Dekorime 2 Shkurt 2019

Në shtëpinë e luksit minimalist të Arbrit dhe Ninës

Dekorime

Arbër Haxhi dhe Nina Mihaj, përkatësisht arkitekt dhe inxhiniere ndërtimi në profesion, janë themeluesit dhe drejtuesit e studios arkitekturore “Andarastudio- Architecture & Interior Design”. Ata projektojnë vila, hotele, zyra dhe locale komerciale, me një stil post-modern dhe të rafinuar. Arbri dhe Nina, përveçse partnerë në profesion, janë edhe partnerë në jetë dhe apartamenti që prezantojnë sot në revistën “Living” është oaza e tyre. Kërkesës sonë për t’u njohur me punët që kanë realizuar, çifti i arkitektëve iu përgjigj në këtë mënyrë origjinale, duke hapur derën e shtëpisë së tyre. E ku më mirë se në ambientin e tij, një arkitekt mund të krijojë pa kufizime? E megjithatë, kjo është një punë nga ato më specifiket, pasi përpara arredimit apartamenti i është nënshtruar një rikonstruksioni rrënjësor.

Ndriçimi i përdorur në apartament, është i gjithi inkaso, pra, brenda tavaneve të gipsit: një zgjedhje për t’i qëndruar fanatik stilit. Përveç ndriçimit tavanor, kemi disa lloj ndriçimesh të tjera, si: ai në këmbë, ndriçimi led ose ai te koka e krevatit.

Hyrja karakterizohet nga një dollap inkaso që ofron hapësirë për këpucët dhe varjen e rrobave të përditshme. Veshja e kanatave të dollapit është realizuar me pasqyrë, një element që dyfishon hapësirën e korridorit. Në të djathtë, nëpërmjet një dere me xhama transparentë dhe kasë të zezë, perceptohet  qartë dimensioni i sallonit. Ky ambient bën dhe lidhjen me dhomat e gjumit dhe tualetin e përbashkët.

Përveçse është projektuar nga Nina dhe Arbri, ky apartament është edhe në pronësi të tyre dhe si i tillë, ishte një sfidë personale, për ta kthyer një apartament tradicional në një strukturë sa komode aq dhe rekreative. Në gjithë këtë hapësirë, minimalizmi i shoqëruar me sistemet e ndryshme, bën diferencën. Të kesh një apartament të bukur tregon shije, por t’i bashkëngjitësh atij komfortin dhe sisteme inovative, do të thotë ta perfeksionosh.

Këndi tjetër i ndenjjes është një divan komod në formën e shkronjës “L”, me module që të mundësojnë t’i japësh formën që do dhe ta kthesh në formën aktuale kur mërzitesh. Përveç tavolinave të mesit, janë përdorur edhe tavolinat që i bashkëngjiten divanit, si mobilie e integruar për të lejuar të konsumosh diçka, t’i lëvizësh si të duash kur të vijnë njerëz për vizitë ose edhe të punosh apo të vizatosh kur të ndihesh i frymëzuar për interiere të reja. Përballë këtij këndi të rehatshëm, në një mur të punuar me mikroçimento, është vendosur një televizor pa mobilie televizori e pa mbajtës dekoderash. Është vetëm një ekran i madh në një hapësirë gri; çdo gjë është minimaliste.

Kuzhina ka ndërruar vendin me sallonin ekzistues, duke u kthyer në një qoshk më intim e i ndarë nga salloni. Të tria ambientet: salloni, kuzhina dhe këndi i oxhakut, orientohen me pamje nga veranda, perms një vetrate të madhe, e cila hapet e gjitha dhe e kthen të gjithë këtë ansambël në një open space me dimension të madh. Kuzhina, vendi ku mblidhet gjithë familja, ku gjatë një vakti diskutohet për punët dhe si ka ecur dita, zhvillohet në të gjithë hapësirën e vet, në qendër të së cilës është një ishull pune, të cilit i bashkëngjitet tavolina e ngrënies. Banaku me material kuarc, vesh gjithë pjesën e kuzhinës. Frigoriferi është me dy kanate, ku zona e ngrirjes dhe ajo e freskimit janë veç.

Veranda është arreduar si një minisallon, një mundësi për t’u qetësuar, që mungon aq shumë në apartamentet tona standarde. Këtu gjendesh në qetësinë dhe rehatinë që të ofron kjo copëz natyrë, krijuar nga dy vazot e mëdha me pemë ulliri dhe materiali i drurit afrikan. Një karrige lëkundëse, në formë kapsule, të ndihmon të çlirohesh nga mendimet dhe të qetësohesh. Dyshemeja është shtruar me pllaka që imitojnë parketin, për të mos bërë diferencën nga hapësira e brendshme.

Dhoma e Adanit është arreduar si një kënd lojërash i instaluar në apartament. Dyshemeja e kësaj hapësire është veshur me moket, material shumë komod, që përveçse i ngrohtë në dimër edhe shumë i sigurt nëse fëmija rrëzohet. Ngjyrat janë mbajtur në tone neutral dhe elementet e vetme që bëjnë kontrast janë lodrat. Letra e murit është e printuar me bojëra ekologjike dhe mbi të gjitha me një dizajn që zhvillon imagjinatën e një fëmije të vogël. Tenda është një tjetër element shumë i dashur për fëmijët, pasi është një shtëpizë e vogël brenda shtëpisë së madhe dhe të përbashkët. "Ajo që donim të bënim në dhomën e djalit, është që ta kthenim atë në këndin e tij të preferuar, që të zhvillojë sa më shumë aftësitë dhe imagjinatën e tij."

Tualeti i dhomës është pozicionuar në hyrje të saj. Për ta veshur, janë përdorur pllaka me dimensione të mëdha, mozaik në pjesën e kabinës së dushit dhe lavaman krioni. Rezistencat e vendosura në dyshemenë e tualetit, mundësojnë ngrohjen e këtij ambienti gjatë dimrit.

Dhoma martesore i ngjan një suite hoteli, si për nga dimensioni, edhe për nga planimetria. Krevati me dimensione king size 2 me 2, është vendosur i vetëm dhe shoqërohet vetëm nga kredenca dhe pasqyra e tualetit. Muri ballor është veshur me mdf-material superior druri, ngjyrat janë të ngrohta dhe dyshemeja është veshur me moket. Përballë tij, është vendosur gardëroba dhe ndarja e këtyre dy ambienteve është bërë me anë të një dere xhami. Gardëroba me kremaliere bën të mundur ristrukturimin e saj sipas nevojave.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor