Dekorime 15 Janar 2019

Të guxosh mes klasikes dhe modernes; brenda një shtëpie të arreduar me shumë shije

Dekorime

"Sa herë mendoj, them se stili i shtëpisë flet shumë më tepër sesa një foto apo portret i të zotit që jeton aty!" Ilda Karanxha, arkitekt

Me këtë filozofi nisin gjithmonë bisedat me klientët për “të futur sa më shumë elemente, që më vonë duhet të përputhen 100 % me funksionalitetin dhe stilin e jetesës së apartamentit apo shtëpisë ku do të ndërhyhet”. Ky apartament ndodhet në një ndër zonat më të gjelbëruara të Tiranës dhe ka një bonus të madh që janë vetratat e gjera dhe drita natyrale që depërton në ambient. Kjo e fundit është një faktor kyç në lojën e ngjyrave me dritëhijen.

NGA STILI RUSTIK I GATI NJË DEKADE MË PARË, U SOLL STILI MODERN BASHKËKOHOR, por me pak ndërhyrje të stilit neoklasik në rifiniturë; një përzierje e guximshme, por me rezultate vizuale mjaft pozitive. Tonalitetet e tokës, ngrohtësia, ekuilibri i hapësirave pozitive dhe negative, loja e elementeve dhe stileve të ndryshme, prezenca jo e një, por e disa pikave kyçe që shoqërojnë më së miri anën funksionale të apartamentit, krijojnë një muzikalitet që u pëlqye që në fillim nga të gjithë pjesëtarët e familjes dhe kjo është një fitore e madhe, që justifikon më së miri angazhimin dhe punën e disa muajve me radhë. Sigurisht që vëmendja kryesore iu dha anës funksionale. Një familje me katër anëtarë, prindërit dhe dy fëmijë të rritur, një djalë dhe një vajzë, duhej të gjente veten jo vetëm në ambientet e përbashkëta, por edhe në dhomat respektive të gjumit.

ZONIMI FUNKSIONAL respekton një skemë mjaft efikase, ku ambientet e ditës janë të ndara nga ato të natës, dhe jo vetëm. Edhe zonat e ndenjjes, gatimit dhe ngrënies kanë hapësira të veçanta dhe të bollshme për t’u arreduar me elemente plotësuese interieri, si dhe për të vënë sa më shumë në dukje stilin (gjë për të cilën të favorizon sipërfaqja e apartamentit). Pavarësisht nga sipërfaqet e dhomave, në zonën e ditës, parimi open-space nuk venitet, përkundrazi, me ndërhyrje të caktuara arkitekturore, këto ambiente funksionale shkrihen më së miri me njëri-tjetrin, duke respektuar hierarkinë. Madje vazhdimësia e apartamentit është mundësuar nga dera transparente që të përcjell nga zona e ndenjjes në korridor, i cili të çon në dhomat e gjumit.

PIKË SHUMË E FORTË prezantimi dhe lidhjeje në zonën e ditës është bibliotekaetazher, e cila shtrihet në faqen më të gjatë të ambientit, me një gjatësi prej rreth 10 m. Përgjatë saj është edhe hyrja për në ambientin e ditës dhe, që aty, mund të shihen njëherazi zona e ndenjjes, e ngrënies dhe e gatimit, duke shpalosur në të njëjtin çast, të gjitha elementet funksionale dhe arreduese që shkrihen më së miri me njëra-tjetrën.

OXHAKU

NJË KËND TJETËR I BUKUR, ËSHTË DHE OXHAKU ME ETANOL I STILIT MODERN, të cilit i është dhënë një rëndësi e veçantë për të tërhequr vëmendjen dhe për ta përqendruar atë në ambientin e ndenjjes, ku një kënd i bollshëm me nabuk dhe një kolltuk urë ngjyrë terakote, orientohen nga televizori dhe oxhaku me sfond të ndërthurur, me lyerje decorative efekt çimentoje, veshje metalike ngjyrë bakri dhe mermer me nuancë ngjyrë ulliri të errët (këto elemente në rifiniturë, janë një risi).

NJË ELEMENT TJETËR MJAFT ELEGANT ËSHTË DHE NJË KTHINË ME VETRATË XHAMI, prej nga duket gjelbërimi i pafund. Pranë saj është vendosur një kolltuk tek dhe një ndriçues tokësor për të shijuar në qetësi të plotë një libër apo revistë

NJË NGA NDËRHYRJET MË INTERESANTE ËSHTË AJO NË DHOMËN MARTESORE. Hapësira e kësaj dhome dhe sistemi i përshtatshëm, bënë të mundur realizimin e një hapësire për një gardërobë të veçantë, një tualet dhe një parakorridor që mundëson kalimin në këto nënndarje. Do të ishim shumë të saktë, nëse do t’i krahasonim këto elemente me ato ku bazohet parimi funksional i suitave të hoteleve.

DHOMAT E FËMIJËVE janë përshtatur me stilin e ambienteve të tjera, por sigurisht, duke marrë parasysh edhe preferencat e fëmijëve për sa u përket ngjyrave.

NGA: MATILDA TËRPOLLARI/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor