Art Craft 13 Dhjetor 2018

Hap pas hapi si të krijoni një terrarium/ pse bimët nuk vyshken asnjëherë në këto shishe qelqi

Art Craft

terere

Nga Zhaklin Lekatari/ fotografia Armand Habazaj

Terrariumet janë në modë. Jo vetëm për ata që i duan bimët, por dhe për më përtacët ose për të gjelbëruar shtëpinë, zyrën ose tavolinën, pa krijuar papastërti. Një vazo apo shishe qelqi pa ngjyrë, pak dhe, myshk, guralecë, bimë sukulente, dekore të brendshme dhe në më pak se një orë, oborri në miniature është gati. Një terrarium është i lehtë për t’u krijuar dhe akoma më i lehtë për t’u mbajtur. Është gjithashtu një mënyrë shumë e mirë që fëmijët tuaj të mësojnë procesin e fotosintezës, mikrokozmosit dhe të mikrokonditave atmosferike.

twrer

Fjala “terrarium” vjen nga latinishtja dhe do të thotë “tokë e mbyllur”. Vlerësime pozitive për një “mini landscape” ose për një landscape në maket, që tashmë ndodhet në tavolinën time të punës. Ideatorët e terrariumit në Tiranë, i zbulova rastësisht, duke kërkuar me kërshëri ide dhe personazhe të reja, në feed-in e Instagramit. Për një çast, rrëshqitja e shpejtë u ndal, nga ai gjelbërim në miniaturë që në fillim m’u duk si një “oborr bonsai”. Arnoldi dhe Ejona janë dy studentë arkitekture me një pasion të madh për bimët dhe “landscape design”. Të dy bashkë kujdesen për oborrin e shtëpisë së Arnoldit, që është i pasur me 480 lloje bimësh të ndryshme, sasia e të cilave rritet me shpejtësi skëterre. Megjithatë, ideja për të mbjellë bimë në shishe qelqi apo për krijimin e një terrariumi erdhi nga një kronikë e medias angleze BBC. David Latimer ishte anglezi, i cili në vitin 1960 vendosi të krijonte një oborr me shishe qelqi. Ai mori një shishe të madhe prej qelqi, nga ato që shërbejnë për të mbajtur verë apo raki, dhe e mbushi me dhe, ujë e disa bimë. Shishen e tij të madhe nuk e ujiti deri në vitin 1974, kur zbuloi dhekuptoi që brenda saj kishte jetë, ndonëse ai nuk ishte kujdesur për të. Bimët e tij të mbjella më shumë se një dekadë më parë, ishin aty, të gjalla, të gjelbra dhe më të bukura se më parë. Kjo, sepse hapësira brenda shishes shërbeu si ekosistem, që ricikloi ujin dhe përbërësit e tjerë. Kështu, Arnoldi dhe Lea vendosën të krijonin dhe vetë një terrarium të tillë. Si fillim morën informacione nëpërmjet internetit dhe videove shpjeguese në You Tube, duke mësuar dhe teknikën bonsai.
Më pas, duke marrë informacione për bimët dhe për funksionet apo llojet e tyre. Hapi tjetër ishte dokumentimi i kësaj eksperience dhe i gjithë projektit nëpërmjet Matiasit, i cili fikson në aparatin e tij, çdo terrarium apo botë të re që Noldi dhe Lea jetësojnë. Nëse një terrarium është i lehtë për t’u ndërtuar, akoma më i lehtë është për t’u mirëmbajtur. Një sasi e paktë uji në fillim (asnjë sasi uji nëse dheu është i njomë), dritë dielli jo e drejtpërdrejtë dhe dashuri. Gjithë magjia qëndron te xhami nëpërmjet të cilit, bimët që duhet të jenë në familjen e sukulenteve ose nga ato që nuk kanë nevojë për ujë, marrin dritën për procesin e fotosintezës. Oksigjeni i krijuar gjatë fotosintezës rikthehet në formë pikash te bima. Ndërkohë, gjethet e thata që bien, ndihmojnë në krijimin e dyoksidit të karbonit dhe nutrienteve të tjera, që i duhen bimës. Pra, një sasi e vogël uji, e cila riciklohet nëpërmjet rrënjëve, për t’u çliruar në ajër, për t’u kondensuar dhe kthyer përsëri në dhe. Terrariumet jo vetëm që janë në modë, por sjellin virtualisht natyrën, kujtimet, pyllin dhe lulet, në tavolinën tënde të zyrës, apo në shtëpi. Një shikim i kujdesshëm, një kujtim i bukur, merr frymë thellë, dhe relaks.
MJETET E NEVOJSHME:
Shishe, enë me grykë qelqi
Bimë sukulente
Dhe e fertilizues
Gurë dhe myshk
Gurë, guaska apo sende të tjera zbukuruese

tererew

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor