Nga humbja e peshës te parandalimi i sëmundjeve, ja 10 benefitet e çajit (sidomos atij jeshil)
Çaji e sidomos ai jeshil është një pije e mrekullueshme. Më poshtë ju tregoj 10 benefite të tij: 1. Çaji mund t'j...
Modelingu është një nga profesionet më tërheqëse, por në këtë fushë jo gjithçka ka lidhje me pamjen e bukur. Magjia e këtij profesioni është të krijosh diçka interesante. Diçka aq magjepsëse, saqë kur të ndizen dritat, të të nxitin të hysh në atë botën e madhe e shumëdimensionale të së bukurës. Pa dyshim që kjo ide e ka tërhequr edhe Migers Binerin të futet në botën e modës. Njëzetepesëvjeçari nga Tirana, me një formë të shkëlqyer fizike, me tipare që as dora më e përkryer nuk do të arrinte t’i pikturonte dot, me nurin e ëmbël dhe hirin prej bruni, e ka nisur rrugëtimin e tij kur ishte vetëm 18 vjeç. S’do mend që pamja e tij i ka hapur dyert dhe ai e pranon me mjaft modesti këtë fakt. Ashtu siç pranon që edhe mundësitë për disa role në filma të ndryshëm, i janë çelur falë paraqitjes së hijshme. “Modelingu ka qenë një zgjedhje që e kam bërë me shumë pasion, - shprehet Migersi. - Po ashtu, edhe aktrimi. Këtë rrugëtim e kam filluar para 6-7 vjetësh dhe nuk kam ndjekur ndonjë shkollë arti. Kam përfunduar gjimnazin ‘Sami Frashri’ dhe më pas kam studiuar për Marketing-Biznes. Paraqitja më ka plotësuar dhe më ka rritur vetëbesimin. Para 6 vjetësh u përzgjodha për një konkurs dhe fitova. Aty më lindi dëshira për ta vazhduar këtë rrugë, e cila më dha mundësi të isha pjesë e shumë reklamave dhe të bëja disa kontrata të ndryshme në shtetet aziatike.”
Vitin e kaluar, në Indi, Migersi u përzgjodh për të qenë pjesë e një agjencie modelingu dhe talentesh të reja për aktrim. Aty kaloi pranverën dhe verën, kohë që shënoi një prej përvojave më të bukura të të riut nga Tirana. Në Indi, Migersi u angazhua në disa reklama dhe shërbime fotografike e madje pati mundësinë të kishte disa role të vogla në Bollivud. Sigurisht që për këto nuk ishte nevoja të dinte gjuhën vendase, sepse u përzgjodh të luante role të personazheve të huaja, të cilët flisnin anglisht. “Gjashtë muajt e kaluar në Indi, kanë qenë një përvojë shumë e bukur për mua. Ai vend nuk ka lidhje me Europën dhe aty pashë shumë gjëra të reja, të cilat nuk i kisha ndeshur më parë, - rrëfen Migersi, dhe duke mos lënë mënjanë magjinë e jetës së Mumbait, shton: - Profesionalisht, aty mësova si të pozoj, sepse në Shqipëri nuk më ishte dhënë mundësia të merrja leksione. Gjithë përvoja e punës sime në Indi, ishte si një kurs formimi, që më mësoi që nga mënyra se si duhej të sillesha para kamerave, e deri se si të aktroja. Për çdo mundësi për punë duhej të merrje pjesë në audicione dhe pa një portofol tëndin, nuk futeshe dot askund. Falë audicioneve, u përzgjodha si model për markën “Polo Amazon”, shumë e rëndësishme atje, ndërkohë që u përzgjodha të punoja edhe për tri marka të tjera indiane veshjesh. Përvoja më e bukur që përjetova atje, ishte një punë ku kompania më përzgjodhi pa audicion, vetëm nëpërmjet fotove. Ishin tri ditë punë në një qytet tjetër të Indisë, dhe për të shkuar aty më vunë në dispozicion edhe një avion. Të shkoje në punë me avion, nga një qytet i Indisë në tjetrin, ishte një ndjesi shumë e bukur (qesh)”.\
Përvoja si aktor në disa role të vogla në Bollivud, i ka ngjizur Migersit dëshirën për ta vazhduar rrugën e kinematografisë. Edhe në Shqipëri ka pasur disa role të vogla, por synon për mundësi të tjera. Aktualisht, 25-vjeçari është moderator në një program muzikor në televizion, por në planet e tij më afatgjata, qëndron Amerika dhe mundësia për të zhvilluar një karrierë përtej oqeanit. “Synoj Amerikën, sepse është vend i madh, botë tjetër dhe me shumë mundësi. Dua ta provoj, pse jo? Njeriu provon. Në Amerikë, edhe nëse zhvillon një pasion, ke mundësi ta përmbushësh duke bërë edhe punë të tjera, ndërsa në Shqipëri është ndryshe. Këtu është vend i vogël dhe njerëzit kanë komplekse. Dua të shkoj të provoj aktrimin. E di që është shumë e vështirë për t’u integruar, por shpresoj. Modelingun e shikoj më shumë si një trampolinë në kinematografi, sepse të jep mundësinë të njohësh njerëz të rëndësishëm.” Përtej kënaqësisë së madhe që i ofroi përvoja profesionale në Azi dhe krijimit të një ambicieje për t’i hyrë kinematografisë, shija që ai vend i ka lënë Migersit, është e papërshkrueshme. Modeli që synon
aktrimin dhe me një pasion të madh për udhëtimet, e ka shijuar dyfish Indinë. Të paktën një herë në muaj planifikon një udhëtim dhe, sa herë kthehet, ndihet i ndryshuar së brendshmi. Por efektin më të madh të këtij transformimi shpirtëror, ia ka dhënë padyshim India, me natyrën e bukur, njerëzit që jetojnë shumë thjesht dhe traditat e ushqimet, që janë një realitet krejt tjetër nga ai i vendit tonë. “Në fillim e kisha pak të vështirë për sa i përket ushqimit. Atje ka një përzierje shijesh, aromash dhe erëzash. Shumë interesante ishte aroma karakteristike e Mumbait. Qyteti kishte një erë të veçantë, si erë ushqimi. Dy javët e para e kisha pak problem këtë, pastaj u mësova, u integrova dhe nuk doja të ikja. Me atë vend tani më lidh një emocion shumë i veçantë.”
Venecia ka qenë destinacioni i fundit ku Migersi ka shijuar disa ditë pushimi. I sapokthyer prej qytetit antik dhe historik, sërish me një ndryshim të thellë shpirtëror, i riu u është drejtuar angazhimeve të përditshme dhe synimeve të largëta për të zhvilluar karrierën e tij. Ku i dihet se ku mund ta shohim ndonjë ditë! Dëshira, ambicia dhe paraqitja e tij të mbushin me shpresë dhe të bëjnë të shohësh tek ai, një yll të së ardhmes.
NGA ELONA JAÇELLARI
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
Çaji e sidomos ai jeshil është një pije e mrekullueshme. Më poshtë ju tregoj 10 benefite të tij: 1. Çaji mund t'j...
Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të ...
Meri Gjini ka bërë parashikimin për të gjitha shenjat, për atë çfarë i pret në katër ditët e ardhshme...