Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Një nga “gurutë” e të jetuarit bukur në vendin fqinj, Itali, Csaba, ka një përvojë disavjeçare si specialiste për shtrime tavolinash e receta gatimesh. Ajo ka studiuar në shkollën e famshme parisiene “Le Cordon Bleu”, ka realizuar disa emisione televizive dhe ka shkruar shumë libra kuzhine. Në një intervistë ekskluzive për “Living”, Csaba zbulon detaje nga jeta e saj private, si dhe jep këshilla për festa të paharrueshme. Ajo zbulon gjithashtu se, një ndër dëshirat më të mëdha që ka, është ajo për të realizuar projekte jashtë Italisë. Kushedi, ndoshta një ditë i jepet mundësia të shfaqet në ndonjë televizion shqiptarKUSH është KUSH?
Pavarësisht se si mund të duket nga emri, Csaba është italiane dhe origjina e saj është midis Venetos dhe Toskanës. Dalla Zorza ka pasur gjithmonë një pasion të madh për botën e komunikimit dhe ka nisur kështu bashkëpunime të rëndësishme në fushën e shkrimeve të përditshme femërore në fillim me Arnoldo Mondadori Editore dhe më pas me Edizioni CondéNast. Gjatë viteve `90, interesi i saj për ushqimin dhe përgatitja e saj kanë mbizotëruar mbi pasionet e tjera, aq sa u diplomua në shkollën parisiene “Le Cordon Bleu”. Për t’i ndarë këto me publikun, Csaba nisi të shkruajë librat e parë, që varionin nga arti i shtrimit të tryezës, deri te sekretet e kuzhinës. Botën e shkrimeve nga ajo e televizionit, i ndante një hap i shkurtër, prandaj brenda disa viteve u bë drejtuesja e emisionit “Il Mondo di Csaba” në kanalin Arturo, i cili më pas u pasua nga “Merry Christmas con Csaba” dhe “Summer Cooking con Csaba”, në kanalin Real Time..
Si lindi pasioni juaj për komunikimin e më pas, ai për ushqimin dhe përgatitjen e tij?
Kam pasur gjithmonë pasion për gjërat e bukura dhe puna më ka mundësuar, në njëfarë mënyre ose në një tjetër, ta ndjek këtë pasion. Duke punuar në fushën e komunikimit e marketingut editorial, në të cilën jam specializuar, më ndihmon në punën time si shkrimtare e librave të gatimit.
Cila është receta juaj më e dashur?
Pa diskutim torta Pavlova... vezë e rrahur me fruta, pana dhe krem, që ka qenë shenja ime karakterizuese që nga fillimi i karrierës. Në të vërtetë është një ëmbëlsirë nga Zelanda e Re.
Cilat janë këshillat tuaja për darkën e vigjiljes dhe drekën e Krishtlindjes, duke qenë ndoshta disi origjinalë?
Respektimi i traditës shpesh nënkupton humbjen e origjinalitetit, por s’besoj aspak që dita e Krishtlindjes është një e metë. Nuk kërkoj risinë ose efektin surprise me çdo kusht, sepse nëse duhet të zgjedh, preferoj më mirë të gjej një tjetër mënyrë për të gatuar një pjatë të zakonshme. Këtë vit tryeza ime do jetë e gjitha bardhë e zi, një fushë shahu së cilës do t’ia shtojë ngjyrat e kuqja e ribesit dhe ashes, që do t’i propozoj sërish edhe në receta, duke filluar që nga antipasta: mish dhie në furrë me ribes të kuqe.
Cilat janë këshillat tuaja për një mjedis të duhur Krishtlindjesh?
Ta shfrytëzojnë mjaft mirë dritën, mundësisht të përdoren shumë qirinj. Më pas, për të krijuar atmosferën e duhur, muzika është thelbësore. Argëtohem çdo vit duke përgatitur një listë muzikore Krishtlindjesh për t’iu krijuar të gjithëve frymën e duhur të festës. Më pëlqen të guxoj duke shtruar një tryezë të pasur, por jo të ngarkuar, që të mund të shfrytëzohet sa më mirë nga të ftuarit. Si këshillë të fundit, zonja e shtëpisë duhet të ketë patjetër një fustan të gjatë deri në fund të këmbëve.
Cilat janë dhuratat e duhura dhe ato që duhen shmangur?
Nuk më pëlqejnë gjërat e çuara dëm dhe në ditët e sotme shumë nga ne s’kanë vërtet nevojë për asgjë. Më pëlqejnë dhuratat që mund t’i përdor në tryezën time. Sigurisht që im shoq vjet më dhuroi një servis pjatash që e dëshiroja prej kohësh. E rëndësishme është që dhurata të ketë një
funksion. Duhen shmangur dhuratat e shtrenjta, sepse në shumicën e rasteve i vënë në siklet ata që i marrin.
Cilat kanë qenë Krishtlindjet tuaja më të bukura?
Të gjitha ato që kam kaluar qëkurse jam bërë nënë dhe që i kam kaluar me fëmijët e mi. Një kujtim i veçantë më kthen në Krishtlindjen e vitit 2004, kur sapo kisha marrë vesh që isha shtatzënë me fëmijën e parë. Ia thashë tim shoqi me borën në sfond një mbrëmje feste, pak para Vitit të Ri.
Cila është receta që keni më për zemër për Krishtlindje?
Fileto alla Wellington, një recetë që e prezantoi në Shtëpinë e Bardhë, Jacqueline Kennedy. Më ka pëlqyer të frymëzohem nga ideja e saj, sepse kam ushqyer gjithmonë një adhurim të madh për këtë grua që ka treguar guxim në jetë, por që nuk e ka anashkaluar asnjëherë stilin e saj të pangatërrueshëm.
Cila është tradita e Krishtlindjes nga e cila nuk mund të heqësh dot dorë?
Të dëgjoj gjatë gjithë ditës, duke nisur nga data 1 dhjetor, listën me këngët e Krishtlindjes, që e bëj çdo vit me këngë të ndryshme.
Keni ndonjë mani në kuzhinë?
Rregulli dhe planifikimi janë dy manitë e mia kryesore dhe sinqerisht nuk jam munduar asnjëherë t’i mposht, sepse janë pjesë e imja, por mbi të gjitha më ndihmojnë t’i shkoj mbrëmjes deri në fund e qetë.
Kujt i besoni më shumë kur duhet të provoni një recetë të re?
Prej dhjetë vjetësh im shoq është kritiku im më i besuar. Atij mund t’i besoj verbërisht!
Keni bërë ndonjëherë për vete një mashkull “nga stomaku”?
S’di të them, duhet të pyesësh tim shoq. Tani që e mendoj, shikimi ynë i parë i ngrohtë u shkëmbye para një filetoje me dafinë.
Sipas jush, ç’raport ka mes ushqimit dhe joshjes?
Janë dy gjëra shumë të lidhura, sepse kanë analogji të përbashkëta. Për mua ushqimi është joshje, pasi nuk i jep kënaqësi vetëm trupit, por dhe shpirtit. Mund të joshesh edhe nga magjepsja e partnerit, por edhe nga një pjatë e gatuar me përkujdesje.
Është e vërtetë që për të gatuar duhet të kesh kohë? Nuk ndjen ndonjëherë nevojën të bësh një pushim larg furrave?
Koha e kuzhinës është psikologjike. Sigurisht, ka disa receta që janë më të ndërlikuara se disa të tjera, por në përgjithësi kuzhina ka kohë relative, mjafton vetëm të dish të organizohesh. Më ndodh rrallë të mos kem kohë të gatuaj, por ndodh sepse edhe unë jam një grua normale, si shumë të tjera. Të jem e sinqertë s’më ndodh më shumë se dy ose tre herë në vit dhe në ato raste dalim për darkë jashtë, siç bëjnë të gjithë, besoj.
Sipas jush, cilat janë gabimet që bëjnë njerëzit më shpesh në kuzhinë?
Të mos dish të organizohesh para se të fillosh të përgatisësh një recetë çfarëdo, që nga më të thjeshtat te më të ndërlikuarat. Unë i shkruaj në një copë letër të gjitha recetat dhe gjërat që duhen bërë për të shtruar një tryezë, sepse pa diçka të shkruar do të harroja shumë nga gjërat që duhet të bëj.
Cila është këshilla që ju rastis të jepni më shpesh?
Të mendojnë me dashuri për kuzhinën. Kur e do atë që bën, do të të dalë gjithnjë e më mirë.
Keni udhëtuar shumë, por cilin qytet keni më për zemër dhe pse?
Jugun e Francës. Fshati në atë zonë është shumë i bukur dhe atje kam kujtime që më bëjnë të mendoj se dua të plakem nën hijen e vreshtave, midis Grasse dhe Saint Paul de Vence.
Keni qenë ndonjëherë në Shqipëri?
Jo, nuk kam qenë asnjëherë, por mendoj se kjo është një arsye e vlefshme që të vij së shpejti dhe të njoh të gjithë shqiptarët që më ndjekin me dashuri.
Ç’mund të zbulojmë për impenjimet tuaja më të afërta profesionale? Po për librin tënd të fundit, me cilin po punoni?
Në dhjetor do të dalë libri im i ri, “Cioccolato”, të cilin sapo e kam përfunduar dhe e kam dërguar të botohet. Ndërsa për vitin tjetër po mendoj për një emision televiziv, edhe pse s’mund ta fsheh se dëshira ime më e madhe është të filloj të punoj jashtë shtetit.
Cila është tema që ëndërroni ta trajtoni në televizion dhe që deri më tani ka mbetur “e mbyllur në sirtar”?
Do të më pëlqente një emision televiziv në të cilin të flitej për pritjen e miqve në varësi të rastit, jo vetëm për Krishtlindje, por edhe në periudha të tjera të vitit si për Shën Valentin, Pashkë, solsticin veror, pushimet e gushtit, vjeshtës, Hallouin, etj.
Sikur të mund ta përkufizonit vetëm me një frazë, kush është Csaba dalla Zorza?
Një grua që ka këmbënguljen për të ndjekur idetë e saj. Shkëputur nga Revista Living /nga Matteo Martinasso
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...