Personazh 17 Dhjetor 2018

Brenda "Art IN" studio, aty ku enët e porcelanit shndërrohen në vepra arti

Personazh

inarttt

NGA: SANTANA ÇOMORA/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Violana Murataj është një nga artistet bashkëkohore shqiptare, e cila është diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve, Tiranë. Pasioni i saj për pikturën u finalizua me studimet Master, në Shkollën e Arteve Vizuale në Nju Jork, për Video-Fotografi dhe Media, nga e cila u diplomua me rezultate të larta e u nderua me titullin “Chairsman Honor”. Pas përfundimeve të studimeve, ajo jeton dhe punon ndërmjet dy vendeve: Shqipëri–Amerikë. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë ekspozita arti brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat mund të veçojmë prezantimin e saj në muzeun e arteve pamore “Tate”, në Londër. Sot, ajo është një nga femrat artiste, e cila ka marrë përsipër një “mision” të posaçëm, biznesin

inaeee
Nëse hyn në studion e Violës është e sigurt që humbet në mbretërinë e veprave të saj. Ai është vendi ku Viola strehohet për të materializuar çdo ide që i vjen në mend. Ka shumë dashuri e pasion në punët e saj dhe ky detaj duket sikur të bëhet i ditur që në momentin kur ajo të hap derën e të fton për një kafe, ulur në një nga poltronat e krijuar me dru arre. Mes notave muzikore të xhazit, ajo të shërben kafenë me filxhanët e personalizuar nga ajo vetë, dhe ti nuk e kupton ku qëndron kufiri mes së shkuarës dhe së ardhmes, sepse mes objekteve të shumta të vizatuara aty gjen të kaluarën tonë; që nga heronjtë e motivet kombëtare të etnografisë shqiptare e deri te personazhet më modern apo objektet abstrakte. Çdo takim me të, për mua ka qenë një mësim më shumë për artin dhe çdo herë jam befasuar nga gjërat e mrekullueshme që gjej aty. Nëse do të qëndrosh me Violën, do të kuptosh se ajo ka një botë aq të pasur, sa e ka të vështirë të shprehet, sepse atë çfarë ka në shpirt, di ta shprehë më mirë me art.
Ajo nuk di të shpjegojë se kur i ka lindur ky pasion, ka qenë i injektuar në gjak që në momentin kur lindi, apo u rrit bashkë me të. Ndoshta, duke ardhur nga një familje artdashëse këto shkëndija kanë qenë të pranishme qysh në hapat e parë e tanimë gjejnë terrenin për të ndriçuar. Që kur ishte fëmijë, 14 vjeçe, ajo studioi pikturë në shkollë artistike dhe jo rrallëherë i ndodhte të vizualizonte mendimet apo idetë, qofshin këto dhe spontane. Ishte pikërisht kjo formë e të shprehurit, për të përcjellë komunikimin në raport me veten dhe me ambientin përreth. I tillë nisi dhe ky projekt artistik për të. “Një mbrëmje, teksa po pushoja në studio, më tërhoqi vëmendjen një pjatë e zakonshme porcelani mbi tryezën e punës, pranë kompjuterit, e cila shërbente si mbajtëse lapsash me ngjyra. Ashtu, gjysmë e mbështetur në tavolinë fillova të skicoja një figurë fëmije, që i shëmbëlleu shumë portretit të vajzës sime. Pas përfundimit të skicës, kuptova që po më shijonte pa masë kjo formë dëfrimi dhe dalëngadalë, ideja po zëvendësohej në një stivë pjatash porcelani që skicoheshin çdo ditë e më tepër derisa një ditë u konkretizuan në hapjen e studios për realizime profesionale të enëve të porcelanit

