Personazh 8 Shkurt 2019

"Flower Power" simboli i rezistencës pasive, paqësore; një editorial ndryshe kundër dhunës

Personazh

Ky editorial është dhurata që Dhurata, një nënë me shpirt artisteje, përherë kundër rrymës, dhe krijuese, kishte dëshirë t’i bënte djalit të saj, Niccolo. Ajo njihet nga të gjithë për pasionin për kuzhinën dhe është blogerja e parë dhe më e suksesshme e ushqimit në Shqipëri, autore e blogut “Luga e Argjendtë”, që më pas u shndërrua dhe në një dyqan me të njëjtin emër.

Por pakkush e di se përpos kësaj, Dhurata është një njohëse e mirë e artit, kulturës, modës, muzikës etj. Atë e tërheqin sidomos gjërat vintazh, qofshin këto jashtë apo brenda Shqipërisë. Madje edhe ushqimi që ajo promovon më së shumti është ai tradicional dhe recetat e vjetra, pra vintazh, shqiptare. Në këtë editorial, Dhurata vjen me një risi: si ideatore, kuratore, editore mode, drejtore artistike dhe kasti e “Flower Power”. Ky projekt e ka marrë emrin nga slogani i famshëm që nisi të përdorej gjerësisht në fund të viteve `60 dhe vitet `70 nga hipitë. Ky slogan ishte simbol i rezistencës pasive, paqësore dhe një ideologjie kryekëput kundër dhunës. Si Dhurata, ashtu edhe djali i saj, Niccolo, janë njerëz paqësorë dhe që e duan artin, të bukurën, të mirën, kështu që ky editorial është vërtet terreni i tyre. Projektit iu bashkua Ani Dishnica, që mund të jetë pa frikë një nga portretet më interesante në Tiranë dhe një adhuruese e viteve `70.

“Ideja e editorialit niset nga dëshira ime, pikë së pari e frymëzuar nga këngëtarët e viteve `70, si: Joan Baez, Jonny Mitchel, Janis Joplin, Jefferson Airplane, Jimmy Hendrix, Bob Dylan etj. dhe revolta e tyre për lirinë e fjalës, rezistencës pasive të shprehur me sloganin “Paqe e dashuri”! Fuqia e luleve ose Flower Power ishte një lëvizje që me simbolikat e saj iu kundërpërgjigj luftës në Vietnam. Lulet dhe ngjyrat ishin përgjigjja kundrejt armëve”, thotë Dhurata. “Sot, kur liria e fjalës po ridimensionohet dhe vihet në diskutim, ky editorial sjell ndër mend se nuk duhet harruar e kaluara dhe liria është gjëja më e çmuar që kemi. E shprehur në të gjitha format: art, letërsi, muzikë dhe modë.”

Në editorial është bërë një lojë fjalësh me këngën e famshme të “Beatles”, All you need is LOVE ! (Ke nevojë thjesht për dashuri), që është shndërruar në All you need is LIVE (Ke nevojë thjesht të jetosh). Të gjithë kemi nevojë thjesht të jetojmë... në paqe!

Nga Gentian Minga/ Fotograifa Medea Milo

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor