Mirjamin me “stand up paddle boarding” (një degë e sportit të sërfit krijuar në Havai) ëindsurfing (sport ujor sipërfaqësor, që kombinon elementet e sërfit dhe lundrimit) dhe me joga në SUP (sup - stand up paddle boarding). SUP-i ishte një dëshirë që flinte kaherë tek kjo grua. “Kam filluar ta zhvilloj 5-6 vitet e fundit dhe jam dashuruar menjëherë me të.
Zhvillohet në ujë, me një tavolinë të madhe sërfi, duke përdorur lopatën për të lundruar. E fillon në gjunjë, pastaj ngrihesh në këmbë, si fillim në det të lehtë, pastaj me valëzime. Është një sport që të përmirëson ekuilibrin. E kam filluar bashkë me djalin, por ai e mësoi shumë më shpejt dhe më mirë sesa unë (qesh). SUP-i është sport i ri dhe më i veçantë për Shqipërinë. Kërkon një ekuilibër në perfeksion, por është shumë bukur, sidomos kur jemi disa persona që bëjnë joga mbi SUP”, - rrëfen administratorja e “Interni Design”.
Sa dashuron ujin, aq shumë dashuron edhe malet dhe po ashtu edhe aktivitetet e shumta në natyrë. I pëlqejnë ngjitjet dhe prej 10 vitesh ky aktivitet ka hyrë në rutinën e saj të aktiviteteve sportive. “Gjatë ngjitjeve ka disa momente kur boshatisesh nga çdo gjë. Je e qetë, ke vetëm veten, ecën pa fund, nuk ka asgjë që të kufizon, ke vetëm natyrë, nuk ke ndërtesa, por një qetësi absolute. Mali më jep një gjendje paqeje të jashtëzakonshme, gjë që kohët e fundit ka filluar të ma japë sporti i SUP-it. Kur jam vetëm në ujë, ndihem njësoj.” Në dimër, gruaja e apasionuar pas sporteve, i dedikohet skive, së bashku me familjen e saj dhe bashkëshortin, që është më i miri ndër ta në ski. Përveç argëtimit, përfitimeve fizike e shpirtërore, këto udhëtime shërbejnë edhe si frymëzim për fëmijët që i ndjekin pas.
“Jam gjithëpërfshirëse si natyrë. Më pëlqejnë organizimet, nuk dua të humbas kohë kot. Më pëlqen që një udhëtim të ketë edhe pjesën sociale, por nuk dua të mbizotërojë karshi kërkesave që kam ndaj vetes. Familja, puna, janë kryesoret për mua. Brenda familjes futet edhe pjesa ime aktive, sepse shembulli im vlen. Dhe kjo është mënyra me të cilën rris fëmijët. Nuk ka rëndësi të harxhosh 100 % kohën me ta, por atë kohë që ndan, të jetë cilësore: të shohësh me ta një pikturë të bukur, të ndjekësh një koncert në piano... Duke pasur fokus për gjërat e mia, ky fokus nuk më lë të humbas në kotësira. Duke u mësuar fëmijëve pavarësinë, iu jap mundësinë që brenda pavarësisë së tyre, të ndihmojnë veten dhe mua. Të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin, por secili ka pavarësinë për të bërë gjërat që ka dëshirë”, - përfundonrrëfimin Mirjam Huta. Ajoe konsideron gruan shtyllën e një familjeje, forcën që e shtyn atë të ecë përpara, faktorin kryesor për edukimin e fëmijës, ndaj është e padiskutueshme që gruaja më së pari, duhet të ndihet mirë, ashtu si Mirjami, që falë punës dhe vizionit të saj ka arritur të realizojë një grua model brenda vetes. Ajo është gruaja që ka krijuar një familje të bukur, një sipërmarrje të madhe, një rreth mikeshash, ku frymëzon duke ndarë nga vetja me to. Mirjam Huta është gruaja që punon, edukon, zbavitet, buzëqesh dhe jeta i kthen gjithçka.
Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të ...
Meri Gjini ka bërë parashikimin për të gjitha shenjat, për atë çfarë i pret në katër ditët e ardhshme...
“Kam fol me familjen time kur u zura me Meritonin”, kështu ka deklaruar Rike Roçi në një diskutim brenda shtëpis&...