Dekorime 9 Janar 2019

Luksi i stilit Barok; Në kërkim të formave të ndërlikuara

Dekorime

"Jemi në një nga zonat më të bukura të Tiranës, në atë të kopshtit botanik, aty ku shkëputemi nga zhurma e kryeqytetit dhe na ofrohet një qetësi absolute."

Nada Çela, është një arkitekte jo pak e njohur për Living. Prej vitesh, ajo ka klientët e saj në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, dhe vazhdon të jetë e kërkuar për shijen e mjaft njerëzve që arredojnë ambientet e tyre, për stilin dhe origjinalitetin që e karakterizon. Të zotërosh një kompani si “JOKE”, e cila jo vetëm dizajnon, por dhe prodhon mobilie, të jep privilegjin e madh të shërbesh shpejt dhe të plotësosh çdo tekë të klientëve. Nadës, shpesh i duhet t’i bindë ata që të kenë besim te zgjedhjet e saj, por, nga ana tjetër, ajo tregon se nuk janë të rralla rastet kur i duhet të bëjë edhe kompromise. Arkitektja Nada Çela ka prezantuar disa herë projektet e saj në Living, të cilat janë pëlqyer shumë nga lexuesit tanë. Kjo është arsyeja kryesore pse revista e përzgjedh vazhdimisht atë. Sot, Nada ndan me ne dhe lexuesit një nga punët e saj më të veçanta. Një apartament unik, sidomos për guximin me të cilin është punuar. Një stil barok, në dukje i rëndë, por aq i sofistikuar, saqë e bën atë ideal për banorët e tij, dhe një eksperti

« Apartamenti ka një sipërfaqe rreth 130 m2, dhe është relativisht i madh, por nëse do t’ju themi që për të arreduar këtë apartament, kemi zgjedhur stilin barok, çdo arkitekt do të kishte dyshimet e tij. Por ne, së bashku me Anilën, zonjën e shtëpisë, kemi bërë zgjedhjet e duhura funksionale dhe dekorative, për të realizuar shtëpinë e ëndrrave të saj.»

 

STILI BAROK NË KËRKIM TË FORMAVE TË NDËRLIKUARA

Shumë nga suveniret e shtëpisë, skeletet e kolltukëve, si dhe të gjitha pëlhurat e tyre, duke përfshirë edhe perdet, janë blerë së bashku me zonjën e shtëpisë në Firence e Milano, ndërsa mobiliet janë dizajnuar dhe ndjekur hap pas hapi gjatë prodhimit, nga vetë arkitektja, në kompaninë e saj të prodhimit. « Realizimi i këtij apartamenti, që nga faza fillestare e deri në përfundim, ka zgjatur rreth gjashtë muaj. Është punuar intensivisht, pasi Anila jetonte në Itali dhe kemi qenë gjithë kohën online së bashku. Jemi këshilluar vazhdimisht për çdo detaj dhe kur e ka dashur puna, kemi bërë dhe takime të shkurtra dyditore në Itali dhe Shqipëri”, - shpjegon Nada, duke na treguar procesin e punës.»

LLAMBADARËT TAVANORË, muralë dhe ata me bazë, që qëndrojnë mbi tavolinat e pozicionuara në dy këndet e sallonit, janë të gjitha punime dore, që ashtu si shumë aksesorë të tjerë të shtëpisë, i kemi zgjedhur me Anilën në Firence.

Në stilin barok, çdo orendi duhet të trajtohet njësoj dhe të ketë të njëjtën rëndësi. Ndonjëherë, mund të jenë edhe detaje të tepruara, zbukurime dhe pëlhura me dizajnë që përsëriten, ndryshe nga stilet e tjera, që përgjithësisht spikatin ose vënë në dukje një element të vetëm. 

MOBILIET NË STILIN BAROK GARANTOJNË NJË PAMJE LUKSI

Mobiliet në stilin barok, duhet domosdoshmërisht të kenë një pamje luksi, linja të lakuara, gdhendje të sofistikuara dhe pëlhura të shtrenjta. Muret janë përgjithësisht të qeta, në ngjyra pastel, po ashtu edhe mobiliet. Veçantia e këtij ambienti, janë ngjyra e arit dhe e argjendit dhe kontrasti që bëjnë ato me pëlhurat, të cilat përgjithësisht përsëriten në perde ose veshje muresh.

SALLONI, jo aq i madh sa e kërkon stili, por mjaftueshëm për të realizuar atë që kërkonim, ka një pamje madhështore e plot luks. Duke qenë se kemi tri hyrje drite nga tri kënde të ndryshme, mbetet një faqe muri e lirë për të vendosur televizorin. Aty vendosëm një objekt plot dinamikë, që përveçse mban televizorin, ka dhe dy kristaliera, ku sigurisht nuk mund të mungonin gotat e kristalit me dekore floriri plot shkëlqim. Për t’i dhënë sa më shumë hapësirë zonës së ndenjjes, jo rastësisht kemi zgjedhur një kolltuk tresh me hark. Këta kolltukë kaq të rëndë në dukje, kaq të detajuar dhe të kuruar, në fakt, ofrojnë një komoditet maksimal. Për realizimin e tyre, kemi përdorur një pëlhurë mjaft cilësore, damask të punuar me lule kadife, të cilat krijojnë një reliev që duket dhe ndihet. E njëjta tapiceri është përdorur për veshjen e karrigeve në tavolinën e ngrënies. Ajo është një tavolinë pompoze, me linja të harkuara, me të cilat përveçse i qëndrojmë besnikë stilit të të gjithë hapësirës, ofrojmë edhe komoditet, sepse tavolina e ngrënies shërben si një urë lidhëse mes sallonit dhe pjesës së kuzhinës.

HYRJA NË APARTAMENT është ambienti i parë që na prezanton me stilin barok të shtëpisë. Një korridor shumë i gjatë dhe i ngushtë, i cili na krijon idenë e një galerie arti, ku njëri krah është i mbushur me piktura me korniza të dekoruara, të cilat janë të gjitha punime të gdhendura me dorë. Po në këtë krah, janë edhe dyert me dekore dhe skalitje të theksuara në ngjyrë të artë, kurse kapitelet që qëndrojnë mbi to, i japin një karakter monumental. Nga krahu tjetër, kemi punuar me shumë kujdes për të ruajtur me fanatizëm stilin, por edhe për të përmbushur funksionin që kërkon një korridor. Fillojmë me një varëse rrobash në po të njëjtin stil, e gjitha e veshur me letër floriri, e pasuar nga një domus mjaft komod, me skelet druri e gdhendje të rafinuara. Ky element i gdhendur, përsëritet edhe në pjesën që kornizon ambientin e relaksit në korridor.

« Si çdo zonjë shtëpie, meraku i Anilës ishte një dollap i madh për të sistemuar këpucët e të gjithë pjesëtarëve të familjes. Kështu realizuam një dollap të madh (duke shfrytëzuar gjatësinë e korridorit dhe thellësinë e vogël që kërkojnë këpucët, për mos të zënë shumë hapësirë në korridor).» Për ta bërë sa më të padukshëm funksionin e këtij dollapi, por njëkohësisht të trajtonim me kujdes pjesën dekorative, në kapakët e tij, kemi përdorur një letër murale me motive floreale në ngjyrë floriri.

EDHE KUZHINA ËSHTË E TË NJËJTIT STIL.

Kemi mobiliet në ngjyrë kremi dhe letër me detaje ngjyrë floriri, me zbukurime, lule e fuga. Kemi dashur të theksojmë pjesën e gatimit, me një dalje të banakut në pjesën e furrës dhe aspirimit, dhe për shfrytëzimin maksimal të hapësirës, kemi punuar me blloqe. Frigoriferin dhe aksesorin e ushqimeve e kemi vendosur në një bllok më vete, për të qenë më pranë tavolinës së ngrënies dhe për t’i dhënë më shumë hapësirë të lire amvisës. Ajo që bie në sy, është stili klasik i elektroshtëpiakeve, të cilat qëndrojnë në harmoni me gjithë pjesën tjetër.

NË DHOMËN E FËMIJËVE, kemi zgjedhur një krevat marinar. Kjo, përveçse është një zgjedhje funksionale, për të maksimizuar hapësirën që fëmijët të kenë vend të mjaftueshëm edhe për të luajtur, është dhe një zgjedhje mjaft interesante që ata e shohin si pjesë të lojës. Ndoshta si një kështjellë me bedena. Në pjesën e poshtme fle vajza, e cila është më e vogël në moshë, dhe pikërisht për këtë arsye pjesa e krahut është e lëvizshme: pra, ngrihet që fëmija të mos bjerë kur është duke fjetur.

NJË DHOMË GJUMI NDRYSHE, për t’u arratisur pak nga ngjyra e floririt. Këtu kemi preferuar tonalitetet e qeta të argjendit, në kombinim me ngjyrën vjollcë pastel. Ndaj dhe kjo dhomë është një oazë qetësie e çlodhjeje. Në qendër, qëndron krevati i madh martesor, i gjithi me dru e gdhendje të punuara me dorë. Tapiceria është në të njëjtat tonalitete ngjyrash, që përsëriten edhe në perde: një pëlhurë saten mëndafsh e qëndisur. Relievi që krijojnë qëndisjet, e bën më të veçantë këtë hapësirë, duke krijuar një atmosphere të ngrohtë dhe luksoze njëkohësisht. Kemi një dollap sa gjithë faqja e murit, ku në gjithë perimetrin e tij, kalon një kornizë me gdhendje të punuara dhe të trajtuara me letër argjendi. Një teknikë kjo, e përdorur edhe në zbukurimet ornamentale që përsëriten jo vetëm te dollapi, por edhe në komonë dhe komodinat në anë të krevatit.

TUALETI është në sinkron me gjithë stilin e përdorur në ambientet e tjera. Ky është një tualet ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim, dhe është një vazhdimësi e korridorit. Mbi të gjitha, spikat trajtimi i tij me letër murale, për të cilin është treguar një kujdes i veçantë për mënyrën e ngjitjes dhe llojin e ngjitësit të përdorur. Kemi zgjedhur një lavaman me këmbë të rrumbullakosura, mbi të cilin kemi vendosur një pasqyrë me dekor të rëndë dhe dy ndriçues muralë në të dy krahët e saj, që krijojnë një atmosferë shumë të ngrohtë. Kemi përdorur pllaka mermeri që zhvillohen pak më lart se pjesa e lavamanit, dhe gjithë pjesën tjetër e zë letra murale. Ajo çka bie në sy, janë rubinetet, tubat e shkarkimit, grupi i dushit dhe piletat, të cilat janë në ngjyrë të artë e në stilin barok. Pra, i kemi kushtuar vëmendje çdo detaji, sado të vogël, për ta shprehur në çdo formë dhe mënyrë stilin që kemi dashur të realizojmë. 
NGA Matilda Tërpollari | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor