Ambasador 2 Qershor 2016

Me Tania Ramos, në rezidencën e ambasadës braziliane në Tiranë

Ambasador

ambasadorrr livinging

Nga Dhurata Thanasi Daneri, Fotografia Armand Habazaj

Më ndodhte për herë të parë të mos e njihja personalisht gruan e ambasadorit, për të cilën do të shkruaja. E kisha takuar rastësisht në një nga pritjet apo inaugurimet që ndodhin shpesh në kryeqytet, por nuk ishim prezantuar. Kur iu afruam vilës së ambasadorit brazilian, diku në zemër të grumbullvilave në jug të Qytetit Studenti, ishte pasdite. Derën na e hapi e zonja e shtëpisë, Tania Ramos, një grua serioze, plot sharm, ku fshihej edhe bukuria e rinisë së saj. E veshur bardhe zi, me një gjerdan perlash rreth qafës, më dha dorën dhe me zë të kadifenjtë, me një anglishte të përsosur, na ftoi brenda me fjalët: “Jam Tania Ramos, mirë se vini në shtëpinë tonë!” Sapo hyn në rezidencën trekatëshe, të bie në sy prania e artit kudo: objektet antike në sallonin e pritjes, pikturat klasike e moderne, deri edhe tryeza e ngrënies e përgatitur enkas për ne. Duket se zonja e ambasadorit ka sqimë të veçantë në arredimin e vilës. Objektet “sillnin” dëshmitë e vendeve ku familja e saj kishte udhëtuar e jetuar. Zonja Ramos vëren se sa e mahnitur jam e duke buzëqeshur më thotë: Jam e pasionuar pas vazove kineze, janë pika ime e dobët! I marr me vete kudo që shkoj. Në fakt , ne marrim me vete gjithë shtëpinë. Nga mënyra se si i kundron vazot e vendosura mbi tavolinën e mesit të sallonit, dalloj dashurinë për artin aziatik. “Shteti këtu na siguron gjithçka, por Brazili na mungon shumë, ndaj nuk dua të më mungojë shtëpia ime!” Është pikërisht e famshmja saudade ose nostalgjia braziliane, pohoj me vete. Kot nuk thonë se, pas njëfarë kohe, brazilianët e ndiejnë mungesën e atdheut të tyre.

Pasi rehatohem në divan, Tania më ofron një pije joalkoolike, të përgatitur me shegë, panxhar të kuq e portokall, të cilën e shijoj dhe, pikërisht në atë çast, nis biseda jonë. Tregon se në Shqipëri jeton prej një viti e gjysmë. Kur të shoqin e emëruan ambasador në Tiranë, u gëzuan tej mase, pasi e adhurojnë Europën, ku kishin jetuar për shumë kohë. “Për ne, Shqipëria është Europë. Fëmijët tanë jetojnë në këtë kontinent. Njëra nga vajzat jeton në Milano, djali në Stokholm, kurse vajza e vogël jeton me ne dhe vazhdon studimet për psikologji pranë Universitetit të Nju-Jorkut, në Tiranë.” Tania më tregon sa e do Tiranën, edhe pse ka vetëm një vit e gjysmë që jeton këtu. I pëlqejnë njerëzit, marrëdhëniet me fqinjën shqiptare, me të cilën shkëmben çdo ditë pjatat që gatuajnë dhe plot pasione të tjera. Ka udhëtuar e jetuar në shumë vende, por Tirana i duket një qytet i qetë, ku njerëzit e njohin njëri-tjetrin dhe ana njerëzore ka një rëndësi të veçantë. Ndërkohë që bisedojmë, shikojmë edhe objektet antike që zbukurojnë vilën. Kur Armandi, fotografi, kërkon t’i bëjë një fotoportret, Tania ia pret me shaka që t’ia ketë kujdes rrudhat. Më pas, tregon se ajo ushqen një pasion të madh për fotografinë dhe se, sipas saj, këtë art nuk e arrijnë dot të gjithë. “Edhe unë kam aparat fotografik”, vijon, “por asnjëherë nuk më dalin fotot si të fotografëve profesionistë edhe pse fotografojmë të njëjtin peizazh. Fotografët arrijnë të nxjerrin më të mirën në një portret, tiparet më dominuese njerëzore dhe karakterin.” Meqë po flasim për fotografinë si një art pamor e shpirtëror, e pyes për një patriot të sajin i cili, për mua, është një nga mitet e fotografisë dokumetuese, shkëlqesinë e tij Sebastião Salgado. Tania gëzohet kur merr vesh se Salgado është fotografi im i preferuar dhe me dashuri më tregon një nga albumet e tij të famshme, të cilin ia ka kushtuar punëtorëve.



Nga një histori në tjetrën,koha ka kaluar dhe me ne është bashkuar edhe zoti ambasador. Z. Jorge Jose Frantz Ramos nuk ta jep përshtypjen se është brazilian, ose të paktën jo me ato tipare që ne shqiptarët jemi mësuar t’i shquajmë brazilianët. Pamja e tij më kujton shumë aktorin britanik Ben Kingsley. Aty marr vesh se ka prejardhje gjermane. “Toka jonë është tokë emigrantësh,” thotë Tania. “Brazili ka mirëpritur afrikanë, italianë, gjermanë, holandezë etj., ndaj edhe kuzhina e gatimet tona janë ndikuar nga emigrantët e këtyre vendeve.” Më vjen ndër mend skllavja Izaura dhe Zhoao Amazona, dy brazilianët që më kanë shoqëruar në fëmijëri.
Ndërkohë, kasha njohur shumë brazilianë: kolegë, miq, këngëtarë, artistë, futbollistë. “Ah, meqë ra fjala te futbolli! Ju jeni ‘toka më pjellore’ e futbollistëve në botë, nuk di nga ta zësh e nga ta lësh”, them e mrekulluar. “Ashtu është,” miraton Tania. “Kam pasur fatin të punoja me Pelé-n, një nga futbollistët tanë më të njohur. Isha shefe kabineti kur Edison Arantes do Nascimento mbante pozicionin e ministrit të Sporteve.” Në fillim, m’u duk sikur nuk e dëgjova mirë, ndaj e pyeta sërish: “Pelé i Topit të  Artë?” “Po”, thotë Tania. “Kam qenë shefe e kabinetit të tij për gati 5 vite. Ajo ka qenë një periudhë e artë. Është njeriu më i thjeshtë e më human që njoh!” Tania vazhdon të
më rrëfejë për jetën e saj, nga njëra anë e mrekullueshme, e mbushur me udhëtime, objekte arti nga të gjitha shtetet ku ka qenë, por, nga ana tjetër, edhe e vështirë: gjithmonë me plaçka në krahë e në lëvizje, duke rritur fëmijë që nuk ndihen plotësisht brazilianë, por qytetarë të botës.

U mungon komunikimi në gjuhën amtare, sepse punojnë e jetojnë në vende të huaja; kanë mall për miqtë e rinisë, që i shohin rrallë, edhe pse teknologjia ka ndryshuar dhe i ka sjellë njerëzit më pranë. Pak më vonë më fton në kuzhinën e shtëpisë dhe aty njihem me dy zonja shqiptare që punojnë në ambasadë. living ambassador “Jam e bekuar”, thotë Tania. “Kam qenë në shumë ambasada, por kurrë nuk kam pasur personel të tillë. Shefi i kuzhinës, Ilir Hysaj, gatuan gjellët tona si të ishte shef brazilian, pa më të voglin ndryshim. Por më pëlqen shumë edhe kuzhina shqiptare, e adhuroj, ndaj Iliri gatuan disa here në javë receta shqiptare.” Tania më dhuron një libër të historisë së Brazilit dhe kuzhinës së tij e më pas na fton të ulemi e të shijojmë gatimet e përgatitura. Provojmë Caipirinha, një pije tipike braziliane, e përgatitur me cachaça. Nga një dolli te tjera, nga historitë mbi artin e fotografinë, te kuzhina e vendeve tona dhe Lojërat e ardhshme Olimpike, kalojmë një pasdite të paharruar, të cilën për shumë kohë do ta kujtojmë me saudade.

{gallery}fotogaleri2016/rezbra{/gallery}

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor