Pjata kryesore 6 Shkurt 2019

Rosë e pjekur në furrë me salcë portokalli

Pjata kryesore

NGA LINDA FISHTA/FOTOGRAFIA ARMAND HABAZAJ

Rosa e pjekur është një nga ato pjata për të cilat ia vlen të shpenzosh kohë duke e gatuar, por ka një problem të vogël: është tepër e dhjamur. Mënyra e gatimit që po ju paraqesim më poshtë, do të bëjë të mundur që të servirni në tavolinë një rosë me pak yndyrë dhe të pjekur në mënyrë perfekte. 

PËRBËRËSIT: •1 rosë e pastruar mirë nga puplat • 30 g gjalpë i tretur • kripë e piper

PËR SALCËN: •2 lugë sheqer • 2 lugë uthull • 1 lugë niseshte misri ose sipas nevojës • 1 portokall • ½ limoni • kripë • na duhen gjithashtu 2 portokaj për të shërbyer rosën.

PËRGATITJA: Ndezim furrën në temperaturën 200° C. Pasi ta kemi larë dhe tharë mirë, rosën e lyejmë me kripë brenda dhe jashtë dhe e skuqim në një tigan me gjalpë, në zjarr të fortë. Duhet ta skuqim nga të gjitha anët, derisa të marrë ngjyrë. Pastaj e vendosim në një tavë bashkë me lëngun e krijuar nga skuqja dhe e pjekim për rreth 40 minuta duke e lagur herë pas here. Pas kësaj kohe, e heqim, e presim në copa dhe e mbulojmë me letër alumini, që të rrijë e ngrohtë.
PËR SALCËN: Qërojmë hollë portokallin dhe limonin duke patur kujdes mos marrim nga pjesa e bardhë e lëkurës, e cila është e hidhur. I presin në rripa të hollë dhe i lëmë mënjanë. Vëmë një tenxhere të vogël me ujë në zjarr dhe kur të marrë valë, i zhysim lëkurat për 5 minuta, që t’u dalë hidhësia. Shtrydhim lëngun e limonit dhe portokallit.

Në një tenxhere të vogël hedhim sheqerin me uthullën dhe i lëmë në zjarr derisa tëkaramelizohen. Shtojmë lëngun e mishit (e kemi kaluar më parë në sitë të imët), lëngun e agrumeve, niseshtenë të tretur më parë në pak ujë të ftohtë dhe e lëmë në zjarr, duke e përzier me rrahëse vezësh me dorë derisa të shohim që salca është trashur. Shtojmë lëkurat e agrumeve dhe pas 2-3 minutash salca është gati. E shërbejmë me feta portokalli të freskëta dhe salcën e portokallit.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor