Cfare te vizitosh ? 28 Mars 2018

Ky është qyteti më i lirë evropian për të kaluar një fundjavë/ Të gjitha shpenzimet nuk i kalojnë 200 euro

Cfare te vizitosh ?

krakower

Krakovi është destinacioni më ekonomik në Europë, sipas Post Office City Costs Barometer (studimi i cili kryhet për vitin e dhjetë radhazi).
Duke i marrë titullin Vilnius në Lituani, qyteti polak ka fituar katër pozicione nga viti i kaluar, duke marrë vendin e parë, me një fundjavë që kushton 164,80 sterlina për dy persona, duke përjashtuar udhëtimin.
Top 10 dominohet nga vendet e Europës Lindore, me Athinën, Lisbonën dhe Lille, të vetmet që përjashtohen nga rajoni. Moska renditet në vendin e gjashtë (vitin e kaluar ishte në vendin e 16-të). Një fundjavë në kryeqytetin rus kushton 199,64 sterlina. Studimi ka vlerësuar 36 qytete europiane, duke llogaritur shpenzimet për 12 artikuj kyç, duke përfshirë hyrjen në një muze apo galeri arti, një menu me tre pjata dhe prenotimin në një hotel me tre yje për dy persona.
Në këtë klasifikim, Amsterdami është destinacioni më i shtrenjtë, ndjekur nga Oslo dhe Reikjaviku.
“Kursi i këmbimit është sigurisht një faktor për t’u marrë në konsideratë përpara se të prenotoni një fundjavë jashtë”, – tha Andrew Brown nga Post Office Travel Money. “Sterlina është forcuar krahasuar me monedha të tjera europiane, gjë që do të thotë se edhe qytetet ende më të shtrenjta si Stokholmi dhe Reikjaviku janë më ekonomike se një vit më parë”.
“Megjithatë, turistët në kërkim të disa ditëve pushimi duhet të marrin në konsideratë qytete në Europën Lindore, veçanërisht ato në Poloni apo Vendet Baltike”.
Post Office City Costs Barometer zbuloi se Riga, kryeqyteti në Letoni, ofronte qëndrimin më ekonomik, ku dy net, në një hotel me tre yje, kushtonin 62 sterlina, ndërsa Athina, kryeqyteti grek, krenohet me çmimet më ekonomike të një vakti për dy persona + verë (37,11 sterlina), ndjekur nga Varshava me 42,50 sterlina.
Kur bëhet fjalë për kulturën, të vizitosh një muze, galeri apo një vend trashëgimi kulturore, Vilnius renditet në vend të parë, ku turistët do të paguajnë vetëm 4,53 sterlina (për të tria këto). Amsterdami është destinacioni më i shtrenjtë (muze + galeri arti + vend i trashëgimisë kulturore) për një total prej 46,61 sterlinash. Roma është destinacioni i dytë më i shtrenjtë, me 46,16 sterlina.
Sipas Post Office, Londra është qyteti i 25 më i shtrenjtë për një fundjavë 351 sterlina.
Për ju që mendoni të vizitoni Krakovin, ku këshillojmë të vizitoni Rynek Glowny, sheshin më të madh mesjetar në Europë, po ashtu Wawel Hill dhe Kështjellën Mbretërore, ku ndodhen edhe veprat më të çmuara të artit në Poloni, Shën Marinë e Leonardo da Vinçi. Po ashtu edhe ish-kampi i përqendrimit të Auschwitz nuk është larg qytetit.
KRAKOV, POLONI — £164.80
Një kafe: £1.79
Birrë: £1.57
Një vakt me tre pjata, për dy persona si dhe një shishe verë: £42.72
Transporti me autobus apo tren nga aeroporti në qendrën e qytetit: £3.58
Qëndrimi në një hotel me tre yje për dy persona: £78.00

Burimi:Monitor

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor