Personazh 2 Shkurt 2018

Njihuni me Gladiola Dona, zonjën që ka hapur akademinë e mikpritjes, shkollën që të mëson rregullat e etikës

Personazh

tavolirwrw

Kur e takon për herë të parë, akoma pa folur me të, hamendëson se është një aristokrate vjeneze e ardhur në Tiranë. Ajo zotëron mjeshtërinë e artit të mirësjelljes dhe të mahnit me komunikimin përmes fjalëve dhe gjuhës së trupit. Quhet Gladiola Dona dhe është një ndër themelueset e “Hospitality and Tourism Academy” ose thënë shqip, Akademisë së Mikpritjes dhe Turizmit. Përmes kurseve, ajo të mëson se si të prezantosh veten në mënyrën më të mirë, të japësh dorën dhe ta shohësh në sy personin që ke përballë, të thuash fjalët e duhura në kohën e duhur, të njohësh me përpikëri rregullat e tryezës, etikën, mënyrën elitare të sjelljes dhe mbi të gjitha, të bëhesh një profesionist/e në fushën e hotelerisë dhe turizmit

Gladiola e gjeti veten në këtë fushë në moshën 18-vjeçare, gjatë pushimeve të verës, teksa kërkonte një punë sezonale. Ishte viti ’95 kur hotel “Rogner” po hapte dyert në Shqipëri dhe kërkonte të rekrutonte staf, të cilin do ta trajnonte. Një ndër kushtet ishte të njihje mirë anglishten dhe ajo vendosi të provonte veten. E nisi si hostes, mikpritëse që akomodonte klientët në tavolinë e u sugjeronte ndonjë aperitiv, ndonëse në ato vite, në vendin tonë këto pije as njiheshin e as
konsumoheshin. Madje si shumë prej nesh, të pamësuar me shumë gjëra, për shkak të mbylljes me kulturat e tjera, ajo nuk e kuptonte as përse duheshin aq shumë pirunë e thika në tryezë. Por kjo gjë iu duk shumë intriguese dhe krahas punës, zgjodhi që studimet e saj të thelloheshin në shkollën e Hoteleri- Turizmit fillimisht si kurs në hotel “Rogner” e më pas në një shkollë të lartë private profesionale në Salzburg të Austrisë. Pas tetë vitesh pune vendosi të kthehej në Shqipëri, pasi Austria nuk ishte aq sfiduese për të, sa të realizonte diçka ku do të linte gjurmën e saj.
Meqenëse turizmi nuk ishte në nivelin që ajo donte, nisi studimet për Menaxhim Biznesi dhe Marketing në Shqipëri dhe për disa vjet punoi në kompani të ndryshme në këtë sektor. Tetë vitet e fundit, ka punuar si drejtore e administratës në shkollën private “World Academy of Tirana”. “E kam pasion këtë punë dhe jam e lumtur që e nis ditën aty, e buzëqeshur, sepse punoj me fëmijët. Kjo punë më jep shumë kënaqësi: përqafimi i një fëmije, një fjalë e ëmbël...
Të gjithë vogëlushët janë lule që të zbukurojnë ditën.”

livier


rgwrw

Ndërsa në vendin tonë po kërkoheshin profesionistë në fushën e Hoteleri- Turizmit, Gladiola kuptoi se ishte koha e duhur për të hapur kurset; tashmë me më shumë përvojë dhe e kompletuar profesionalisht, ndonëse nuk ishte shkëputur asnjëherë nga bota e hotelerisë, qoftë edhe si konsumatore. Dashje pa dashje, ajo është kthyer në një kritike ose vlerësuese ndaj shërbimit që merr. Miqtë gjithmonë presin që ajo të provojë dhe të zgjedhë verën në tryezë, të bëjë komente apo sugjerime për shërbimin e ofruar, se si duhej të ishte sjellë kamerieri, si duhej të kishte vepruar, si foli, qëndroi, buzëqeshi, si e vendosi pjatën, e të tjera. “Gjithmonë e kam ndarë me shumë kënaqësi dijen time me të tjerët. Në Shqipëri ka nevojë për recepsionistë, kamerierë, baristë, hotelierë profesionistë dhe kjo më nxiti të mendoja se ose do t’i bëja tani këto kurse, ose asnjëherë.” Kështu, iu përvesh punës dhe u ul të shkruante. Hapi librat e shkollës që kishte studiuar në Austri, bleu libra të rinj dhe krijoi programet për kurset. “Me hapjen e kurseve, vumë re se ata që kanë investuar në biznese, hotele, bare, restorante dhe nuk ishin të kësaj fushe, kishin nevojë për konsulencë. Kishte ardhur koha që ata të mësonin se si duhej të funksiononte biznesi i tyre apo të kërkonin që stafi të ishte më i përgatitur, duke iu përgjigjur kërkesave të klientëve për një shërbim më cilësor.” Nga kurset e këtyre dy viteve kanë dalë shumë profesionistë me të cilët është krijuar edhe një komunitet, me qëllimin për të ndarë eksperiencën dhe zhvillimet e reja, për të ofruar një shërbim më të mirë.

wrers

“Sot, një kamerier nuk është vetëm një person që sjell dhe merr pjatat, por një person që duhet të ketë një kulturë shumë të gjerë, të dijë më shumë se konsumatori, për ta mahnitur atë: si ekuilibrohet shija, pse kombinohet një produkt me një tjetër. Kështu, gjithçka merr kuptim dhe gjërat lidhen me njëra-tjetrën, si për shembull: pija me ushqimin, me shërbimin, me ambientin dhe muzikën. Unë dua që njerëzit që zgjedhin të bëjnë këtë punë, të angazhohen me gjithë pasionin e tyre.” Vitet e fundit, në Shqipëri është përmirësuar dukshëm kultura e shërbimit, ashtu siç është rritur edhe niveli i konsumatorit, dhe nuk duhet të jesh patjetër profesionist për ta kuptuar këtë. Tani kamerierët kanë uniforma të këndshme dhe kur hyn nuk të drejtohen me fjalët: “Si jeni? Mirë?”, por të mirëpresin duke thënë: “Përshëndetje!

Mirë se erdhët!” Veç kësaj, ata kanë filluar të komunikojnë më shumë dhe të sugjerojnë. “Profesioni i kamerierit ka filluar të shihet si afatgjatë dhe jo më si
punë me kohë të pjesshme. Kështu, edhe ata që e zgjedhin, investojnë shumë për t’u përmirësuar e për të dhënë më të mirën.” Ndonëse me një ditë të ngarkuar, nga mëngjesi deri në mbrëmje, mes administrimit të një shkolle dhe kurseve e orëve të mësimit që ajo jep aty, nuk heq dorë asnjëherë nga pasioni i shërbimit qoftë edhe në familje. “Kur shtroj tryezën në shtëpi, nëse marr dy pjata njëkohësisht, nuk i mbaj një në dorën e majtë dhe një në të djathtën, por i mbaj si kameriere: të dyja pjatat në të njëjtën dorë.” Gladiola është nënë e dy fëmijëve: Meit, e cila është në klasën e tretë dhe Roanit nëntëmuajsh. Ajo përpiqet që tryeza për ta dhe bashkëshortin të shtrohet sipas rregullave të etikës dhe mbi të gjitha, të ketë ushqim të shijshëm. Gatimi është një pasion tjetër që u rrit me shkollën e Hoteleri- Turizmit dhe ndonëse jo të shpeshta, drekat dhe darkat mes miqsh të shtruara nga Gladiola janë një spektakël në dukje dhe në shije. Duke e dëgjuar, gati-gati dua të regjistrohem edhe vetë në këto kurse. Ajo thotë se ofrohen disa kurse për zonja e zonjusha ku në disa orë, mund të mësosh se si të konsumosh e të njohësh verën, cili është protokolli për një darkë pune dhe etika e shërbimit dhe e konsumimit.
Sa më shumë e dëgjon, aq më shumë bindesh se herët a vonë, do të biesh në grackën e pasionit të saj, pasi kupton se këto gjëra të vogla në dukje, të bëjnë të
jetosh bukur

taoliew

Kjo tryezë është shtruar për një menu me tri pjata. Për pjatën e parë janë shtruar piruni dhe thika të vendosur në skaje. Ata janë më të vegjël se piruni dhe thika
tjetër, që përdoren për pjatën kryesore, dhe janë vendosur pranë pjatës. Në krye qëndrojnë gjithmonë piruni dhe luga e ëmbëlsirës. Kujtohuni gjithmonë që piruni
vendoset poshtë lugës. Gota e verës vendoset 2 cm mbi thikën e madhe, ndërsa gota e ujit anash, pak më poshtë saj. Tavolina mund të dekorohet me degë pishash, pisha të thara e zbukurime të stinës, pse jo, edhe të mbledhura vetë në natyrë.
NGA Brunilda Lahe | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj | VENDNDODHJA: Restorant Living

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor