Personazh 5 Shkurt 2019

Elsa dhe Vishali, një dashuri shkodrano-bollivudiane; historia e jashtëzakonshme e çiftit që u njoh në Facebook

Personazh

NGA ELONA JAÇELLARI

Kemi dëgjuar e lexuar shumë histori dashurie të lindura në Facebook, por ajo që bashkoi Elsën, vajzën nga Shkodra, me një aktor Bollivudi, është një nga më të pabesueshmet. Ata nuk e mbajnë mend se kush ishte ai që bëri ftesën për miqësi virtuale, por të dy kujtojnë se mes tyre pati një shkëndijë të fortë që në krye të komunikimit.

Aq e zjarrtë ishte kjo ndjenjë, sa i riu nga India, disa muaj pas bisedave në Facebook, mori guximin të kapërcente kontinentin, vetëm për të takuar vajzën shqiptare, që njohu përmes dritares së një rrjeti social. “Faleminderit Marc Zuckerberg që na prezantoi, - thotë Elsa dhe qesh. - U bëmë shokë, folëm për disa muaj dhe e kuptuam që të dy ishim njësoj. Të dy jemi ëndërrimtarë, ambiciozë dhe mbi të gjitha me shpirt artisti. Çfarë kisha ëndërruar për partnerin e ardhshëm, e gjeta te Vishali.” Ata nuk u menduan më gjatë. I besuan instinktit dhe pas gjashtë muajsh komunikimesh u hodhën në krahët e njëri-tjetrit. Por nuk mbaron me kaq. Para se të nisej për të takuar Elsën, Vishali ua komunikoi prindërve të tij këtë lajm. Nga ana tjetër, i pari që do të takonte Vishali sapo vuri këmbë  në tokën tonë, ishte vëllai i Elsës, i cili e priti në aeroport. Pra, takimi me Elsën ndodhi paralelisht me gjithë pjesën tjetër të familjes së saj. “Isha shumë i gëzuar dhe i nervozuar, sepse po takoja për herë të parë fizikisht dashurinë time, por kisha edhe shumë frikë, sepse do t’i kërkoja dorën dhe druaja se familja e saj nuk do të pranonte (qesh). Kur mbërrita në Shqipëri ishte periudha e Krishtlindjes. Vëllai i Elsës më priti në aeroport si të isha pjesëtar i familjes. Bënte shumë ftohtë ato ditë, por ndjeva shumë ngrohtësi. Kur mbërrita te shtëpia e tyre, e gjithë familja, babai, nëna, motra dhe daja i Elsës, po më prisnin te dera. Ndjenja më e bukur e asaj dite ishte kur takova Elsën. M’u duk sikur kishim një jetë që njiheshim, - tregon Vishali, aktori nga Bollivudi. – Ende më kujtohen fjalët e babait të Elsës. Më tha: ‘Nuk dua të di se çfarë pune bën, apo çfarë feje ke. Për mua rëndësi ka të jesh njeri i mirë dhe të kesh zemër të madhe’. U ndjeva shumë i mirëpritur, si nga familja, ashtu edhe nga shoqëria e Elsës dhe po të kisha mundësi, do të doja të jetoja në Shqipëri, ndaj gjithmonë  them: ‘Unë jam Shqiptar nga India’ (qesh), sepse e dua shumë Shqipërinë”, - përfundon aktori i Bollivudit.

Ngjarjet morën rrjedhën e tyre dhe gjashtë muaj pas ardhjes së Vishalit për herë të parë në Shqipëri, dy të rinjtë u martuan dhe vendosën të shpërnguleshin në Indi. Vishali duhej t’i rikthehej karrierës së aktorit, të lënë përgjysmë, ndërsa Elsa, e cila kishte nisur rrugën e stilimit, kishte mundësi të vijonte studimet dhe të niste një karrierë në Indi. Ceremoninë e pare martesore e kryen në kishë, në Shqipëri, në respekt ndaj Elsës, e cila është e krishterë, por më pas u celebruan edhe në Indi sipas ritualeve të fesë hindu, së cilës i përket Vishali. Të dyja familjet e të rinjve e pritën me një lloj shqetësimi këtë bashkim, por pavarësisht nga largësia, dallimi fetar dhe paragjykimet e shumta, të gjithë e respektuan vendimin e tyre. Tashmë, Elsa dhe Vishali kanë 6 vite të martuar, date që përkon edhe me shkuarjen e Elsës në Indi. “O Zot! Më duhen mijëra fjalë të tregoj se sa e dua Elsën. Ne të dy jemi një. Kuptohemi aq shumë sa, gjithmonë e quajmë njëritjetrin Velsa, jo Vishal dhe Elsa”, - shprehet djali nga India për gruan e tij shqiptare. Jetët e tyre tashmë të bëra një në mes të Mumbait, janë pjesë e botës gjigante kinematografike të Bollivudit.

Vishal Sudarshanwar, është pjesë e trupës vendase të teatrit prej një kohe të gjatë, e aktualisht pjesëmarrës në disa filma me buxhet të madh, që do të shfaqen në kinema në vitin 2019 në gjithë Indinë dhe në disa vende të botës.Ndërsa Elsa Nilaj, 29-vjeçarja nga Shkodra, hyri në Bollivud si stiliste, e më vonë si aktore. Ajo ka stiluar për emra të famshëm, si: Sonakshi Singha (në filmin “Tevar”), Saurabh Shukla, (në shfaqjen e teatrit “Baarf”), Vinay Pathak (në shfaqjen e teatrit “Baarf”), Sadia Sidiqque (në shfaqjen e teatrit “Baarf”), Rakesh Bedi (në shfaqjen e teatrit “Last Over”) etj. Përvojën si aktore e ka nisur në vitin 2015, ku pati rolin kryesor në filmin “KOOKH” dhe ku u nominua si aktorja më e mirë. “Unë po jetoj ëndrrën dhe jam shumë me fat që jam pjesë e Bollivudit si aktore dhe stiliste. Ka shumë të huaj nga Suedia, Gjermania, Amerika, etj., të cilët vijnë këtu me shpresën që të bëhen pjesë e Bolivudit. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë të jem pjesë e kësaj industrie të madhe.” Ndërkohë, Elsa ka punuar për disa kompani veshjesh në Mumbai si stiliste, ka punuar si “Head Designer” për “NOI”, një kompani tjetër veshjesh shumë e njohur në Indi, ku stilonte dhe menaxhonte më shumë se 150 dyqane në të gjithë Indinë. Aktualisht jep mësim në shkollën indiane të modës, “Pearl Academy”, e renditur në vendin e 25-të të shkollave më të mira në botë.

Ndër të tjera, Elsa Nilaj është edhe stilistja e një prej linjave  të mëdha të veshjeve në Indi,“NUSH”. Kjo është firma e aktores së famshme indiane, Anushka Sharma. Elsa është bërë edhe pjesë e lëvizjeve sensibilizuese perms krijimeve të saj. Ajo ka fituar çmimin e parë në konkursin “India’s first condom fashion show”, aktivitet që u zhvillua për të ndërgjegjësuar të rinjtë në luftën kundër SIDA-s. Për këtë eveniment, e reja shqiptare krijoi një fustan me 6 000 prezervativë dhe garoi për çmimin e parë mes 74 studentëve nga 32 shkolla mode.

NJË NUSE SHQIPTARE NË INDI

Elsa Nilaj dhe bashkëshorti i saj, Vishali, jetojnë në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai. Mumbai është gjithashtu një nga qytetet më të mëdha të këtij vendi. Përveç popullsisë disamilionëshe indiane, aty gjen një pjesë mikse të popullsisë botërore, që jeton dhe punon në zemër të Azisë. Mumbai është qyteti që nuk fle kurrë, aty puna dhe argëtimi zhvillohen 24 orë në 24: një jetë frenetike, ku i gjen të gjitha realitetet brenda një qyteti të vetëm. Është një realitet krejtësisht i ndryshëm nga Shqipëria dhe nga qyteti ku Elsa është lindur e rritur. Por, pas gjashtë vitesh jetese në Mumbai, ajo thotë se ka gjetur “shtëpinë” e saj. “Kur udhëtoj jashtë Mumbait për punë, në kthim, sa vë këmbën në aeroport, ndihem si në shtëpi”, - rrëfen Elsa. Por, duhet thënë se, fillimi ka qenë shumë i vështirë për të. “Edhe uji më dukej ndryshe, - thotë dhe qesh, - por Vishali bënte çdo gjë për të më bërë të lumtur, deri dhe shtëpinë mundohej ta dekoronte ashtu siç e rregulloja unë në Shqipëri, madje më përgatiste edhe pemën e Krishtlindjes, - ndan Elsa kujtime nga ajo kohë. – Ka shumë që më pyesin se si është të jesh nusja e një indiani (qesh), por unë vetëm kur ma bëjnë këtë pyetje kujtohem për këtë fakt. Pavarësisht se vijmë nga kontinente të ndryshme, ne jemi njësoj. E mbështesim shumë njëri-tjetrin dhe kuptohemi shumë mirë. Vishali është djalë i vetëm mes dy motrash dhe duke pasur parasysh fanatizmin që familjet indiane kanë veçanërisht për traditat, Elsa do ta kishte pak punën pisk me vjehrrën. (qesh) “Përkundrazi, ata më duan shumë dhe meqë kam mësuar gjuhën, kjo më ndihmon të komunikoj me ta. Shpesh vjehrra ime thotë: ‘Edhe sikur Vishali të ishte martuar me një indiane, më mirë se Elsën nuk do të kishte gjetur.”

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor