Eni Shehu: Arbana shtrigë, të nxinte jetën!
Eni Shehu, i ftuar në emisionin “Natën me Aulonën”, ka folur për marrëdhënien e tij me Arbana Osmanin, duke thë...
Nga Elona Jaçellari; fotografia Armand Habazaj
Brenda “look”-ut të saj minimalist në përditshmëri, shpesh të mjaftuar vetëm me të zezën, por hera-herës me shumë guxim në kombinime, ajo arrin të përthyejë një ekstravagancë unike mbi lëkurë. Klodi Mengri i ka shoqet të rralla. Do të gënjeja, nëse do të thosha që është një grua me stil, sepse ajo është rruga mbi të cilën ka ecur stili dhe ikona që ka ngritur një altar për imazhin dhe estetikën në Shqipëri. Avangardë në ide dhe gjithmonë pararojë e nuhatjes të së bukurës, ky rrugëtim ka lindur së bashku me Klodin, sepse, misioni për të ishte të revoluciononte imazhin.
“Nuk mund t’i vë një datë rrugëtimit tim drejt së bukurës, sepse më duket sikur ka qenë gjithmonë me mua, si një mision, si një detyrë që çdokujt ia jep Zoti në jetë. Duke qenë se Ai më ka afruar rastësisht me të bukurën, me siguri që ka qenë ajo që duhej të bëja në jetë, - tregon ikona e krijimit të imazhit shqiptar. - Që sa mbaj mend, jam marrë me të bukurën, me interiorin: ndërroja vendin e mobilieve në shtëpi, prisja flokët e mi dhe të njerëzve të shtëpisë, të shoqeve, qepja vetë çdo fustan, gati-gati bëja vetë sandale dhe këpucë. Çdo gjë që kishte të bënte me të bukurën ishte e prekur nga dora ime. Më pas, ky pasion ka pasur ulje-ngritje, është pështjelluar, ndonjëherë edhe jam penduar, kam menduar se duhej të kisha bërë diçka tjetër. Pastaj, ajo gjëja tjetër më ka sjellë sërish në këtë rrugëtim dhe tani që jam në prag të të 50-ave them: Faleminderit, Zot, që më ke drejtuar aty ky është pjesa ime më e mirë.” Atëherë kur rastësisht nisi kjo rrugë, Klodi ishte një vajzë me ëndrra të mëdha, por që rrethanat e kohës nuk e çuan dot atje ku donte. Ishte nxënëse me rezultate të larta dhe si të rinjtë e kohës së saj, që nuk kishin mundësi të zgjidhnin, shteti i ofroi tri herë radhazi mundësinë e studimeve për inxhinieri, gjë që ishte larg ëndrrave të saj, ndaj e refuzoi. Por, siç i thonë një fjale, asnjë e keqe nuk vjen vetëm për keq. Kështu, thyerja e ëndrrës së Klodit çeli mbi dregëz një syth, i cili me vitet u kthye në frytin më të bukur: karrierën me përvoja të papërsëritshme, që ekspertja e imazhit mban mbi supe. “Pas dëshpërimit që nuk kisha marrë bursën e duhur, në ‘91-shin, me Lili Ismailin dhe Armelën çelëm një ndër parukeritë e para private në Tiranë.
E mora këtë iniciativë, duke qenë se e kisha pasion, më jepej, duke qenë se njerëzit donin që unë t’ua prekja flokët, t’ua prisja, t’ua lyeja. Shpejt kuptova që mundesha dhe kështu filloi rrugëtimi i këtij profesioni. Mbeta aty; ishte rastësi, por edhe fati im,” - vijon rrëfimin Klodi. Shumë herët, në rini, Klodi Mengri ishte shfaqur si një snobe. Vishej ndryshe, kërkonte me çdo kusht të ikte nga Shqipëria dhe të studionte jashtë. Në vitin 1998, për herë të parë provoi Italinë. U atashua pranë akademisë “L’oreal” dhe filloi të punonte në një sallon bukurie shumë të rëndësishëm. Aldo Kopola (një nga emrat ikonë në botën e bukurisë) e përzgjodhi të punonte me të në Kremlin, por ajo e refuzoi ofertën e tij, pasi në idealin e saj për karrierën triumfonte ëndrra amerikane. Në 1999-n Klodi u kthye në Shqipëri, krijoi familje dhe menjëherë më pas u nis drejt Kanadasë, për të studiuar në një shkollë për “make-up artist”. “Pas 15 viteve përvojë në sallonin tim të suksesshëm, shkoj në Kanada me idenë që i dija gjërat, por më duhej diploma, sa për imazh. Që ditën e parë kuptova se, në të vërtetë, unë e përdorja, por nuk e njihja fare shkencën e ‘make-up’-it. Kjo shkollë më bëri profesioniste, sepse vija nga përvoja e një vendi ku ne vetëbëheshim.” Klodi Mengri u kthye nga Kanadaja në vitin 2004, me një qasje tërësisht tjetër profesionale. Çeli sallonin e mirëfilltë të bukurisë në Tiranë, një sallon në të cilin solli shijen dhe gjithë përvojën e përftuar, një sallon të një standardi të tillë, që më shumë e dëshironte Klodi, sesa koha atëherë. E paepur për të zgjeruar horizontin, në vitin 2010 zgjodhi të ndiqte studimet në “Fashion Institute of Technology” në Nju Jork. Ndonëse shkoi atje për të pushuar, për të ndalur ritmin e shumë viteve pune të vrullshme, nuk i rezistoi dot tundimit për studiuar. “Zgjodha kursin për Konsulencë Imazhi. Në Shqipëri nuk e njihnin fare, nuk kishte as treg që të më nxiste për ta bërë atë zgjedhje, por ishte thjesht një dëshirë. Hyra fare rastësisht dhe nuk dola dot më. Instituti u bë shtëpia ime e dytë,” - rrëfen Klodi. Përfundimi i studimeve me rezultate të shkëlqyera në “Fashion Institute of Technology” i mundësoi Klodi Mengrit një listë klientësh njujorkezë, pra, një mundësi të artë për të qëndruar dhe punuar në vendin e ëndrrave të saj rinore, por limiti i vizës e detyroi të kthe hej sërish në Tiranë. Të parët që e kuptuan dhe e vlerësuan rëndësinë e kualifikimit të saj ishin drejtuesit e televizionit Klan, të cilët e rekrutuan si drejtoreshë imazhi. “Qëndrova 7-8 vite në televizion dhe punova me shumë dëshirë për të ndryshuar gjërat, por isha akoma në momentin që doja të ndaloja e të kuptoja se çfarë kisha bërë, dhe pas kësaj përvoje, nuk mund të rrija pabërë një ‘bebe’ tjetër,” – thotë ish-drejtoresha e imazhit në TV Klan. Kjo bebe e bukur erdhi në jetë shumë shpejt dhe përtej ngritjes së një salloni të vërtetë, që tashmë ishte bërë realitet, Klodi Mengri solli në jetë akademinë e parë për konsulentë imazhi në Shqipëri:
“TI Institute”. “TI Institute” do të formojë profesionistë të rinj në vend, - shpjegon Klodi, - shumë më kompleksë se një ‘make-up artist,’ se një parukier apo një konsulent imazhi. Ata do të jenë profesionistë që do të ofrojnë një shërbim të plotë, ‘total look’. “TI Institute” është krijuar për të afruar njerëz që duan të mësojnë, që ta shijojnë jetën, të zbulojnë identitetin. Kjo më entuziazmon shumë, sepse po kontribuoj në krijimin e një brezi profesionistësh të vërtetë bukurie në Shqipëri, gjë që më bën të ndihem e lumtur dhe e realizuar,” – përfundon këtë rrëfim revolucionarja e konceptit të imazhit shqiptar. Së fundmi, Klodi ka marrë oferta të rëndësishme pune në Manhatan, por nuk i konsideron dot më ato, pasi “TI Institute” është dashuria e saj e re, që i ka marrë gjithë fokusin; një dashuri, e cila erdhi në jetë e ngjizur prej përvojave shumëvjeçare, formimeve jashtë vendit, të cilat i dhanë një shtysë për të ndryshuar rrënjësisht konceptet profesionale. Klodi Mengri është nga ato profesioniste, që kërkon të mësojë çdo moment, që do të krahasohet, të ketë motiv për të bërë diçka më të mirë. E pavarësisht dëshirës së paepur për t’u rritur, ikona e stilit shqiptar ka bërë një rrugëtim të gjatë, duke jetuar dhe zhvilluar konceptin për estetikën dhe imazhin. Ka momente kur ulet për të shijuar thellësisht të bukurën, me gjithë përmbajtjen, formën dhe rëndësinë që ajo ka. Por çdo qetësim e sjell përballë një reflektimi, i cili gjeneron gjithmonë një ide të re. Kështu, Klodi ndalet pak për të shijuar, por, më së shumti për të marrë vrull, për të vijuar me të njëjtën energji si në fillim, misionin e saj për të revolucionuar të bukurën.
Eni Shehu, i ftuar në emisionin “Natën me Aulonën”, ka folur për marrëdhënien e tij me Arbana Osmanin, duke thë...
Historia e një italiani që kaloi nëntë muaj duke jetuar në një aeroport mund të tingëllojë paksa si komploti i fi...
Ka disa hapa shumë të thjeshtë për të pastruar syzet apo ekranin e celularit në mënyrën e duhur, nuk është n...