filxhaner
“ART IN Studio”. PUNA E PARË E SAJ
Ka ditë e net që ajo i ngrys aty. Ditët kanë të njëjtin vrull nisjeje, por secila prej tyre zhvillohet intensivisht ndryshe e mbyllet në orët e para të mëngjesit të ditës në vijim. Studioja është pikënisja nga ku fillon dita me një kafe në ambientin pritës, një shfletim i shpejtë i informacioneve të fundit e duke vijuar me takime pune ose me realizimin e tyre. Pasditja i takon familjes e dy vajzave të vogla, e përsëri orët e mbrëmjes deri në mesnatë e gjejnë aty, në atë pjesëz krijimtarie që i duhet të përgatisë për ditët në vijim. Çdo objekt në studion e saj merr një vlerë të caktuar. Aty shkrihen kaq bukur kohërat me njëra– tjetrën, që nga mbulesat e vjetra, të ruajtura me fanatizëm nga vetë ajo, aparatet e vjetër fotografikë e telefonikë e deri tek teknologjia e sotme:
“Jam fanatike e ruajtjes së objekteve të një periudhe të shkuar, sidomos kur kanë ndikim kombëtar. Është një pjesë historie që jo çdokush e ka jetuar dhe interesi im për ta njohur këtë pjesëz historie të munguar, me shumë kureshtje, më ka bërë t’i vlerësoj dhe mirëmbaj me fanatizëm objektet që kanë vlera historike e artistike dhe, për më tepër mungojnë në periudhën e industrializimit dhe teknologjisë.”

gocaartt

Çdo punim ka kohën e tij. Është një kohë e papërcaktuar, që lidhet drejtpërdrejt me procesin që kërkon secili produkt. Së pari, i duhet ta konceptojë mirë dizajnin, duke iu përshtatur me kujdes karakterit të produktit fillestar që ka e më pas është puna realizuese për ta shprehur këtë ide më së miri. Baza materiale është guri i themelit, që ajo e kërkon në cilësinë e duhur për realizimin e pikturave të saj, pasi i duhet të bëjë kujdes në përzgjedhjen me profesionalizëm të cilësisë, stilit, apo dhe ngjyrës, për të qenë në harmoni estetike me atë çka dëshiron të kompozojë. Ajo është natyrë e qetë dhe e duruar, dhe kur e pyes ku qëndron dallimi mes një artisti dhe një artizani, me delikatesë më thotë se të dy janë artistë, pasi në thelb kanë një të përbashkët, artin si proces krijues:
“Artizani dhe artisti, në hapësira të ndryshme arrijnë të konkretizojnë një produkt të realizuar 100 % në mënyrë manuale, por ndryshe nga artizani, i cili shpesh mundet të jetë dhe një realizues i denjë, artisti shkon përtej këtij procesi, duke e transformuar objektin në një dimension tjetër. Pikërisht në këtë rast, unë mund të blej produktet e një artizani, si p.sh. pjata, këpucë apo çanta dhe të krijoj konceptin artistik në lidhje me dizajnin e përshtatshëm për këto objekte”, – shton ajo, duke më rrëfyer edhe për dëshirat që ka. Kërkon të ndërtojë një linjë autentike shqiptare, ku në fokus të jenë suvenire porcelani me tematikë kombëtare. Përtej këtij koleksioni, që ajo e ka një nga të preferuarit e saj, aty po zë fill dhe një koleksion tjetër më fashion, me çanta, këpucë e kuleta të personalizuara. Viola nuk niset nga kërkesa e klientit, por është ajo që server produktin artistik, sepse ky është dhe qëllimi që i buron natyrshëm, për të krijuar një gamë të gjerë produktesh artistike në nivel profesional. Paketimi është po aq i rëndësishëm, sa edhe vetë produkti. Është mënyrë e drejtpërdrejtë komunikimi midis prodhuesit dhe konsumatorit e ajo i jep një rëndësi të veçantë këtij detaji. Me shumë pasion dhe përkushtim, ajo shijon gjithë këtë proces e në fund të çdo objekti të pikturuar i mbetet e stampuar vetëm dashuria. Ajo nuk mund t’i ndajë punët e saj, sepse secila është një dashuri më vete.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor